Pavarësisht varfërisë, Etiopia është pioniere e astronomisë
Observatori multi miliona dollarësh i Entoto-s dhe qendra kërkimore është kthyer në një nga vendet e para në botë që e shfaq qartë brezin yjor të Orionit, i cili duket më i madh dhe më i theksuar këtu krahasuar me vende të tjera të Hemisferës Veriore
Me qiejt e saj të pastër dhe afërsinë me Ekuadorin, Etiopia është një vend ideal për të eksploruar hapësirën. Prapë se prapë, për një vend në zhvillim që po përballet me thatësirën më të madhe në këto 50 vite të fundit, shpenzimi i miliona dollarëve për të parë yjet natën, në pamje të parë mund të duket mendjelehtësi.
“Ata na quajnë të çmendur sepse mendojnë që ne do të eksplorojmë vetëm hapësirën dhe do të vëzhgojmë yjet. Por ata nuk mund ta shikojnë qëllimin e vërtetë”, tha anëtari i shoqërisë shkencore etiopiane të hapësirës, Abinet Ezra.
I ulur në një kafe buzë rrugës, afër institutit të teknologjisë “Addis Ababa”, Ezra shpjegon se përfitimi i madh do të thotë që të përdoret kërkimi shkencor për të zhvilluar ekonominë, për të përmirësuar bujqësinë, të luftohet ndryshimi i klimës dhe të krijohen vende pune të reja.
Shoqëria shkencore etiopiane e hapësirës, që prej vitit 2004 kur u krijua nga tre astronautë aspirues, ka rekrutuar 10 mijë anëtarë deri më tani. Ajo ka hapur observatorin e vetëm në Afrikën Lindore në majën e shenjtë 3200 metra të lartë të Entoto-s, që mbikëqyr gjithë kryeqytetin Addis Ababa.
Observatori multi miliona dollarësh i Entoto-s dhe qendra kërkimore është kthyer në një nga vendet e para në botë që e shfaq qartazi brezin yjor të Orionit, i cili duket më i madh dhe më i theksuar këtu krahasuar me vende të tjera të Hemisferës Veriore.
Shoqëria arriti që të bënte për vete qeverinë dhe donatorë privatë, përfshirë këtu edhe miliarderin saudit me origjinë nga Etiopia, Sheikh al Amoudi, për të gjetur fondet për të ndërtuar observatorin dhe për të financuar studimet.
Me 10 milionë etiopianë, të cilët rrezikojnë të vuajnë nga uria, kjo mund të duket diçka ekstravagante. Por zyrtarët e qeverisë dhe shkencëtarët gjykojnë se astronomia është thelbësore për zhvillimin e vendit. Ata mund ta përdorin observatorin që të përmirësojnë bujqësinë, apo të ulin koston e komunikimit, duke hedhur vetë në hapësirë satelitë.
“Prioriteti ynë ishte ta bindnim qeverinë dhe ia arritëm”, tha dr. Solomon Belay Tessema, drejtor i shoqërisë shkencore hapësinore etiopiane dhe një nga themeluesit e saj.
I biri i një prifti, Tessema, lindi në një fshat të vogël rural, në veriperëndim të vendit. Ai kujton se lajmin për mbërritjen në hapësirë të astronautit rus, Juri Gagarin, e lexoi në gjuhën amharike kur ishte fëmijë.
Për të, ky investim në dukje i madh, do të sjellë përfitime në vitet në vazhdim.
Në Etiopi nuk kishte programe studimore specializuese, kështu që drejtori udhëtoi në Suedi për të bërë doktoraturën e më pas u kthye në atdheun e tij në 2008-n. Ideja e tij kur la Suedinë ishte që astronomia nuk mund t’i shërbejë vetëm shkencëtarëve, por të gjithë popullit me 94 milionë banorë.
Vitin e kaluar, për 24 vende të hapura për doktoraturë në Institutin e Teknologjisë, aplikuan 219 studentë. Në Etiopi, janë 5 universitete që ofrojnë këtë program. Gjithashtu janë 60 klube të shkencave hapësinore që menaxhohen nga shoqëria hapësinore etiopiane përgjatë sistemit shkollor.
“Nëse studion ndonjë njeri këtu, ata do të kontribuojnë për shoqërinë. Ky është një mekanizëm për të kontrolluar ikjen e trurit”, u shpreh drejtori.
Shoqëria shkencore hapësinore etiopiane aktualisht po punon në një studim praktik për të ndërtuar një observator të dytë në Lalibela. Ky është një nga qytetet etiopiane më të shenjta, që dallohet për kishat e ndërtuara falë gurëve të prerë të shekullit XII dhe gjithnjë i ka tërhequr inxhinierët për mënyrën e veçantë të ndërtimit të tyre. Etiopia është një nga vendet me fenë e krishterë më të vjetër në botë. Studimi i yjeve, edhe pse ka qenë traditë e vendit që në lashtësi, prapë ka hasur në kundërshti nga ana e Kishës vendase.
Madje disa banorë thonë se u ndërtuan nga engjëjt, e disa të tjerë nga jashtëtokësorë.
Për shkencëtarët, klima e thatë e majave të larta 4200 metra i jep studiuesve të njëjtën pamje si shkretëtira e famshme Atacama në Kili.
Kjo njohje ndërkombëtare, po ashtu edhe vizita në vitin 2014 e administratorit të NASA-s dhe ish-astronautit Charles Bolden, i jep shoqërisë shkencore hapësinore etiopiane motivim ekstra, ndërsa vazhdon që të lobojë te qeveria për të tjera fonde dhe mbështetje.
Qëllimi i kësaj shoqërie është që të përfaqësojë Afrikën Lindore dhe Qendrore në studimet hapësinore. Ajo gjithashtu vlerëson punën e bërë nga Afrika e Jugut dhe Nigeria në këtë fushë. Ndërkohë që zhvillimi i vendit është qëllimi i këtij institucioni, inxhinieri elektrik 24-vjeçar Ghijon Ashenafi thotë se planet janë që të dërgohen në hapësirë edhe astronautë. “Por ndoshta kjo nuk do të ndodhë gjatë jetës sime. Ka ende shumë punë për të bërë pikë së pari”, përfundoi ai.