Politika

PD: Ndoka kërcënoi Vorpsin, Rama do të mbajë përgjegjësi politike

Opozita

Deputeti i PS-së: I telefonova, nuk e kërcënova, të zbardhin bisedën e regjistruar


PD-ja –
 Kërcënimi i sotëm banditesk ndaj zëdhënëses zyrtare të PD-së, Laura Vorpsi, nga Arben Ndoka është një tjetër provë se në Shqipëri, Edi Rama ka ngritur një infrastrukturë kriminale e mafioze

Ndoka –Është e vërtetë që unë e kam marrë në telefon zëdhënësen e PD-së, por në asnjë moment nuk e kam kërcënuar atë. I kam kërkuar që të mos merret me ermin tim nëpërmjet fjalëve të fëlliqura që ata nxjerrin

Arben Ndoka

Arben Ndoka

Partia Demokratike akuzon deputetin socialist, Arben Ndoka, se ka kërcënuar zëdhënësen e selisë blu, Laura Vorpsi, nëpërmjet një bisede telefonike. Kërcënimi i Ndokës u bë prezent pasdite nga një deklaratë e lëshuar pasdite nga selia e PD-së, nëpërmjet Silvi Bardhit, e cila ka denoncuar një akt të tillë. Por deputeti i PS-së, Ndoka i kontaktuar nga gazeta Shqipshprehet se i ka telefonuar zëdhënëses Vorpsi, por nuk ka kryer asnjë lloj kërcënimi.

Reagimi i PD-së

Koordinatorja për median në PD, Silvi Bardhi, u shpreh se “Pasdite Arben Ndoka kërcënoi me anë të një bisede telefonike zëdhënësen e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi. Partia Demokratike e dënon me forcë aktin e sotëm mafioz të kërcënimit të zëdhënëses zyrtare të Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, nga deputeti Arben Ndoka. Ky akt kërcënimi erdhi pas denoncimit me fakte dhe prova të së kaluarës kriminale të Arben Ndokës, i dënuar nga drejtësia italiane me 7 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe për heqje të lirisë së tjetrit. Kërcënimi i sotëm banditesk ndaj zëdhënëses zyrtare të Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, nga Arben Ndoka është një tjetër provë se në Shqipëri, Edi Rama, ka ngritur një infrastrukturë kriminale e mafioze për t’i mbyllur gojën opozitës dhe fjalës së lirë”. Më tej, në emër të PD-së, Bardhi deklaroi se Kryeministri Rama do të mbajë përgjegjësi politike të për këtë incident. “Partia Demokratike e dënon fuqimisht këtë akt banditesk dhe është më e vendosur se kurrë të bëjë transparencë të plotë të lidhjeve kriminale të Edi Ramës dhe përdorimit prej tij të krimit të organizuar për interesa politike. Partia Demokratike i bën me dije Edi Ramës faqe opinionit publik kombëtar dhe gjithë faktorit ndërkombëtar se ai, do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike, ligjore, personale dhe të gjithanshme për çdo akt kërcënimi dhe dhune ndaj përfaqësuesve të opozitës, të frymëzuar nga ai dhe kodoshët e tij politikë”, deklaroi Bardhi.

Ndoka

Në një reagim të tij për gazetën Shqip, deputeti i PS-së nuk mohon faktin e kryerjes së telefonatës, por thekson se në asnjë moment nuk e ka kërcënuar zëdhënësen e PD. Ai ftoi të djathtën që të bëjë publike telefonatën, në të cilën sipas tij ai thjesht ka kërkuar që të mos i përmendet emri, në të kundërt çështja do të shkojë në gjykatë. “Është e vërtetë që unë e kam marrë në telefon zëdhënësen e Partisë Demokratike, por në asnjë moment nuk e kam kërcënuar atë. I kam kërkuar që të mos merret me ermin tim nëpërmjet fjalëve të fëlliqura që nxjerrin ata si parti. Nëse ata do të vazhdojnë sërish të flasin me emrin tim, unë do të përballem në gjykatë. PD-ja le ta bëjë publike telefonatën time, sepse unë e di që ata e kanë regjistruar. Le ta dinë të gjithë se çfarë i kam thënë unë Laura Vorpsit, por vetëm kërcënime s’i kam bërë”, deklaroi për Shqip, Ndoka. Paraditen e djeshme, PD-ja nëpërmjet Laura Vorpsi në deklaratën për median akuzoi Kryeministrin Rama që sipas saj, po hesht ndaj fakteve dhe provave të paraqitura nga opozita ndaj deputetit të PS-së, Arben Ndoka. “Kur Partia Demokratike në mënyrë të përsëritur denoncon me fakte dhe me prova lidhjet kriminale të Edi Ramës dhe depërtimin e krimit në Parlament, Edi Rama kërkon emra. Kërkon emra dhe provokon opozitën me porositë e zonjës Xhaçka. Kërkon emra dhe organizon goditjen dhe kërcënimin me jetë të deputetëve të opozitës me strukturat e dhunës që ka ngritur në Kuvend.

Nga dje, Edi Rama e ka një emër. Ka transparencën e plotë të një dosjeje kriminale. Deputeti i Edi Ramës ka emër dhe është dënuar hiç më pak sesa për trafik prostitucioni në rrethana rënduese dhe heqje të paligjshme të lirisë së tjetrit. Edi Rama e njeh mirë këtë emër, është ai që urdhëroi mënjanimin e dy kandidateve gra për t’i hapur rrugën futjes së Arben Ndokës në Parlament”, deklaroi Vorpsi. Sipas PD-së këto fakte kanë tronditur opinion dhe shoqërinë shqiptare, porse “i vetmi që hesht është Edi Rama. I vetmi që bën shurdhin dhe të paditurin është Edi Rama. Por faktet flasin vetë dhe Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button