Politika

PD, Noka: Për skandalin “Frroku”, përgjegjës Rama e Tahiri

Deputeti i PD, Flamur Noka ka deklaruar të martën se, skandali i fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin Mark Frroku “po merr edhe më shumë” erë dhe tashmë kanë mbetur vetëm dy persona përgjegjës për këtë akt të rëndë të rënies së shtetit e të fundosjes së çdo standardi.

“Dy personat e vetëm përgjegjës që kanë mbetur tashmë në këtë aferë janë Saimir Tahiri dhe Edi Rama. Shefi i interpolit u kthye në detyrë, pasi gjykata nuk e gjeti përgjegjës për fshehjen e kërkesës së Interpol-Brukselit. Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, që të mbyllte gojën u dërgua me ngritje në Amerikë nga Edi Rama. Akti i rëndë i fshehjes së kërkesës së interpolit, ky bashkëpunim i hapur me krimin, tashmë ka ngelur në derën e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës”, ka thënë Noka.

Sipas deputetit të PD, është e qartë që një dokument i tillë (një kërkesë nga Interpoli për një deputet) mund të fshihej për muaj të tërë vetëm nga ministri i Brendshëm, me bekimin e Kryeministrit.

“Ky bashkëpunim në krim u bë për të akuzuarin për vrasje që Edi Rama e bëri deputet, për të akuzuarin që bëri fushatë për Saimir Tahirin në kombinat. Ky bashkëpunim në krim i Saimir Tahirit dhe Edi Ramës u bë për deputetin që me dëshminë e tij mbylli hetimin për Ilir Metën, i cili u akuzua nga radhët e vetë mazhorancës për porositjen e vrasjes së dy deputetëve”, ka vijuar Noka.

Ai është shprehur se, ky bashkëpunim në krim i Tahirit dhe Ramës është një nga episodet e inkriminimit masiv, krimit të veshur me pushtet dhe anasjelltas, “ndaj dhe Edi Rama i nxjerr pengesa procesit të dekriminalizimit duke e bllokuar atë”.

“Por skandalet nuk do të mund të mbyllen asnjëherë. Saimir Tahiri duhet të largohet dhe t’i hapë rrugën hetimit për këtë rast dhe për të gjitha rastet e tjera të provuara për lidhjet e tij me krimin. Dekriminalizimi do të bëhet dhe përgjegjësit e akteve të rënda kriminale do të dalin para ligjit e drejtësisë”, ka shtuar Noka.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button