PD: Policia e lidhur me bandat, kërkojmë transparencë
Partia Demokratike ka akuzuar Policinë e Shtetit si të implikuar me mafien dhe kërkojnë transparencë të plotë për ngjarjen makabre të ndodhur një ditë më parë në Tiranë.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani doli në një deklaratë për mediat për të denoncuar përpjekjet e qeverisë për dizinformim të publikut për ngjarjen e rëndë të përplasjes së bandave në kryeqytet një ditë më parë.
“Ngjarja e mbrëmshme që tronditi qytetarët e Tiranës e nxorri zbuluar Policinë e Shtetit dhe ministrin Tahirin, pas mburrjes së tyre me shifra koti se krimi është ulur në vend dhe pas statistikave fiktive. Tahirit nuk i beson më askush, sidomos për rendin dhe sigurinë, pasi qytetarët po shohin çdo ditë se krimi sa vjen dhe rritet, rendi sa vjen dhe bie, pasiguria për jetën dhe pronën sa vjen dhe shtohet. Dihet botërisht se bandat e përplasjes së përgjakshme kanë lidhje me qeverinë, por përfshirja e një efektivi të policisë me këtë ngjarje është një fakt i rëndë kompromentues që bënë përgjegjës, Sajmir Tahirin”, tha Ristani.
“Partia Demokratike denoncon përpjekjen e qeverisë për të keqinformuar dhe mosinformuar publikun për detajet e ngjarjes së mbrëmshme kriminale dhe implikimin e Policisë Shtetit me këtë ngjarje dhe kërkojmë transparencë për lidhjet e errëta të mafies me qeverinë”, pohoi Ristani.