PD, Shehu: Qeveria, afera korruptive me Spitalin e Traumës
Deputeti i PD, Tritan Shehu ka deklaruar këtë të premte se, qeveria shqiptare ka programuar kthimin e ish-Spitalit Ushtarak dhe Qendrës Universitare të Traumës përsëri në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes.
Një veprim, sipas tij, i gabuar e që bie ndesh me zhvillimet pozitive ndër vite të asaj qendre mjekësore dhe me vetë linjat e sistemit spitalor.
“Pa asnjë dyshim, ky është një hap mbrapa në këtë drejtim. Është ndërprerje e një zhvillimi pozitiv që prej vitit 1993, në momentin kur ajo qendër dhe spital po marrin një formë të kënaqshme, kur atje u krijua një traditë universitare dhe lider në fushën e traumës për vendin tonë”, ka thënë Shehu.
Pikërisht atëherë kur atje do të investohen 5 milionë euro nga qeveria italiane, vijon Shehu, qeveria kërkon të “groposë” atë çfarë është arritur në një rrugë të gjatë zhvillimi.
“Dhe kjo bëhet pa asnjë konsultë me specialistët e fushës dhe ndesh me vetë strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Një vendim i tillë po përgatitet për arsye që nuk kanë asgjë të përbashkët me sistemin tonë spialor, cilësinë e mjekimit të të sëmurëve, qofshin civilë apo ushtarakë. Përkundrazi, e demton këtë”, thotë Shehu.