PD të distancohet nga terrorizmi !
ANDREA STEFANI
Distancimi i lidershipit të PD-së nga shpërthimet e së martës në Tiranë dhe solidarizimi pa rezerva i tij me shtetin në luftën pa kompromis kundër terrorizmit, është bërë më në fund edhe shqetësim i ndërkombëtarëve. Kështu duket, të paktën, pas deklaratave që ambasada e SHBA-së dhe delegacioni i BE-së lëshuan menjëherë pasi PD-ja u përpoq të shfrytëzojë politikisht shpërthimet, në funksion të luftës për pushtet, duke aluduar si shkak të tyre përfshirjen e Saimir Tahirit, ministrit të Brendshëm në rivalitetet e krimit të organizuar. Një qëndrim që shihet qartë se nuk aprovohet fare nga ndërkombëtarët që kanë dhënë të kuptohet se lidershipi i PD-së duhet të shfaqet i përgjegjshëm dhe ato që thotë, duhet të jenë në funksion të shtetit ligjor dhe interesave kombëtare të Shqipërisë.
***
Te shumica e shqiptarëve ose më saktë e atyre që e kundërvotuan masivisht PD-në më 23 qershor, këmbëngul perceptimi se edhe prapa valës së shpërthimeve, që ngrihet dhe ulet në korrelacion me ciklin politik, qëndron e fshehur edhe dora e lidershipit berishist, që e mendojnë si shumë të kriminalizuar. Është një perceptim që bazohet edhe në disa indicie të rikonfirmuara kohë pas kohe, gjatë më shumë se dy dekadave tranzicion. Një perceptim që lind, për shembull, nga fakti që sa herë Berisha kalon në opozitë (dinamikë që e lejon jetëgjatësia e pazakontë e tij në lidership), shpërthimet me eksplozivë shfaqen me intensitet të shtuar dhe në disa rrafshe momentalisht mjaft sensitivë për publikun. Kështu, në opozitën e tij të parë pas vitit ’97, ndodhën ca shpërthime mbi shtyllat e tensionit elektrik, kur edhe problemi i furnizimit me energji ishte më problematik. Ndërsa sot, kur çështja e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar shfaqet madhore, ndodhin shpërthime që i japin mundësi PD-së të bërtasë për aksione të krimit të organizuar, për shkak të kriminalizimit të ministrit Tahiri? Një rastësi?
***
Por a është vërtet i kriminalizuar ministri Saimir Tahiri? Ndërkombëtarët nuk e pranojnë një version të tillë. Siç treguan deklaratat e tyre më të fundit, ata besojnë se shpërthimet janë një reaksion terrorist i krimit të organizuar si hakmarrje nga lufta që kjo qeveri dhe ministri Tahiri në radhë të parë, i kanë shpallur trafikut të drogës. Një luftë me bilance të qarta në dëm të krimit. Dhe jo vetëm ndërkombëtarët, por edhe shumica e shqiptarëve, e kanë të vështirë të besojnë se si një ministër mund të jetë i lidhur me botën e krimit dhe në të njëjtën kohë ta godasë si askush tjetër më parë, në arterien më vitale të saj, kultivimin dhe trafikun e drogës. Është e vështirë të besohen akuzat e PD-së, që ta kesh “grurë” me krimin e organizuar dhe ai të godasë familjen tënde. Prandaj, ndërkombëtarët solidarizohen hapur me Ministrinë e Brendshme, pra edhe me ministrin Tahiri, dhe bëjnë thirrje që këtij fronti kundër krimit t’i bashkohen të gjithë, edhe PD-ja. Por kjo e fundit bën të kundërtën dhe akuzon Tahirin për lidhje me krimin e organizuar!
***
Gjithsesi, sa të vërteta janë këto akuza shumë serioze të PD-së kundër ministrit Tahiri? Në fakt, të bësh të tilla akuza publike është papërgjegjshmëri të mos i bazosh në fakte. Prandaj, nuk mund të mos pyesim: Çfarë faktesh disponon PD-ja për këto akuza? Deri tani nuk kemi parë asnjë fakt. Të ngresh një akuzë të tillë kundër ministrit, duke pretenduar “se ka jo pak dëshmitarë të shoqërimit të tij me emrat më të njohur të krimit të organizuar në vend”, është qesharake. Nëse PD-ja ofron prova dhe jo llafe kafenesh, do të isha i gatshëm të dal dhe kërkoj si qytetar jo vetëm largimin, por edhe ndjekjen penale te shtetasit Saimir Tahiri. Më e pakta që i duhet sot Shqipërisë, është një ministër i lidhur me krimin e organizuar. Por PD-ja duhet t’i bëjë publike faktet. Nëse nuk ka të tilla, duhet të heshtë. Sepse edhe shpifjet e mashtrimet nuk i duhen Shqipërisë. Sepse të akuzosh pa fakte një ministër dhe një qeveri për lidhje me krimin, është rrënim i interesit publik. Është kjo një lloj papërgjegjshmërie politike që ka nisur me Berishën 20 e kusur vjet më parë dhe po vazhdon bashkë me të. Por është shumë e rrezikshme të vazhdohet më me akuza llafesh kazani, si për shembull: Azem Hajdarin e vrau qeveria “Nano”, akuzë publike që ndërseu deri dhe një grusht shteti të armatosur fanatikësh berishistë dhe pas disa vitesh, të dalë se nuk e paska vrarë Nano. Nuk mund të vazhdohet me deklarime si më “21 janar”, se protestuesit janë vrarë nga afër dhe më vonë të provohet se qenkan vrarë nga larg me plumbat e ushtarëve të pikërisht atij që akuzonte se ishin vrarë nga afër. Kjo është një politike e mashtrimit publik dhe si e tillë është shumë e rrezikshme për demokracinë që bazohet te mirinformimi i qytetarëve dhe jo te dezinformimi i tyre.
***
Mjerisht lidershipi i sotëm PD nuk e fsheh dot nxitimin për t’u rikthyer në pushtet me çdo mjet. Madje, si në këtë rast, edhe duke shfrytëzuar dinamitin e mafies dhe krimit të organizuar. Sepse të përfitosh politikisht nga terrori që ngjall krimi i organizuar, është thuajse aspak ndryshe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar. Janë aq afër si pozicione, sa ndonjëherë bëhet e vështirë t’i ndash. Prandaj, edhe në opinionin publik ka një dyshim të fortë se shpërthimet mund të jenë edhe terror i një aleance të fshehtë të krimit me segmente të opozitës politike. Dyshime që mbeten në ajër edhe nga fakti se organet e inteligjencës dhe hetimit po tregohen të paafta, dhe është thënë përse, të zbulojnë autorët e këtij terrorizmi burracak në vlerësimin e ambasadës së SHBA-së. Dyshime që mund të fashiten vetëm në rast se PD-ja ofron prova për akuzat e saj kundër qeverisë dhe ministrit Tahiri ose, në të kundërt, heq dorë prej shpifjeve dhe prirjes për të përfituar politikisht prej akteve terroriste, duke iu bashkuar pa rezerva, siç i takon çdo partie të pakriminalizuar, luftës kundër krimit të organizuar. Ndryshe, pas çdo shpërthimi dhe alarmi të PD-së kundër krimit që paska kapur qeverinë, shumica e shqiptarëve do të vazhdojnë të perceptojnë krimin që kërkon të kapë qeverinë me terror.