PEGIDA dëshmon për ‘plasaritje’ në shoqërinë gjermane
Politikanët i thonë “jo” Pegidas, një e treta e popullit i thotë “po”. Pse është kaq e ndarë Gjermania në temën e migrimit? Politologët propozojnë një komision kombëtar pro “diversitetit”.
Në Dresden të hënën (05.01) në mbrëmje lëvizja antiislamike “Pegida” mblodhi një numër rekord njerëzish. Rreth 18.000 vetë protestuan megjithë shiun në kryeqytetin e Landit të Saksonisë. Paralelisht me këtë, një grup politologësh të njohur gjermanë, që studiojnë migrimin shprehu shqetësimin për “fenomenin serioz” që ata shohin te Pegida.
Grupi “Evropianët Patriotë kundër islamizimit të Oksidentit”, i njohur si Pegida, përfaqëson një “plasaritje që po thellohet gjithnjë e më shumë në shoqërinë e Gjermanisë”, midis atyre që i mirëpresin migrantët dhe atyre që i demonizojnë ata, tha Werner Schiffauer, etnolog në Universitetin Viadrina në Frankfurt, i cili kryeson Këshillin e Migrimit (RfM), një rrjet prej 79 shkencëtarësh.
Që prej fillimit të manifestimeve të PEGIDA-s në tetor, ato zhvillohen çdo javë në Dresden. Në manifestimin e fundit në vitin e kaluar, para Krishtlindjeve u mblodhën 17.500 vetë. Manifestime më të vogla ka pasur edhe në qytete të tjera gjermane, shpesh të shoqëruara nga kundërdemonstrata, të cilat kundërshtojnë ksenofobinë dhe racizmin. Jo më larg se e hëna në mbrëmje dhjetra mijëra vetë manifestuan për një Gjermani të hapur ndaj botës.
Politikanët dhe ish-kancelarët i thonë “jo” Pegida-s
Në një thirrje të përbashkët, të martën (06.01.2015) 50 persona të shquar nga politika dhe ekonomia u shprehën kundër armiqësisë ndaj të huajve dhe intolerancës. Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble (CDU) thotë në numrin e së martës të gazetës “Bild”: “Parullat nuk zëvendësojnë faktet: Gjermania ka nevojë për migrantë. Dhe ne duhet të tregojmë empati për refugjatët në hall”. Ministri i Jashtëm, Frank Walter Steinmeier (SPD) shpjegon “Pegida nuk dëmton vetëm vendin tonë, ajo hedh edhe dritë të keqe mbi Gjermaninë në botë.”
Ish-kancelarët Helmut Schmidt dhe Gerhard Schröder gjithashtu morën pjesë në debat. Schmidt e kritikon ashpër në gazetën “Bild” lëvizjen: protestat e Pegidas u referohen paragjykimeve, urrejtjes kundër të huajve dhe intolerancën, shkruan ai. “Vështrimi në historinë tonë dhe arsyeja ekonomike na thonë: Gjermania nuk duhet t’i refuzojë refugjatët dhe azilkërkuesit.” Ish-kancelari Schröder kërkon një përsëritje të “Kryengritjes së Njerëzve të Respektuar”, kundër ksenofobisë, të iniciuar prej tij 16 vjet më parë.
Programi i PEGIDA-s, i publikuar në dhjetor, rithekson të drejtën për refugjatët e luftës dhe për ata që përballen me persekutim politik. Bën thirrje për “rezistencë kundër mosrespektimit të gruas, kundër ideologjive të dhunshme politike, por jo kundër myslimanëve të integruar që jetojnë këtu” dhe kërkon “një politikë të tolerancës zero kundër azilkërkuesve dhe migrantëve kriminelë.”
Paragjykime të përhapura kudo
Politologët besojnë se PEGIDA është simptomatike për koncepte të gabuara, shumë të përhapura për migrimin te shumë gjermanë. Kështu shprehet sociologu i Universitetit të Bielefeldit, Andreas Zick. 40 përqind e gjermanëve janë të bindur se ata që kërkojnë azil në Gjermani, gënjejnë kur thonë se janë persekutuar në atdheun e tyre, tha ai.
Deri tani, thotë ai, zyrtarët gjermanë janë fokusuar shumë pak në shpjegimin se pse kanë ardhur refugjatët në Gjermani nga qytete të përfshira nga lufta në Siri. “Po ta bësh të qartë se këta refugjatë mezi i kanë shpëtuar vdekjes, askush nuk do të ketë më kundërshtime”.
Në shumë raste, kryetarët e bashkive lajmërohen vetëm pak ditë përpara për azilkërkuesit që do të transferohen në komunitetin e tyre. “Në një rast të tillë ata nuk kanë kohë të përgatiten për të komunikuar si duhet me njerëzit lokalë”.
Politologët kërkojnë ngritjen e një komisioni nacional, në të cilin të përfaqësohen ekspertët e migrimit, anëtarë të shoqërisë civile dhe politikanë. Dhe që ky organ të hartojë një model të ri gjerman të pranimit të diversitetit dhe ta përfshijë atë në programet mësimore të shkollave. Në Kanada dhe në SHBA, direktiva të ngjashme kanë sjellë “një kthesë për mbarë”, thanë shkencëtarët.