PEKIN – Kina premton rol më aktiv për paqen në Ukrainë
PEKIN, 21 tetor /ATSH-AA/ – Kina sot premtoi se do të luajë rol aktiv në promovimin e bisedimeve të paqes për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, pas deklaratave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump i cili shprehu gatishmëri për takim trepalësh me presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin rus Vladimir Putin.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning tha në një konferencë për mediat në Pekin se qëndrimi i vendit të saj për krizën në Ukrainë mbetet “i qëndrueshëm”. Ajo tha se Pekini do të vazhdojë të luajë “rol aktiv” në promovimin e negociatave drejt një “zgjidhjeje politike të krizës”.
Megjithatë, Mao tha se nuk ka informacion në lidhje me “takimin trepalësh” të propozuar.
Trump tha të hënën se është i hapur për t’u takuar me presidentët Putin dhe Xi, megjithëse nuk kishte rënë dakord për ndonjë samit të tillë.
Presidenti amerikan tha se çarmatimi bërthamor, në vend të Ukrainës, do të ishte fokusi kryesor i takimit, duke shtuar se do të bënte gjithçka që ishte e mundur për t’i dhënë fund luftës, pavarësisht nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të merrte pjesë.
Ndërkohë, thuhet se Putini ka propozuar mbajtjen e samitit trepalësh gjatë takimit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Shenzhen të Kinës, më 18-19 nëntor. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov pranoi diskutimet rreth një takimi të mundshëm, por tha se nuk është arritur marrëveshje mbi axhendën apo detajet e tij.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.