Pengesat kryesore për një kompani që do investojë në Shqipëri
Flet Diana Leka, Kryetarja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve
Stabilitet i politikave fiskale dhe legjislacionit, rritje e besueshmërisë në shërbimet e ofruara nga administrata ndaj biznesit dhe kthimi i besimit tek gjykatat, janë disa nga elementet kryesore ku duhet punuar në mënyrë që të rriten investimet, si të huaja ashtu dhe ato të brendshme. Për Diana Lekën, kryetare e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, përpjekje duhet të bëhen për të përmirësuar klimën e biznesit në vend duke mbrojtur investitorët ekzistues, që sigurisht janë korrekt me detyrimet ndaj shtetit dhe shoqërisë sonë. “Nëse mbrojmë këta të fundit dhe krijojmë mundësi për ta që fitimet e tyre t’i ri-investojnë në Shqipëri, atëherë i kemi bërë sponsorizimin më të mirë vendit për investime”, thotë drejtuesja e Institucionit, që u krijua një vit më parë nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it, si një platformë për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë.
Cilat janë pengesat kryesore për një kompani që do të investojë në Shqipëri?
Nga analizat tona, bazuar në vlerësimet e raporteve ndërkombëtare në 2-3 vitet e fundit, por edhe nga anketimet dhe takimet tona të drejtpërdrejta me bizneset, rezulton se problemet kryesore lidhen me: praktikat e zbatimit të kontrolleve tatimore, nivelin e informalitetit të ekonomisë që influencon konkurrencën e pandershme, procedurat komplekse dhe vendimet “abuzive” mbi ankimet administrative si pjesë e “zgjidhjes së mosmarrëveshjeve”, apo problematika specifike në lidhje me falimentin e shoqërive tregtare. Pengesat shfaqen në formen e një mungese besimi tek institucionet publike dhe sidomos ato të administrimit fiskal, mungesë koordinimi ndër-institucionale e ndjeshme veçanërisht gjatë aksionit anti-informalitet, me numrin e lartë të kontrolleve, mospërgjigje në kohë ndaj biznesit, interpretimet evazive të legjislacionit dhe profesionalizëm i ulët i administratës. Shqetësim për bizneset mbetet zgjidhja e mosmarrëveshjeve që krijohen me administratën publike në kuadër të ankimit administrativ si edhe skepticizëm lidhur me vendimet e gjykatave administrative dhe cilësinë e tyre. Nga një analizë e kryer së fundmi nga Sekretariati rezulton se vetëm në pak raste ankimet e biznesit pranohen nga administrata, ndërsa gjykatat administrative priren të japin vendime në favor të administratës.
Kështu psh, nga të dhënat institucionale të përpunuara nga Sekretariati, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD) dhe Drejtoria e Apelimit Tatimor (DAT) paraqesin një nivel shumë të ulët të pranimit të ankimit të bizneseve, përkatësisht DPD me 2% për 2015 dhe DAT 6% për 6-mujorin e I-rë 2015.
Nga analiza e thelluar mbi sa më sipër ka rezultuar se: domosdoshmëria e stabilitetit të politikave fiskale dhe legjislacionit përkatës të zbatueshëm (unifikim qëndrimesh, thjeshtim të procedurave dhe transparencë e veprimtarisë së administratës); komunikim, stabilitet stafi dhe rritja e besueshmërisë në shërbimet e ofruara nga administrata ndaj biznesit; kthimi i besimit tek gjykatat.Këto faktorë përbëjnë një trëkëndësh ku duhet të fokusohet puna e bashkëpunimi qeveri-biznes në muajt që vijnë.
A duhen ndërhyrje në përmirësimin e klimës së biznesit për investitorët dhe ku duhen bërë këto ndërhyrje?
Globalizmi ështe një fenomen, që edhe nëse rri në vend, prapë humbet sepse të tjerët ecin, investitorët i kapin vendet e rajonit. Përpjekje duhet të bëhen për të përmirësuar klimën e biznesit në vend duke mbrojtur investitorët ekzistues, që sigurisht janë korrekt me detyrimet ndaj shtetit dhe shoqërisë sonë. Nëse mbrojmë këta të fundit dhe krijojmë mundësi për ta që fitimet e tyre t’i ri-investojnë në Shqipëri, atëherë i kemi bërë sponsorizimin më të mirë vendit për investime. Shkalla e ri-investimit të kapitalit është një indikator i rëndësishëm i përmirësimit të klimës së biznesit dhe mundësisë më të madhe për të tërhequr investitorë të rinj. Kohët e fundit, qeveria ka ndërmarrë një sërë masash, veçanërisht dhënia e detyrimeve të prapambetura, ligjet e fundit, si ai i turizmit dhe investimeve strategjike, apo fillimi i dhënies së lejeve të ndërtimit, që duhet të shoqërohen sa më parë me hartimin e dispozitave ligjore që mundësojnë zbatimin korrekt të tyre si psh dhënia e lejeve të ndërtimit etj. Megjithatë, dëshira dhe vullneti për të krijuar një klimë të mirë të biznesit mund të tregohet edhe me disa ndryshime të vogla, pa kosto buxhetore por me ndikim tek biznesi. Këtu i referohem edhe një numri të konsiderueshëm rekomandimesh praktike të ofruara nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve, në veçanti në lidhje me legjislacionin tatimor dhe inspektimet.
Cilët janë sektorët që ju shikoni me potencial për të tërhequr investitorët e huaj?
Ndër sektorët më potencialë janë infrastruktura, sepse vendi ka ende shumë nevojë për investime dhe përmirësime në këtë drejtim, sektori energjetik është gjithashtu mjaft tërheqës për shkak të burimeve natyrore që ka Shqipëria, ujore dhe nëntokësore. Por ndërkohë të dy këta sektorë kërkojnë kapitale të mëdha investimi dhe në një kohë të vështirë konjukturash ndërkombëtare mendoj se do të ishte me shumë interes tërheqja e investimeve të huaja, që mund të kërkojnë kapital më të ulët, por që janë më të shumtë në numër.
Një degë me interes është padyshim teknologjia e informacionit. Shqipëria tashmë është kthyer një një atraksion për bizneset e ‘call-center’, numri i të cilave është rritur me shpejtësi gjatë viteve të fundit, kryesisht si pasojë e kostos së lirë së punës. Këto biznese mund të shërbejnë shumë mirë si urë për të zhvilluar më tej ngritjen e bizneseve me bazë të IT-së në vend. Infrastruktura dhe rrjeti në këtë drejtim tashmë është ngritur dhe mundësitë për të trajnuar të rinjtë, që do të jenë edhe forca e punës në këtë fushë, janë shumë të mira. Mendoj që Shqipëria e ka një shans në këtë drejtim çka garanton një rritje jo vetëm të investimeve të huaja por edhe të të ardhurave për të punësuarit në këtë sektor. Qeveria mund të nxisë në këtë drejtim duke ofruar incentiva të ndryshme në lehtësim fiskal apo mbështetje për punësimet e reja dhe trajnimet e stafit. Ndërkohë duhe të bëhet gjithashtu edhe lidhja me sistemin arsimor, i cili të përgatisë profesionistë cilësorë në sektorin e IT-së ku të mundësohet lidhja me bizneset dhe ofrimi i praktikave të punës.
Sa konkurruese e vlerësoni Shqipërinë kundrejt Rajonit?
Aktualisht ne po punojme me këtë çështje, dhe në dt 28 Prill, do të paraqesim disa nga rekomandimet te Këshilli i Investimeve. Shqipëria ka një treg të vogël, por nga ana tjetër paraqet mundësi fantastike për shkak të pozicionit gjeografik, procesit të integrimit në Bashkimin European, fuqisë punëtore aktive, mundësive të reja të pashfrytëzuara (turizëm, agrikulturë, shërbime BOP, industri e lehtë) apo ndoshta edhe nje monedhë relativisht stabël. Shqipëria duhet parë si pjesë e integruar e tregut rajonal ballkanik dhe në këtë kuadër mund të ofrojë mundësi shumë të mira për investitorët e huaj. Vendet e Ballkanit Perëndimor si Maqedonia dhe Serbia janë treguar agresive në tërheqjen e kompanive kryesisht në sektorin automotiv për shkak edhe të një tradite të tyre në këtë sektor. Shqipëria është pjesë e këtij rajoni dhe duhet parë e integruar brenda një tregu më të gjerë rajonal, për të qenë komplementare por edhe konkurruese në sektorët që mund të paraqesë avantazhe.
Sektori i BoP, megjithëse me një peshë të ulët në PBB (mendohet nga 3-5%) është një sektor në rritje, ka shumë interes nga investitorë të huaj dhe me tendencë diversifikimi të shërbimeve që ofron, jo vetëm shërbime klienti dhe marketingu, por edhe në shërbime financiare, ligjore, kontabiliteti, programimi, etj. Ndaj, Shqipëria duhet të synojë ta zhvillojë më tepër këtë sektor që bazohet në një forcë punëtore të re, të arsimuar dhe krijon mundësi kualifikimi të mëtejshëm nëse orientohet drejt produktivitetit.