Opinion

Pensionet janë rritur në premtime por jo ne shifra

Nga KOÇO BROKA

Në kushtet kur niveli i shpenzimeve gjithsej të sigurimeve shoqërore për vitin 2025 pritet të arrijë rreth 205 miliard lekë, shuma e parashikuar prej 215.7 miliard lekë në vitin 2026, ose shtesa prej 10.8 miliard lekë nuk mundëson rritje të pensioneve, por vetëm indeksim.Ja përse meraku I mikut tim nga Korça por dhe mjaft të tjerëve është real. I zoti e ka premtuar me fjalë por jo me shifra.

Ende e kam të freskët zërin plot brengë, shqetësime kureshtje në celular, të një miku nga Korça, që më pyeti para dy ditësh:- A do të na rritet pensioni  për vitin 2026, Koço?Dhe vazhdoi:-Kam parë e dëgjuar shumë emisione për rritjen e pensioneve. Kryeministri e Ministri i Financave përmendin se në katër vitet e ardhshme do të harxhohen 1.7 miliard euro për rritjen e pensioneve…Ndërkohë nga përfaqësues të opozitës është nënvizuar se në projektbuxhetin e vitit 2026 “nuk parashikohet rritje e pensioneve.Thjesht bonusi i fundvitit do të shpërndahet në mënyrë të barabartë për 12 muaj të vitit.”Kryeministri e kundërshtoi dhe e hodhi poshtë në daljet e tij në takimet e fundit me banorët e disa rajoneve të Tiranës. Dikush tjetër  kujton fjalën e urtë popullore:- I zoti e jep, tellali s’e jep, ndërkohë një gazetare duke e cituar atë, iu drejtohet të ftuarve në emissionin e saj: Jemi bërë lëmsh. Si është e vërteta për rritjen e pensioneve në vitin 2026!?Mikut tim nga Korça iu përgjigja:-. Pensioni në vitin 2026 do të rritet. Po kështu dy javë më parë u  bë e mundur me miratimin e aktit të fundit normativ të buxhetit të vitit 2025, që të mundësohet bonusi i këtij fund viti, sa ai i vitit të kaluar. Kjo edhe për faktin se vërtet që shtesa e shpenzimeve të sigurimeve shoqërore në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2026 prej 10.8 miliard lekë, nuk e mundëson atë që thotë deri tani Kryeministri, por rritja e të ardhurave të sigurimeve shoqërore prej 20.2 miliard lekë e parashikuar në projekt buxhet e mundëson atë, pa rritjen e deficitit të sigurimeve shoqërore, krahasuar me vitin aktual që po mbyllet. Unë kam bindjen se në vitin 2026 do të ketë rritje të pensioneve, se shifra aktuale e shpenzimeve gjithsej të sigurimeve shoqërore në tabelën treguesit fiskalë të buxhetit të konsoliduar 2023-2028, do të ndjekë shtesën e të ardhurave të sigurimeve shoqërore e për rrjedhojë nuk do të ketë vetëm shpërndarje të bonusve gjatë gjithë vitit, por rritje të pensionit.

Megjithatë kjo situatë më solli parasysh, deklarimin e një kolegu që kishte qënë në një workshop në Gjermani aty nga viti 2004. Në këtë Workshop kishin marrë pjesë disa shqiptarë, deputetë, punonjës nga administrata e lartë shtetërore, nga pushteti vendor, projekte etj. Kur u interesova për temat e trajtuara në të, më tërhoqi vemendjen, se lektorët gjermanë, një ditë të tërë ishin ndalur në atë, që kur kemi qënë fëmijë në Korçë quanim lojë me telefon të prishur.

Kjo konsistonte në atë që kur mblidheshim në darkë fëmijët e mëhallës rreshtoheshim varg e dikush që merrte pozicionin numur një, i thosh të dytit në vesh një shprehje të shkurtër, i dyti duhej t’ia përcillte të tretit ashtu si e kish dëgjuar, i treti të katërtit dhe i fundit ia përcillte përsëri të parit. Ky i fundit e krahasonte shprehjen që i kishte ardhur mbrapsht me atë që i kish transmetuar të dytit e që ndërkohë e kish dhe të shkruar. Jo rallë ndodhte që shprehja vinte tjetër për tjetër nga ajo që kish thënë i pari.Mesazhi i lojës me telefon të prishuar, ishte i thjeshtë se në komunikimin me njëri tjetrin është e nevojshme të jemi të qartë, korekt, sejcili duhet të sillet korekt pamvarësisht nga këndvështrimi apo interesat private…Kur dëgjova për orkshopin e sipërmëndur jo pa habi i kam bërë pyetje vehtes, përse lektorët gjermanë në temat e tyre të komunikimit, ishin ndalur me ne shqiptarët një ditë të tërë, por tani jo me fëmijë, por me të rritur e deri tek deputetë, me një lojë të fëmijve në Korçë në vitet gjashtëdhjetë, edhe tani pas 40 vitesh, kur jemi në ekonominë e tregut e në pluralizëm?!Gjithsesi nuk e konsiderova të tepërt sidomos tani në këtë kohë të informimit eksponencial, por dhe të mos informimit, keq informimit, keq interpretimet etj.Megjithatë iu referova edhe njëherë tabelës,TREGUESIT FISKALË TË BUXHETIT TË KONSOLIDUAR 2023-2028, që shoqëron ,Relacionin mbi PROJEKTLIGJIN “PËR BUXHETIN E VITIT 2026”. Sipas tij kushdo mund të lexojë:

Tabela nr.1

Ecuria e shpenzimeve të sigurimeve shoqërore  sipas  draft buxhetit 2026
Emërtimi 2023 2024 Akti normativ  I 2925 2026 2027 2028
Shpenzimet e sigurimeve shoqërore gjithsej 170239 188,626 204878 215741 230891 247611
Shtesa ndaj vitit paraadhes 18387 16053 10863 15150 16720

Burimi: treguesit fiskalë të buxhetit të konsoliduar 2023-2028

Në trajtë grafike të dhënat e kësaj tabele paraqiten:

Grafiku Nr 1

Grafiku Nr 2

Në fakt si në grafikun nr 1 e 2, janë prezantuar të dhënat e tabelës nr 1 me burim tabelën,TREGUESIT FISKALË TË BUXHETIT TE KONSOLIDUAR 2023-2028.Sipas të dhënave të tabelës nr 1 si mund të shihet nga pamja e tyre në Grafikun nr 1 shpenzimet e sigurimeve shoqërore pësojnë një rritje nga një vit në tjetrin, nga një shtese prej 18837 milion lekë në vitin 2024 ndaj vitit paraardhës, në 16053 milion lekë në vitin aktual ndaj vitit 2024.

Në vitin e kaluar me nivelin e indeksimit me një nivel diçka më të lartë se sa inflacioni mesatar sipas shportës të mallrave e shërbimeve për pensionistët, dhe me rritjen e bonusit të fund vitit të kaluar, sejcili pensionist ndjeu se pensioni i tij kish pësuar jo vetëm rritje nominale, por edhe një rritje në terma realë krahasuar me vitin paraardhës. E njëjta gjë po vihet re gjatë vitit 2025. Kjo për faktin se sivjet  krahasuar me vitin 2024 u shtua bonusi i pranverës, ndërsa me miratimin e aktit të fundit normativ të buxhetit ndodhur disa ditë mëparë, u bë e mundur ligjërisht që edhe këtë fund viti të merret në dhjetor 2025 i njëjti bonus sa ai i vitit të kaluar. Në këto kushte përveç indeksimit të pensioneve që u bë më1 tetor, sejcili pensionist ka për të përfituar një rritje të pensionit, krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje sado modeste është bërë e mundur në sajë të rritjes të kënaqshme të treguesve ekonomike, fiskalë,  financiarë. Mjafton të thuhet se me ndryshimet e fundit në buxhetin e shtetit, të ardhurat e tij kanë pësuar rritje. Ndërkohë edhe si 9 mujor të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore kanë pësuar një rritje të mirëduke tejkaluar të ardhurat e parashikuara në plan, me një shtesë prej 12,7 miliard lekë krahasuar më periudhën përkatëse të vitit të kaluar ose me nje rritje prej 12.3%. Në këto kushte parashikohet që në fund të vitit shtesa e të ardhurave të sigurimeve shoqërore të mundësojë një shtesë prej 16053 milion lekë , krahasuar me vitin paradhës. Për këtë flet dhe ecuria e mirë e treguesve ekonomikë financiarë. krahasuar me vendet e Ballkanit.

P.sh. Rritja vjetore në %, në terma realë  e Produkti i Brendshëm Bruto , paraqitet  më e lartë se sa mesatarja  në Ballkan 3.7 % nga një  mesatare prej 3.2% vendet e Ballkanit

Balanca Korrente,  % të PBB, më e ulët-2.3% nga -7.1 % vendet e Ballkanit

 

Bilanci tregtar i mallrave (% të PBB) me njëmesatare  -7.1%  nga  -15.4 vendet e Ballkanit

 

Deficit fiskal -2.5%  nga një mesatare -2.6% vendet e Ballkanit

 

Mbi të gjitha tepërica e të ardhurave buxhetore  mbi shpenzimet korente, përbën  4.2% të PBB-së,,ose  rreth 2/3 e investimeve kapitale duke I bërë ato pa borxh , duke mundësuar nga njëra anë rritjen e investimeve për vitin 2026  me një rritje prej rreth 15.5 miliardë lekësh, duke ulur në të njëtën kohë borxhin publik në raport me PBB-në dhe duke mundësuar që pensionistët të marrin një pjesë të rritjes të kësaj të fundit jo vetëm për indeksim por edhe për rritjen e tyre.Pra hyhet në një fazë të re të rritjes ekonomike të konsolidimit fiskal që mundëson edhe rritjen e pensioneve.

Ndërkohë për vitin 2026, sipas të dhënave të tabelës dhe grafikëve të sipërpërmendur, parashikohet një shtese e shpenzimeve të sigurimeve shoqërore  vetëmprej 10 miliard e 863 milion lekë. Sipas Grafikut nr 2 shihet lehtë nga kushdo se kemi të bëjmë në fakt me shtesën dhe rritjen më të ultët të sigurimeve shoqërore krahasuar me vitin paradhës nga viti 2024 deri në vitin 2028. Natyrshëm lind edhe pyetja:- A mundëson kjo shumë një rritje të nivelit mesatar vjetor të pensionit për çdo pensionist? Në fakt duhet thënëjo.

Kjo për faktin se në kushtet e inflacionit të parashikuar kërkohet natyrshëm një shtesë e rritjes të shpenzimeve të sigurimeve shoqërore për ta kompensuar atë. Inflacioni mesatar vjetor është parashikuar 3%. Por në kushtet kur vitet e fundit ka rezultuar se inflacioni sipas shportës së mallrave dhe shërbimeve  për pensionistët  ka qenë më i lartë se ai i inflacionit mesatar,është e pritshme që ky nivel të jetë diçka me i lartë. Ndërkohë në vendin tonë kemi një shtesë neto të numurit të pensionistëve, që shkon në nivelin e rreth 2-3 %, . Pra vetëm për të përballuar inflacionin dhe rritjen e numurit të pensionistëve, duke mbetur në vend niveli reali pensioneve,është e domosdoshme që shpenzimet e sigurimeve shoqërore te rriten të paktën 5. 3 %. Në kushtet kur niveli i shpenzimeve gjithsej të sigurimeve shoqërore për vitin 2025 pritet të arrijë siç shihet nga të dhënat e Tabelës nr 1 dhe Grafikut nr 1, rreth 205 miliard lekë, shuma e parashikuar prej 215.7 miliard lekë në vitin 2026, ose shtesa prej 10.8 miliard lekë nuk mundëson rritje të pensioneve, por vetëm indeksim.Ja përse meraku I mikut tim nga Korça por dhe mjaft të tjerëve është real. I zoti e ka premtuar me fjalë por jo me shifra.

Por ndërkohë në kushtet e rritjes të pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë e përballimit të saj për 9 muajt e parë nga shteti edhe për sektorin privat, në kushtet e rritjes të pagës në sektorin publik për efekt të indeksiomit ose rritjeve të veçanta është parashikuar që të ardhurat nga kontributi i sigurimeve shoqërore të jetë rreth 20.2 miliard lekë, është e mundur që i Zoti të realizojë edhe një rritje të nivelit mesatar të pensioneve.

Por kjo kërkon një ndryshim të të dhënave në tabelën treguesit fiskalë të buxhetit të konsoliduar 2023-2028, duke rritur nivelin e shpenzimeve të sigurimeve shoqërore për vitin 2026 që të mundësojë rritjen e pensioneve e për rrjedhojë dhe vitet në vijim. Ky ndryshim është mëse i domosdoshëm për të ngjallur besimin e pensionistëve, por dhe një debat real luajal në parlament për reformën e pritshme të  pensioneve por dhe qëndrueshmërinë afatmesme dhe afatgjatë të rritjes ekonomike në vitet në vijim, për të garantuar rritjen e pensioneve edhe në kushtet e rritjes së numurit të tyre dhe pakësimit të popullsisë në moshë pune. Në këto kushte, kur edhe  gjatë dialogut të Kryeministrit me banorët e rajoneve të ndryshme të Tiranës, personalisht i kam kërkuar:-Ndryshoi në rritje shifrat e shpenzimeve të sigurimeve shoqërore në projekt- buxhetin e vitit 2026 z. Kryeministër. Ky ndryshim duhet bërë këtë javë, që debatet në komisionet parlamentare për projektbuxhetin e vitit 2026, të orientohen në atë se si do të jetë rritja e produktit të Brendshëm Bruto në vitet në vijim, që të mundësohet rritja e qëndrueshme ekonomike dhe për rrjedhojë rritja e qëndrueshme e premtuar e nivelit të pensioneve në vitet e tjera në vazhdim…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button