Pensionet, Klosi: Bankat t’u ofrojnë shërbimin të moshuarve
Në të gjithë vendin numërohen 620 mijë pensionistë dhe vetëm 17.500 prej tyre e tërheqin pensionin në bankë.
Për të shmagur radhët e gjata në postë, ministri i Çështjeve Sociale, Blendi Klosi u ka kërkuar përfaqësuesve të bankave të nivelit të dyte që ata të jenë zgjedhja e parë për të moshuarit, të cilëve u ofrohet ky shërbim.
“Ne nuk mund të pranojmë që sistemi bankar sot ka vetëm 3.4 përqind të gjithë numrit të pensionistëve tanë. Sot janë rreth 620 mijë pensionistë që përfitojnë në masën e tyre më të madhe janë në zonën urbane, që ka sistem bankar në çdo lagje dhe një numër shumë i madh i tyre janë në emigracion dhe akoma vazhdon problemi i vjetër që ka një shqetësim të përditshëm se kur vjen dita e pensionit”, deklaroi ministri Klosi.
Drejtorja e Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho tha se shërbimi përmes postës ka një kosto të lartë dhe nuk është shumë i përshtatshëm për të moshuarit, të cilët detyrohen të presin gjatë në radhë.