Pensionet, Veliaj-Hoffmann: Në verë përfundon marrëveshja me Gjermaninë
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj në një konferencë me ambasadorin e Gjermanisë Helmut Hoffman, bëri të ditur se ka përfunduar tashmë raundi i parë i negociatave me Gjermaninë për marrëveshjen e pensioneve.
Ndërsa falenderoi ambasadorin për mbështetjen, Veliaj tha se do të duhet edhe një raund tjetër për të arritur në firmosjen e kësaj marrëveshje, në verën e këtij viti.
“Sot patëm takim me një delegacion që ka qënë pjesë e përmbylljes së negociatave të pensioneve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Vetëm një javë pas vizitës së holmologut gjerman, ekipi erdhi ketu për të përmbyllur raundin e parë të negociatave, një pjesë e mirë e marrëveshjes. Ne e çmojmë shumë faktin se një marrveshje e tillë do ndihmonte më shumë shqiptarët që jetojnë në Gjermani, ky është një hap konkret. Ne jemi të ndërgjegjshëm që ky proces teknik ka nevojë për një raund tjetër negociatash, mendoj qe do jetë gati për marrëveshje në fund të verës”.
Ministri tha më tej se, “Po përgatisim hapjen e negociatave edhe me Italinë”.
Ndërsa, ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman theksoi se marrëveshja për mbrojtjen sociale është një investim për të ardhmen. Sipas ambasadorit, “Shqipëria ka prej disa kohësh statusin e vendit kandidat për në BE dhe në këto kushte ka ardhur momenti ku të mbërrijmë në marrëveshje të normalitetit midis dy vendeve tona. Këto marrëveshje është mirë të lidhen në të gjitha fushat dhe sot jemi duke folur për sigurinë sociale”.
Ambasadori Hoffman theksoi se rruga për të nisur një marrëdhënie punësimi në Gjermani nuk duhet të kalojë përmes aplikimit për azil. “Azili është rruga e gabuar”, theksoi Hoffman.