Për çfarë (patash) porti e keni ju fjalën?
Në romanin e tij të famshëm “Tre vetë në një barkë pa llogaritur qenin”, Zherom Zheromi në një episod, flet për dy nga shokët e tij, që kur vijnë në darkë, marrin vesh se ai që kish mbetur i vetëm, kishte luftuar tërë pasditen me ca pata që donin tu prishnin çadrën. Ai kishte luftuar si luan, kishte vrarë disa prej tyre, e të cilat nuk dihen se ku kishin vajtur për të vdekur…
E ndoqa diskutimin dje të Kryeministrit dhe deputetëve dhe më shumë se Konica emrin e të cilit mban portali im, mu kujtua Zherom Zheromi dhe patat e tij.
Po prisja të dëgjoja për portin e ri, e natyrisht jo atë të jahteve, pra portin e ri që do të shkonte në Porto Romano. Është i vetmi port real që i ka mbetur Shqipërisë, pra Durrësi. E natyrisht fakti që eksportet e saj janë mallrat të rënda, naftë çimento, gurë, ujë, krom etj, kërkon detyrimisht ta shikosh ekzistencën e portit si ekzistencën reale të Shqipërisë.
Natyrisht po prisja të dëgjoja më shumë se citimet e librit të njohur të Konicës, shpjegimin për portin e ri të mallrave. Po të ishte shpjeguar ai, diskutimi për portin e jahteve, besoj se nuk do të kishte asnjë rëndësi. Sapo të kishim port të ri, vendi i mbetur bosh mund të plotësohej me çfarëdo lloj gjëje ti binte në mend Kryeministrit apo Ministrave të tij, me lulishte, pallate, rrugë apo dhe port jahtesh, nëse duhesh një i tillë.
Pra thelbi është Porti i ri i Durrësit. Ku do jetë ai? Sa para bën zhvendosja e të vjetrit? Sa para bën ndërtimi i të riut? A do të jetë ky i riu më i thellë se i vjetri, tek i cili hyjnë deri sot vetëm anije me tonazh jo më shumë se 10-15 mijë tonë, se po të jenë më shumë, anija që bie mallin do ndalur larg prej tij, e malli i saj do vijë pjesë-pjesë se nuk mundemi ndryshe.
A mund të bashkëjetojë pjesa ushtarake, nëse Nato vjen vërtet me depozitat e naftës, pra depo e fishekëve me fuçitë e naftës? A është gati projekti i hekurudhës që do ta shpjerë mallin në tërë rajonin dmth Kosovë, Maqedoni, Serbi etj?
Vjen pastaj një pyetje prej gjysëm budallai. Çfarë “Porti i thatë” është ky në Kosovë, në thelb një magazinë e stërmadhe, qe një zot e di për çfarë duhet, kur nuk dihet se ku do vejë prej aty?
Ajo që duket se shqetëson para të gjithash, është se sa para kushton ky port i ri mallrash dhe sa transporti i të vjetrit?
Nëse u besojmë të thënave (mirë ishte ta dëgjonim nga goja e Kryeministrit), transporti i të vjetrit kushton rrotull nja një meleardë euro dhe i riu një meleardë tjetër.
Thua të ketë njeri në Shqipëri të besojë se po ti kishte qeveria kaq para, nuk do të reklamonte ndonjë gjë tjetër përveç këtij investimi që do të ishte më i madhi në historinë e saj?!
Qeveria që mburret dhe për një magazinë a shtëpi të re, zor të na e kishte lënë pa thënë këtë mrekulli investimi. Më të madhin në historinë e vendit.
Po me të drejtën e Perëndisë, ajo mund të na thoshte. Shikoni nuk kemi dy meleardë, por do ti gjejmë avash avash, duke shitur pallatet që do të ndërtojmë dhe me taksat e tyre, do të ndërtojmë portin e ri të mallrave që ka dhe ky aq merak.
Një shaka e tillë duket më e rëndë se ajo që tregohet për një ditëzi që gjeti në rrugë një patkua kali dhe pastaj tha; “Tani më duhen edhe tre patkonj, një kalë dhe një samar, pastaj do bëhem suvari…” Zot o zot ku u katandismë do të thoshte Faik Beu…
Po të ishte puna që do të bëheshin paratë me pallate këto mund ti bënin shqiptarët. Dhe do të ishin shumë më tepër para se sa këto pallate ti bënin e ti shisnin të tjerët. Po ndoshta paratë e pallateve janë në Shpellën e Ali Babait dhe duhet të kesh parrullën e tij për të thënë “Hapu Sezam”.
Zot o zot ku u katandismë do të thoshte prapë Faik Beu!
Kam shkruar ndoshta nja njëqind artikuj për këtë pikë për portet dhe për korridoret e do ti bie shkurt alla Faik Beu.
Faik Benë natyrisht për të cilin vetë më ke thënë që e njoh më mirë nga zotrote, më tha mbrëmë që të të flas me një gjuhë që natyrisht ti e njeh dhe e kupton më mirë nga unë..
Thuaj kryeministrit të marrë atë hartën e Shqipërisë, e do ta shohë se është si një zonjë e hollë e gjatë dhe e drobitur. Vëri një rrip i cili të kalojë nga mesi i saj, domethënë nga Durrësi e nga Vlora e të zërë Poradecnë. Se është bel i hollë beli i saj… Prej aty vendi lidhet më tërë botën. Po ta zëjë nga Vlora që ka thellësi më të madhe, nja tre herë më të madhe në Orikum se Portet më të mëdha të botës, apo i Roterdamit, do ti kushtonte ky rrip asnjë para. Mjaft të bënte një pikturë të lehtë me këtë port apo ndryshe një copë letër të mirë me karakteristikat e këtij porti, e tua jepte të huajve, do të shihte ca gjëra të vogla.
Pa hedhur asnjë para të vetme shqiptarësh, do ti binin në këmbë nga tërë anët e dheut, për ti afruar para për ti bërë rrugën, hekurudhat, a çfarë ti donte qejfi qeverisë së tij. Se porti, bën rrugët dhe e anasjellta nuk është e vërtetë.
Nuk do vinin ta kërkonin për nuse gjithë dynjaja afër, por edhe larg, shumë më larg. Gjermanët thonë, do të vinin jo vetëm nga India e Amerika, Kina e Japonia, por deri nga Afrika e Veriut ku vinë 500 milion njerëz e mallra.
Se nuk ka gjë që e zëvendëson Vlorën dhe pastaj Durrësin.
Po për të mos e zgjatur këtë punë. Romakët që e kishin bërë Rrugën e Egnatia si rrugën botërore, i kishin bërë portet duke u menduar gjatë ku ti bënin. Kishin pyetur dhe Plutarkun e madh që u thoshte se Vlora ishte porti më i madh i antikitetit.
Për atë meraknë që ke për turizmën, ndaj doni të blini samarn para gomarit, ta them unë. Turizmën nuk e bëjnë ndërtesat. E bën domatja, patatet e lopa me qumësht të mirë e fshatarit që i serviret bukur e mirë në pjatë turistit… E që blen dhjetëfish, kur e sheh ku e ka dhe si e ka mbjellë e rritur.
E pashë në ëndërr Faik Beun e i thashë;
Mos u mërzit Faik Bej. Ato që ndodhnë mbrëmë janë zakon tek ne dhe ti e di mirë. Besoj se janë ëndërra që nuk bëhen se nuk kanë para për ti bërë. Në shqipen e re dhe të vjetër i quajnë “Manovra në xunkth”.
Po gjithsesi do të përpiqem të shkruaj të them ato që ke shkruajtur për Zonjën tonë të hollë e të drobitur.
Mos bëj si Nanua që ju fut Shqipërisë nga fundi, Berisha nga qafa dhe as si ti që po i vjen nga anash. Përpiqu që Zonjës ti lidhni rripin e mesit. Bëje atë portin që e lidh Durrësin dhe Vlorën me Qafën e Thanës, se do të të bien në gjunjë të tjerët e të ti bëjnë e të japin edhe lekët që të duhen. Po në nuk e bën dot, atëhere lëre të qetë në hallet apo shenjtërinë e saj.
Mbyllur me Zherom Zheromin. Unë nuk shqetësohem shumë për çfarë u fol dje në parlament. Mu kujtua mjeshtri englez dhe pastaj referuar tij dhe unë thashë… Për çfarë patash flasin këta. Port nuk pash dhe nuk do ta shoh gjëkundi!