Kryeartikull

Për futbollin dhe demonë të tjerë

ulpiana-lamaNga Ulpiana Lama 

E kam gjetur veten duke artikuluar, “e urrej futbollin”. Pa sqaruar psetë. Anësi gjinore? Ekskluzivisht femërore? Me sa duket jo!

Në esenë “Esse Est Percipi” (Të jesh është të perceptohesh), Horhe Luis Borhes argumenton refuzimin e tij ndaj futbollit. Prej kohësh futbolli ka reshtur së qenë thjesht sport, ai ka hyrë në terrenin e spektaklit; futbolli është popullor sepse budallallëku është popullor; një manifestim estetikisht i shëmtuar; një nga krimet e rënda të Anglisë … këto janë veçse disa ekstrakte nga eseja e Borhesit. Problemin më serioz ai e sheh te kultura e tifozllëkut. Ajo lloj bindjeje e verbër që bëhet shtrati për diktaturat më mizore të shekullit XX.

***

Në studion e “Top Show”, pak ditë të shkuara, dëgjoj për binjakëzimin e Beratit në Shqipëri dhe Beratit në Francë. Një ngjarje interesante, më tepër për banorët e dy njësive administrative me të njëjtin emër. Përtej kureshtjes, çka më bëri përshtypje, ishte përsiatja e ideatorit të aktivitetit, një shqiptari suksesshëm në Francë, i cili propozonte lojën e regbisë në listën e aktiviteteve të përbashkëta. Pse? Në gjykimin e tij, për dallim nga futbolli që synon goditjen e portës së kundërshtarit, regbia është mbrojtje me gjoks, sipas një dialektike që të çon të pohosh përgjegjësinë, të përballesh me të, të kryesh një akt publik mbrojtjeje dhe përkatësie në komunitet. Duke lexuar më tej për historinë e regbisë, kupton se si sporti që ushtrohej fillimisht nga shtresa e lartë dhe e mesme në kohën e ngeshme, ka lënë pas një traditë të rëndësishme qytetarie, paçka popullarizimit: egërsia në fushë pasohet me një reflektim mbi jetën. Jashtëzakonisht interesante të mësoja se si në klubet e regbisë zhvillohen edhe diskutime mbi stoicizmin, budizmin, epikurizmin, etikën aristoteliane, e po aq moralin kristian.

Për t’u kthyer te prononcimi i industrialistit shqiptaro-francez, gjëja më interesante është pjesa e “tretë e lojës”: ajo pas përfundimit, kur të dyja palët, kundërshtare por assesi armike, si edhe mbështetësit respektivë, tubohen në një ceremoni feste, njohjeje dhe miqësimi.

***

Të martën mbrëma, miliona shqiptarë e serbë ndoqën frymë-pezull një lojë që vetëm lojë nuk ishte, pavarësisht pritshmërive optimiste të shumë prej nesh dhe tronditjes së shumë të tjerëve. Përtej opinioneve, faktet rreshtohen si vijon: Federate Shqiptare e Futbollit pranon kushtet e vëna, që do të thotë: ndalimin e sportdashësve shqiptarë dhe simboleve kombëtare në Beograd. Që këtu nis të përvijohet qartë dramaciteti i ngjarjes. Në një atmosferë të kontaminuar emocionesh nacionaliste, lojtarët shqiptarë shoqërohen nën masa të forta sigurie në fushë, u imponohet zëvendësimi i uniformës së gjithhershme kuqezi, u fishkëllehet himni kombëtar, fshikullohen verbalisht nën thirrjet “vritini, shk…jini shqiptarët, Kosova zemra e Serbisë”, në një stadium të mbushur me 32 mijë serbë që thithnin oksigjen e villnin urrejtje, lëndohen pa mëshirë nga kundërshtari apo indirekt nga objektet e ngurta të gjuajtura në fushë prej tifozerisë serbe, intimidohen me sinjale tymi e zjarri në fushë dhe lista vazhdon…

Djemtë u lanë aty, të vetëm, si gladiatorë antikë dorëzuar histerisë së një turme armiqësore, që dukej e aftë edhe t’i linçonte, në një agresion psikologjik e fizik të shëmtuar.

Helikopteri i telekomanduar me banderolën “Autochtonous”, një kolazh me tone patriotike i realizuar nga dikush, diku, një akt personal dhe i paqtë në thelb, ishte mënyra e vetme për t’i inkurajuar e thënë “nuk jeni vetëm, jemi me ju!”. Jo banderola, sesa mesazhi i solidaritetit që përcolli, entuziazmoi miliona shqiptarët. Ato 40 minuta i kompaktësuan rrufeshëm shqiptarët andej e këndej kufirit: të hutuar, qindra mijë telespektatorët e Shqipërisë i panë serbët të “zhvisheshin” nga krejt virtytet e supozuara të qytetarisë dhe mirësjelljes; për qindra mijëra telespektatorët në Kosovë ato ishin delikti, kapja në flagrancë, dëshmia e barbarisë serbe dhe luajtjes përsosmërish me standardet e dyfishta për gjatë kohë.

***

Federata Shqiptare na detyrohet një mea culpa. UEFA po ashtu. Për një ndeshje të kampionatit europian ata iu nënshtruan presionit për të miratuar ndalimin e sportdashësve dhe simboleve. Ne femrat e shohim futbollin si një lojë (mbase edhe pa kuptim) meshkujsh ngarkuar me adrenalinë e testosterone, që celebrojnë krenarinë dhe identitetin e tyre.

Federata Shqiptare, edhe UEFA, dështuan të vlerësojnë realisht kërcënimet, duke vënë në rrezik jetën e lojtarëve tanë. Ata lejuan të instrumentalizohen.

Një kërkim ndjese na detyrohet edhe soji i politikanëve serbë, me në krye Kryeministrin (jo) reformator, Vuçiç, që bënë pikërisht atë që kisha ortodokse serbe dhe politika në këtë vend orkestron prej shekujsh: zjarrvënie nacionaliste, duke manipuluar turmën dhe interpretimin e ngjarjeve. U kthehem mësimeve aristoteliane që i nxënë ende (tek-tuk) në klube regbie: kur premisa është e gabuar, gjithçka ngrihet mbi të është e gabuar! Ishte gabim pra që pranuam ndeshjen, nën kushtëzimet e vëna.

***

Por cilat ishin “frikërat” e palës pritëse, por jo mikpritëse?

Sipas tyre, sportdashësit shqiptarë provokojnë ndjenjat e tifozëve serbë. Sipas tyre, flamuri shqiptar provokon ndjenjat e tifozëve serbë. Sipas tyre, një banderolë me simbolet shqiptare provokon. Në fakt, sipas tyre, edhe ata 22 shqiptarë në fushë e pankina provokojnë. Ekzistenca e tyre provokon, ekzistenca jonë provokon. A presin t’u kërkojmë falje që ekzistojmë?! Që marrim frymë? A duhet t’u zotohemi se do zhbëhemi? A do të qetësoheshin paskëtaj? Çfarë demonstrimi më eksplicit se ky kërkon klasifikimi për racizëm?!

Në një diferencë prej 15 vjetësh nga eksodi dhe dhuna në Kosovë, ajo që pamë të martën mbrëma ishte racizëm – në rastin e Serbisë mund të thuhet pa drojën e teprimit edhe gjenocidi në gjendje të fjetur! Pak gjë, shumë pak gjë, fare-fare pak i lypset të zgjohet. Mbrëmjen e 14 tetorit një fjalë e vetme: autokton, vendali!

Na falni he burra që jemi këtu para jush! Që jemi autoktonë, vendalinj. Nuk e ndryshojmë dot këtë të dhënë historike. Për gjithçka tjetër jemi të gatshëm të bashkëpunojmë.

Mirëpo jo, pala tjetër nuk jep shenjë për kërkim faljeje. Këtë mundësi fillestare të bekuar për bashkëjetesë. Të pohosh një faj do të thotë ta njohësh për të tillë, të çlirohesh prej tij, të përmirësohesh, të bësh paqe.

***

Ndër zakonet e çlirimit nga energjitë negative, ka brendësuar edhe atë të mospërdorimit të fjalëve rënduese. Shqiptoj gjithnjë e më rrallë “urrej”. Vij me një artikulim alternativ sot: “Unë nuk e urrej futbollin. Përpiqem të kuptoj shoqërinë, përmes futbollit”. Asgjë më tepër se ajo shpërfaqje e së martës nuk do të zbulonte aq shkoqur gjendjen e rëndë e të sëmurë të nacionalizmit serb. E këtu i hedh sytë nga “regbia” si metaforë … e më mban shpresa se dikur, jo fort larg, do të ketë një pjesë të tretë-regbie, kësaj radhe në marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Tashmë, kjo varet pak ose aspak prej nesh…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button