Perdja e akullit ndan familjet amerikane nga kushërinjtë “rusë”
Dy ishuj në Ngushticën e Beringut, një rus dhe një amerikan, janë disa kilometra larg. Vetëm disa pika kontrolli ushtarake mbeten në ishullin rus, por një komunitet i eskimezëve jeton në atë amerikan. Pas Luftës së Ftohtë, ata shpresuan të vazhdojnë kontaktin e rregullt me të afërmit “rusë”, por tani mundësitë po zbehen.
Frances Ozenna bën me shenjë nga fotoja e vajzës së saj 19-vjeçare, Rebeka. “E shihni sa e zbehtë është? Kjo vjen prej anës sonë ruse. Nga stërgjyshi im. Ajo është e bukur, apo jo?”
Ozenna është drejtuese e një fisi eskimez nga ishulli Little Diomede (Diomeda e vogël) në kufirin perëndimor të Amerikës. Shtëpia e saj e vogël është ndërtuar ndanë një kodre, ndërsa dritarja e kuzhinës sheh ujërat ruse që janë vetëm 4 kilometra larg, në ishullin simotër, Big Diomede (Diomeda e madhe).
“E dimë se kemi të afërm atje”, thotë ajo. “Të vjetrit po vdesin dhe ne nuk dimë asgjë për njëri-tjetrin. Po e humbasim gjuhën tonë, ne flasim anglisht, ndërsa ata rusisht. Nuk është faji ynë. As i tyri. Por është thjesht e tmerrshme”.
Njerëzit nga ky rajon ende e shohin veten si një dhe kufirin si të panevojshëm. Kufiri u krijua fillimisht në vitin 1867 kur Amerika bleu Alaskën nga Rusia cariste në nevojë për para. Por askush nuk e vuri shumë re atëherë. Familjet jetonin në të dy ishujt dhe qarkullonin lirisht deri në vitin 1948 kur kufiri u mbyll papritur. Ushtria sovjetike u zhvendos në ishullin Big Diomede dhe civilët u dërguan me forcë në tokën siberiane.
“Nëse do të ribashkoheshim, kjo do të na sillte paqe”, thotë Ozenna. “Por unë nuk besoj se do të ndodhë”.
Të gjithë 80 banorët e këtij ishulli kanë lidhje diku në Rusi. Një çerekshekulli më parë, teksa Bashkimi Sovjetik po binte, pati një fije shprese se dy skajet do të takoheshin sërish.
Robert Soolook, një tjetër lider i fisit Diomede, mori pjesë në një ekspeditë që udhëtoi në provincën e bregut lindor siberian, Chukotka në kërkim të të afërmve të humbur.
“Me ski dhe qen slitash ne kërkuam 20-25 milje në ditë dhe shkuam në 16 fshatra”, kujton ajo. “Gjeta të afërmit nga ana e mamasë në tre fshatra dhe kushërirën e saj të preferuar, Ludën, ajo ishte në Uelen. Ishte shumë e veçantë. Isha sërish me familjen”.
Shtëpia e vogël e Soolook ndodhet në kodër, pranë shtëpisë së Ozenës. Nuk ka rrugë apo makina. Shtëpitë lidhen nga stepat dhe shtigjet.
Në mes të një muri dekoruar me foto të familjes, është njëra ku shfaqet nëna e tij, e cila vdiq në janar dhe ngjitur me të kushërira ruse, Tooloopa.
Mes librave të Soolook është edhe një për gjuhën ruse. Pranë palltove të tij, është edhe një kapotë e kuqe, të cilën ia ka dhënë një ushtar sovjetik. I dalë në pension nga ushtria, puna e tij aktuale është të vëzhgojë territorin rus për ndonjë aktivitet armiqësor.
“Shohim anijet e tyre nga këtu”, thotë ai. “Dhe helikopterët. Në anën veriore të ishullit rus ka një bazë ushtarake. Kur i afrohemi më shumë ishullit, ata dërgojnë një të shtënë paralajmëruese ose na thonë të largohemi”.
Përgjatë viteve, shpresat se marrëdhënia mes dy shteteve kufitare do të rregullohej dhe normalizohej, është zbehur. Përkundrazi, tensionet janë shtuar nga kriza në Ukrainë.
“Rusët kanë krijuar një komandë të re në Arktik. Ata po rihapin bazat e Luftës së Ftohtë këtu”, thotë kolonel Patrick Carpentier nga forca e përbashkët e SHBA-së dhe Kanadasë për kufirin.
Por krahasuar me kufirin rus me Bashkimin Europian, ky këtu është relativisht i qetë. Vetë kufiri nuk shënon ndonjë pikë shqetësimi nga aktivitetet që ndodhin këtu.
“Avionët rusë këtej fluturojnë në mënyrë profesionale”, thotë kolonel Charles Butler, një pilot për avionin ushtarak F-22 dhe komandant i forcave të përbashkëta. “Ata janë gjithnjë në anën e tyre të kufirit”. Kjo qetësi nuk dihet nëse do të vazhdojë, pasi vetë vendndodhja në Rrethin Arktik po zbulon me shkrirjen e akullit rezerva të reja nafte dhe gazi.
Për më tepër, planet infrastrukturore mund të krijojnë më shumë lidhje, pasi ekziston projekti i një tuneli të nëndheshëm që do të lidhë të dyja anët për t’i dhënë atyre akses në tregjet aziatike.
Por përveç këtyre, pak ka ndodhur për të ribashkuar njerëzit e këtyre ishujve me të afërmit e tyre rusë.
Teknikisht, fshatarëve u lejohet të udhëtojnë pa viza. Por ata kanë nevojë të marrin një leje të posaçme, sepse Chukotka, vendi ku jetojnë të afërmit e tyre, mbetet një zonë e kufizuar për arsye sigurie.
“Ky kufi po ndan familjet dhe po thyen zemrat tona”, thotë një vendas.
*Burimi: BBC.