Perëndesha e Nepalit: Jeta prej perëndeshe e vajzave të vogla të Nepalit
Samita Bajracharya është një vajzë 12-vjeçare nga Nepali, e cila jeton me familjen e saj, studion shumë dhe luan në një mandolinë të përshtatur sipas kulturës vendase. Por së fundmi ajo është përballur me një fluks njerëzish që besonin se vajza është një rimishërim i perëndeshës.
Në shtëpinë moderne të vajzës në Lalitpur, ndodhet një shenjë e kuqe ku shkruhet “Perëndesha e Gjallë”. Një shkallë e pjerrët të dërgon në katin e dytë, ku perëndesha kalon shumicën e fëmijërisë së saj. Ajo quhet si Kumari, që nënkupton “një vajzë e re dhe e pamartuar”.
Ajo është pagëzuar si nga hindutë, ashtu edhe nga budistët e Nepalit, që besojnë se vajza është një rimishërim i perëndeshës hindu, Durga.
Në Nepal ka disa Kumari. Si ndihet e ëma e vajzës, Samita, që e bija e saj është zgjedhur të jetë një Kumari? “U ndjeva edhe e lumtur edhe e trishtuar njëkohësisht”, thotë ajo. “Në njërën anë, u ndjeva e lumtur, sepse kur vajza jote bëhet një perëndeshë, të kesh një perëndeshë në shtëpi është diçka e mrekullueshme. Por unë u frikësova, sepse nuk isha e sigurt nëse do të isha në gjendje të ndiqja rregullat”.
Ekzistojnë shumë rregulla. Një prej tyre është që nëna e vajzës duhet t’i bëjë asaj makijazh të veçantë. Vajza nuk lejohet të dalë nga shtëpia përveçse për festivale. Në këto raste, këmbët e saj nuk duhet ta prekin tokën. Kjo nënkupton se dikush duhet ta mbajë në krah perëndeshën e re.
Për më tepër, Kumari nuk është e lejuar të flasë me ndonjë tjetër përveçse me familjen apo miqtë e ngushtë. E vetmja mënyrë për ta zbuluar sesi është jeta për një fëmijë perëndeshë, është të bisedohet me një ish-Kumari.
Chanira Bajracharya bie dakord për një intervistë. Ajo ka kaluar një dekadë duke u lutur dhe duke bekuar vizitorët në një dhomë të errët. Ajo e di shumë mirë anglishten, që tregon se e ka mësuar nga leximi i gazetave në kohën kur ishte Kumari.
“Kur isha një perëndeshë, shihja përmes vrimave të dritares”, – thotë Chanira. Ajo është tani një studente 19-vjeçare biznesi dhe duket si çdo vajzë tjetër moshatare me të. Ajo u bë një Kumari kur ishte vetëm pesë vjeçe.
Të jesh një perëndeshë, është njëlloj si të jesh një princeshë dhe i gjithë shërbimi të bëhet në shtëpi”, thotë ajo. “Nuk më mori kurrë malli për të dalë jashtë, por më pëlqeu të rrija në shtëpi dhe ta shijoja jetën time hyjnore”.
Kjo jetë hyjnore mori fund kur Chanira ishte 15 vjeçe, në ditën e parë kur vajzës i erdhën menstruacionet. Papritur ajo nuk ishte më një Kumari. Ajo rrëfen se shndërrimi i papritur ishte i vështirë. “Kur m’u desh të dilja nga shtëpia për herë të parë, nuk dija të ecja siç duhet”, kujton ajo. “Nëna dhe babai im, më mbanin nga duart dhe më mësuan të ec”.
Gjatë viteve të saj si Kumari, mësues privatë e mësonin në shtëpi. Papritur asaj iu desh të shkonte në shkollë si të gjithë fëmijët e tjerë. “Ishte një sfidë e madhe për mua”, thotë Chanira. “Shokët e klasës sime kishin frikë të më flisnin, sepse unë isha një ish-perëndeshë dhe më trajtonin pak më ndryshe. Ata shpesh më thoshin se unë isha një aliene.”
Besimtarët nuk i përuleshin më asaj dhe nuk ia preknin më këmbët si vite më parë. “E humba atë respekt”, thotë ajo. “Nuk e kisha imagjinuar kurrë se jeta ime do të ndryshonte kaq papritur”.
Sapo Chanira u bë një vajzë e pjekur seksualisht, priftërinjtë vendas zgjodhën një Kumari të re. Pasardhësja e saj, Samita, ishte mikesha e saj e ngushtë.
“Ajo e njeh jetën prej perëndeshe sepse ne ishim mikesha”, thotë Chanira. Jeta prej perëndeshe përfshin edhe detyra shtëpie. Gjërat kanë ndryshuar për perëndeshat e reja të Nepalit. Më parë ato rrinin brenda katër mureve, por tani ato duhet të jenë shumë më tepër se aq. Samita, perëndesha 12-vjeçare, shfaqet shumë e interesuar për jetën e jashtme, jo vetëm për Nepalin, por për të gjithë botën.