ParlamentarePolitika

CEZ; PD: Hetimi ndërkombëtar, e vetmja zgjidhje; Meta: Afera, operacion mafioz

Deputeti i PD, Eduard Halimi, duke folur në seancën parlamentare lidhur me aferën e CEZ, ka akuzuar mazhorancën se refuzoi shqyrtimin e ligjit për një hetim ndërkombëtar.

“Hetimi ndërkombëtar është e vetmja zgjidhje”, ka deklaruar Halimi.

Sipas tij, CEZ nuk zbatoi asnjë nga kushtet e nënshkruara me shtetin shqiptar, ndaj dhe duhet të mbante përgjegjësi për mospërmbushjen e kontratës.

“CEZ ishte në një padi nga shteti shqiptar, ku i kërkohej 1 miliard euro. Qeveria e fali dhe majde i dha 95 milionë euro të tjera”, ka thënë më tej Halimi.

Ai ka nënvizuar se, asnjë strategji mbrojtjeje apo procedurë, cilado qoftë kompania mbrojtëse, nuk mund të nisë një aksion ligjor pa marrë më parë miratimin e shtetit dhe për rrjedhojë edhe të kryeministrit.

“Të kërkohet një ekip prokurorësh të huaj, euro-amerikanë, për të hetuar tërë këtë aferë, ku janë të përfshirë krerët më të lartë të shtetit”, ka shtuar Halimi.

Ai është shprehur më tej se, përmes alibive absurde, mazhoranca po përpiqet të zvarrisë procesin.

Në të njëjtat linja edhe deputetja Jozefina Topalli dhe nënkryetari i PD, Edmond Spaho kanë akuzuar lidershipin e mazhorancës për pengimin e shqyrtimit dhe votimit të projektligjit për hetimin e huaj.

Topalli në veçanti e ka akuzuar kryeministrin Rama se i ka falur 600 milionë euro kompanisë çeke, “vetëm për të ruajtur karriken e tij”.

Ndërsa Spaho e ka cilësuar si të pamundur versionin se qeveria çeke kishte kërcënuar me vendosjen e vetos për marrjen e statusit të vendit kandidat.

“Nuk besoj se kjo marrëveshje ka shtyrë vendosjen e vetos. Parlamentit të Shqipërisë i duhet një sqarim dhe nëse kjo veto ka qenë e vërtetë, cili ka qenë qëndrimi i BE”, ka thënë Spaho.

Duke reaguar lidhur me çështjen, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta e ka cilësuar atë një “operacion mafioz” të orkestruar nga segmente të caktuara të politikës në bashkëpunim me media të caktuara.

“Jemi dëshmitarë të një operacioni mafioz, politik dhe financiar të fabrikuar nga politika në studiot e disa mediave. Çdo gjë ka qenë e studiuar mirë, por gjithë operacioni është i mjerë sepse bazohet në falsifikime”, ka deklaruar Meta.

Ai e ka cilësuar si “të papërgjegjshme” gazetaren e agjencisë së lajmeve BIRN që ka përmendur emrin e tij, ndërsa ka theksuar se, studioja ligjore në arbitrazh nuk e ka përmendur asnjëherë emrin e tij për asnjë transaksion.

“Nëse ju doni që ish-zv.kryeministri që përmendet të jem unë, atëherë më vjen keq për ju”, u ka thënë Meta deputetëve.

Ai i ka cilësuar si spekulime zërat se ka shkuar në Pragë për të negociuar kontraktimin e DIA-s, duke thënë se, “kam qenë në Pragë për kongresin e Partisë Socialiste Europiane”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button