Përfundojnë punimet në urën e Milotit, hapet për qarkullimin e automjeteve
Ura e Milotit, e cila iu nënshtrua një ndërhyrjeje riparuese në strukturën mbajtëse, është hapur sot për qarkullimin e mjeteve.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili inspektoi sot nga afër punimet e kryera, bëri të ditur se punimet kanë përfunduar dhe ura është tashmë plotësisht e kalueshme për automjetet.
Karakaçi theksoi gjithashtu se edhe Ura e Matit, që lidh Lezhën me Milotin, është e sigurt për qarkullim. Sipas tij, inxhinierët e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë kryer inspektimet përkatëse dhe kanë konfirmuar qëndrueshmërinë e saj.
Problemet strukturore në Urën e Milotit u konstatuan në korrik të vitit të kaluar. Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, hartoi projektin e riparimit, ndërsa punimet nisën në muajin nëntor.
Ura e Milotit ka një gjatësi prej 781 metrash.
/r.e/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.