Kryeartikull

Përgjimet, një “SHISH” në shpinë të qeverisë?

ANDREA STEFANI

Andrea StefaniPas daljes në media të një liste të përgjuarish nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), çështja më e debatuar është: a janë kryer përgjimet në përputhje me ligjin apo në dhunim të tij? Një debat që ka fituar edhe një nëntekst të fortë politik, jo vetëm se mes të përgjuarve janë politikanë të lartë si Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, kreu zyrtar i opozitës Lulzim Basha dhe një numër deputetësh, por edhe sepse debati integrohet automatikisht me përplasjen e madhe mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me institucionet “e pavarura”. Opozita këmbëngul se akuzat për përgjime të paligjshme që bëhen kundër SHISH, janë thjesht një pretekst i pushtetit në funksion të një strategjie për kapjen e shërbimit inteligjent, një strategji që mund të konkretizohet vetëm nëse shkarkohet Visho Ajazi, kreu i SHISH. Ndërkaq, shumica në pushtet këmbëngul se SHISH ka shkelur ligjin për përgjimet dhe se një gjë e tillë nuk do të kalojë pa u ndëshkuar. Kush ka të drejtë?

***

Investigimet e medias duket se po e thellojnë krizën lidhur me përgjimet. Çarja e parë e perdes së sekretit u bë në emisionin “Opinion”, ku publikut iu bë me dije edhe një listë e gjatë të përgjuarish. Por edhe më parë, ishte Sali Berisha që kish deklaruar se përgjime ka pasur. Por ndërkaq kish nxituar të shtonte se politikanë, deputetë nuk ishin përgjuar direkt por kishin rënë tërthorazi në përgjim ngaqë kishin biseduar nëpër celularë me elementë kriminalë, që ishin subjekte të përgjimit nga SHISH. Si edhe herë të tjera, Berisha nuk solli ndonjë provë për të argumentuar deklaratat e veta, që jo rrallëherë në këto 20 e kusur vjet, kanë rezultuar më në fund të rreme. Por, përsëri si në shumë raste të tjera me Berishën, deklarata synonte një përfitim politik të çastit dhe konkretisht, mbrojtjen e kreut të SHISH nga akuza për përgjime të paligjshme. Pra, Ajazi nuk ka përgjuar, por politikanët kanë rënë në “kurthin” e përgjimit, ngaqë janë të inkriminuar. Ky është pretendimi i Berishës dhe mbështetësve të tij. Po a e ka shkelur ligjin SHISH dhe bashkë me të edhe kreu i tij, edhe nëse politikanët nuk janë përgjuar por kanë rënë në përgjim?

***

Indicie që po shfaqen ditë pas dite, që nga momenti i shpërthimit të skandalit, po shtyjnë drejt konkluzionit se pikërisht ky është rasti. Në emisionin “Opinion” pati një debat lidhur me faktin nëse duhet të vazhdojë apo të ndërpritet përgjimi kur në të bie një deputet, një ministër, një kryeministër apo kryetari i Kuvendit. Pala berishiste iu përmbajt tezës se me heqjen e imunitetit që Kushtetuta u jepte deputetëve, përgjimi mund të vazhdojë. Kundërshtarët i përmbaheshin tezës se në një rast të tillë, përgjimi mund të vazhdojë, por SHISH duhet të njoftojë kryeministrin, nëse i rëni në përgjim është ministër dhe kreun e Kuvendit, nëse i rëni në përgjim është deputet. Por, për mungesë informacioni, nuk arritën të saktësojnë bazën ligjore të këtij rregulli. Tashmë mësojmë, nga një burim që nuk dëshiron të identifikohet, se baza ligjore që detyron SHISH të informojë në rastet përkatëse, Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, është Rregullorja e Brendshme e funksionimit të SHISH. Dhe nëse kjo është vërtet kështu, atëherë na rezulton se me t’u informuar që në përgjim kishin rënë deputetë, kreu i SHISH duhet të informonte menjëherë Kreun e Kuvendit, Ilir Meta, dhe për sa u përket ministrave, Kryeministrin Edi Rama. Po për rënien nën përgjim të Kryeministrit? Në mos jo vetë Kryeministrin duhet të informonte, të paktën, Kreun e Kuvendit, sepse Kryeministri është edhe deputet. Por këto janë interpretime të ligjit. Fakt është se Ajazi, për aq sa dimë deri më sot, nuk ka informuar askënd për përgjimet duke shkelur rregulloren e institucionit të tij që është pjesë e kuadrit ligjor. Pra, ka shkelur ligjin. Dhe nëse kjo konfirmohet, a duhet të jemi të qetë, siç na siguron Ilir Meta, se kush ka shkelur ligjin do të ndëshkohet?

***

Ndërkaq nuk mund të mos pyesësh: Po përse Berisha e ka kaq merak mbrojtjen e Ajazit edhe pse mund ta dijë fare mirë se ai ka shkelur ligjin, ndërsa ka bërë disa përgjime? Përgjigjja është e thjeshtë: sepse kreu i SHISH është një nga besnikët e tij. Ka qenë përherë në gjakimin e Berishës të vërë në krye të institucioneve të pavarura njerëz të tij. Në mandatin e dytë të qeverisjes së tij të dytë, Berisha arriti ta realizojë një gjë të tillë, përjashtuar Avokatin e Popullit. Dhe kukullat berishiste në krye të institucioneve “të pavarura” kanë vazhduar të punojnë jo për shtetin, por për Berishën, edhe pas kalimit të tij në opozitë. Prandaj, Berisha i mbron duke bërtitur kinse po sulmohen institucionet e pavarura. Rasti më i fundit i motivimit të SHISH në punën e vet, jo nga ligji dhe Kushtetuta por nga direktivat e ish-kryeministrit, qe ai i survejimit të krerëve të sapoemëruar të policisë. Më 9 tetor të vitit 2013, Berisha akuzoi publikisht Kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Tahiri, se kishin vënë në krye të policisë njerëz të inkriminuar. Vetëm rreth një muaj më vonë, ndërsa ky debat politik ishte ende në vijim, SHISH u dërgon një shkresë degëve të tij në të gjithë vendin, që të investigojnë të gjithë krerët e policive me tendencën për të zbuluar gjurmë të aktivitetit kriminal në veprimtarinë e tyre. Përputhja e axhendës së SHISH me atë të Berishës dhe PD në opozitë ishte perfekte! Rastësi? Vetëm për ata që nuk duan të pranojnë, pavarësisht fakteve pa fund, se Berisha është një autokrat i pandreqshëm, që edhe pse ka rënë nga pushteti, refuzon të dorëzojë institucionet e kapura të shtetit. Një autokrat në opozitë që tentoi ta keqpërdorë SHISH-in duke ia ngulur si shish (hell) nga prapa qeverisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button