Përkujtohen martirët e Gjakovës
Në gjashtëmbëdhjetë vjetorin e masakrës së ndodhur në Bashkësinë e Dytë Lokale, afër stacionit të autobusëve, nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Ramadan Hoti, së bashku me disa drejtorë të drejtorive, asamblistë dhe bashkëpunëtorë, sot në nderim të martirëve kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurora me lule në varrezat e martirëve të qytetit dhe në Kodër të Çabratit.
Në kujtim të të rënëve, nënkryetari i Komunës, Ramadan Hoti, ka theksuar se: “Kjo është dëshmia më e mirë se sa shtrenjtë këta qytetarë dhe ky popull e ka paguar lirinë e sotshme, pa gjakun e të cilëve nuk do kishim mundur të jetojmë të lirë dhe të gëzojmë të mirat e lirisë që gëzojmë”.
Me organizim të Bashkësisë së Dytë Lokale, do të ketë edhe aktivitete tjera që kujtojnë njërën prej masakrave më të mëdha ndaj civilëve të ndodhura në luftën e fundit në Kosovë.