Kronika

Përleshje në Drenovë, plagoset rëndë i burgosuri

burgu-i-drenoves-320x169Personazhi i njohur i krimit, Saleo Stojani, i përplas kokën në mur një të burgosuri për plagosje

Përleshja mes tre të dënuarve në Burgun e Drenovës ka sjellë plagosjen e rëndë të një prej tyre, i cili është dërguar në spital për shkak të plagës së marrë në kokë. Kjo është hera e dytë që ky burg i sigurisë së lartë vihet në vëmendjen e opinionit publik në harkun kohor të disa muajve, pas arratisjes së bujshme të katër të burgosurve, që ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar. Përleshja e djeshme ka ndodhur në kohën kur të burgosurit kishin orarin e ajrimit, ku i plagosur ka mbetur i paraburgosuri Dritan Lushka, i cili u dërgua në Tiranë për të marrë mjekim më të specializuar dhe më pas është rikthyer në ambientet e burgut.

Sipas të dhënave nga burgu i sigurisë së lartë, Dritan Lushka, mendohet se ka pasur mosmarrëveshje me dy të burgosur të tjerë që prej dy muajsh, kur ishte dërguar në këtë burg. Nga informacionet paraprake mësohet se ai ka pasur konflikt me të burgosurit Enea Shkoza dhe Saleo Stojani, ku ky i fundit, vite më parë ka qenë tmerri i kryeqytetit për vjedhje dhe grabitje, ndërkohë që ai hetohet edhe për vrasjen e një polici në Vlorë. Burimet nga burgu nuk dinë të sqarojnë motivin e konfliktit, por shprehen se në momentin që të tre të lartpërmendurit kanë dalë në ajrim, Shkoza dhe Stojani kanë goditur me grushte Lushkën, të cilit i kanë përplasur kokën në mur, duke i shkaktuar plagë të rënda. Menjëherë pas këtij konflikti mësohet se kanë ndërhyrë gardianët, duke neutralizuar të burgosurit dhe i kanë ofruar ndihmën e parë të plagosurit. Sipas të dhënave, dy autorët e këtij sulmi janë dërguar menjëherë në izolim dhe se kanë nisur hetimet për këtë ngjarje, ndërkohë që i plagosuri është dërguar fillimisht në spitalin rajonal të Korçës dhe më pas është nisur drejt Spitalit të Burgut në Tiranë për mjekim më të specializuar. Sipas të dhënave, Dritan Lushka, nga fshati Bishnicë i Pogradecit është arrestuar nga policia në fund të majit, pasi ishte shpallur në kërkim që më 7 mars të këtij viti. Gjykata e Korçës mësohet se ka dhënë “arrest me burg” për Lushkën, pasi dyshohet për veprën penale “vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas hetimit, ai dyshohet se më 28 shkurt të këtij viti, në fshatin Velçan të Pogradecit, ka qëlluar me armë zjarri në pjesën e shpinës 52-vjeçarin Florian. H pas një sherri për motive të dobëta.

Ndërkohë, i dyshuari kryesor për sulmin në burg mësohet se është Saleo Stojani, një emër i njohur nga policia që kur ai ishte 7-8 vjeç, pasi është konsideruar si tmerri i vjedhjeve në Tiranë. Ai e ka nisur aktivitetin e tij me vjedhje në autobusë, në xhepa, në banesa, në makina dhe tashmë rezulton se ai është pjesëtar në vrasjen e inspektorit të policisë së Vlorës, Roland Lika. Kjo ngjarja ka ndodhur në fund të vitit 2010 dhe zbardhja e krye disa muaj më vonë, ndërkohë që pas marrjes në pyetje, Stojani mori përsipër krimin e rëndë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button