Përqendrimi i sektorit bankar gjatë vitit të fundit paraqitet në rënie
Megjithatë, përqendrimi ka shënuar një rritje të lehtë për totalin e depozitave, që janë edhe burimi kryesor ku mbështetet ndërmjetësimi i sektorit bankar shqiptar. Pjesa e tre bankave më të mëdha në tregun e depozitave është rritur në 46.46%, nga 45.99% një vit më parë. Për dy bankat më të mëdha, kjo pjesë tregu është rritur në 33.89%, nga 33.76% që kishte qenë në fund të tremujorit të parë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, edhe indeksi HHI, që mat përqendrimin e tregut në total, ka pësuar një rënie të lehtë në 0.14, nga 0.15 që kishte qenë në marsin e vitit 2020. Indeksi ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Pragu poshtë të cilit një treg përgjithësisht pranohet si konkurrues është 0.15 (ose i shprehur ndryshe 1500).
Pas krizës, përqendrimi i tregut bankar ka shfaqur një tendencë në rënie, për aktivet, kreditë dhe depozitat. Në vecanti, kredia është tregu me nivelin më të ulët të përqendrimit dhe njëkohësisht me rënien më të madhe të këtij treguesi gjatë vitit të kaluar. Kjo i detyrohet sidomos konkurrencës në rritje nga bankat e mesme të sektorit, që në vitet e fundit po fitojnë më shumë pjesë tregu.
Megjithatë, përqendrimi i tregut është më i lartë në nivel të produkteve specifike. Një hetim i Autoritetit të Konkurrencës në tregun e shërbimeve dhe produkteve bankare, tregoi se tregjet me nivelin më të lartë të përqendrimit janë tregu i llogarisë rrjedhëse, tregu i kredisë konsumatore, tregu i kredisë kufi (overdraft), tregu i transfertave bankare hyrëse dhe tregu i transfertave bankare dalëse.
Pas vitit 2015, kriza nxiti një proces konsolidimi dhe përqendrimi të sektorit bankar në Shqipëri. Numri i bankave tregtare zbriti në 16 nga 12, pas shkrirjes së Veneto Banka me Intesa Sanpaolo, të NBG Bank me ABI Bank, të Bankës Ndërkombëtare Tregtare me Union Bank dhe daljes nga tregu të Bankës së Kreditit të Shqipërisë. Përqendrimi është një proces i zakonshëm në tregjet bankare në periudhat e krizave.
Ai ka si synim krijimin e bankave më të mëdha dhe më të forta financiarisht. Një numër më i vogël aktorësh mund të ndikojë në pakësimin e konkurrencës në treg, por, praktikisht, kjo nuk ndodh gjithmonë. Zakonisht, bankat që dalin nga tregu nuk janë më të gatshme për t’u zgjeruar dhe për të nxitur konkurrencën, ndërsa bankat më të mëdha që krijohen mund të jenë më solide dhe më të gatshme për të marrë përsipër rrezik