Opinion

Përse bota ka zbritur në sheshe

Ashtu si krizat e viteve tridhjetë e shtatëdhjetë të shekullit që kaloi, edhe kriza aktuale vë në dyshim funksionimin e kapitalizmit. Këto faza shpesh janë shumë të gjata dhe shoqërohen me periudha revolte. Në librin “Përmbytja”, historiani Adam Tooze shpjegon se ngjarjet e vitit 1929 ishin pika kulmore i një krize të kapitalizmit, që në të vërtetë kishte filluar gjatë Luftës së Parë Botërore, por që ishte shfaqur vetëm pas konfliktit. Po kështu, neoliberalizmi u imponua vetëm në vitet nëntëdhjetë, njëzet vjet pas fillimit të rënies së paradigmës së vjetër ekonomike.

Ushtria në rrugët e Santiagos në Kili, sheshi Urquinaona i Barcelonës në flakë, barrikadat në rrugët e Beirutit: bota duket se ka marrë flakë. Këto pamje të trazirave të dhunshme të ditëve të fundit nuk janë të izoluara. Ato u paraprinë nga skena të ngjashme në Ekuador, në Haiti (ku vazhdon kryengritja popullore), në Irak, në Egjipt, në Indonezi, në Hong Kong dhe në Kolumbi, për të mos përmendur lëvizjet e vitit të kaluar në Zimbabve, në Nikaragua, në Francë, Rumani dhe Serbi.

Sigurisht që këto ngjarje mund të shihen si rezultat i lëvizjeve lokale, të lindura nga situata specifike: varfëria në Haiti, militarizmi i së djathtës kiliane, dollarizimi i ekonomisë në Ekuador dhe Liban, refuzimi i qeverisë spanjolle për të pranuar ekzistencën e një çështje katalonase, apo aspiratat demokratike të të rinjve në Hong Kong. Eshtë një lexim i saktë, por ndoshta nuk është i mjaftueshëm. Lëvizjet lokale që luftojnë për demokracinë dhe për një shoqëri më të drejtë, kanë ekzistuar gjithmonë. Por situata është e veçantë, sepse protestat po shpërthejnë të gjitha njëkohësisht, dhe është e pashmangshme të imagjinohet që ato janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Lidhja mes tyre mund të pikaset në krizën ekonomike që goditi botën midis viteve 2007 dhe 2008. Kjo krizë – e cila filloi me falimentimin e bankës amerikane Lehman Brothers, më 15 shtator 2008 – pati pasoja më të thella sesa priren ta pranojnë ekspertët, dhe efektet e saj ndjehen edhe sot e kësaj dite. Nuk bëhet fjalë për një krizë të thjeshtë financiare: është kriza e neoliberalizmit, një model i menaxhimit të kapitalizmit, që bazohet në nënshtrimin e shtetit ndaj kapitalit, në financimin e ekonomisë dhe në tregtarizimin e shoqërisë.

Ashtu si krizat e viteve tridhjetë e shtatëdhjetë të shekullit që kaloi, edhe kriza aktuale vë në dyshim funksionimin e kapitalizmit. Këto faza shpesh janë shumë të gjata dhe shoqërohen me periudha revolte. Në librin “Përmbytja”, historiani Adam Tooze shpjegon se ngjarjet e vitit 1929 ishin pika kulmore i një krize të kapitalizmit, që në të vërtetë kishte filluar gjatë Luftës së Parë Botërore, por që ishte shfaqur vetëm pas konfliktit. Po kështu, neoliberalizmi u imponua vetëm në vitet nëntëdhjetë, njëzet vjet pas fillimit të rënies së paradigmës së vjetër ekonomike.

Krizë e thellë

Sot po përballemi me një krizë të gjatë, e cila është bërë edhe më serioze dhe e thellë, nga fakti që sistemi neoliberal po lufton për të mbijetuar. Dhe kjo luftë po e çon botën drejt humnerës. Eshtë e vërtetë që neoliberalizmi ka mbijetuar nga tronditja e vitit 2008 dhe është rikthyer duke propozuar zgjidhje për botën – të tilla si masat shtrënguese të kursimit dhe “reformat strukturore” – të cilat synojnë të shkatërrojnë sistemet e mbrojtjes së punëtorëve dhe kategorive më të dobëta. Megjithatë, në një përpjekje për të mbetur dominues, ai e bëri edhe më të dukshme rënien e vet.

Kjo tendencë u manifestua para së gjithash në formën e një rendje përpara, drejt rritjes ekonomike, e nxitur mbi të gjitha nga Kina, dhe ankthi i saj për të vazhduar nxitjen e kërkesës perëndimore, e cila është thelbësore për sistemin e vet ekonomik. Kjo rendje përpara ka shkaktuar një mbiprodhim industrial, i cili ka përkeqësuar në mënyrë dramatike krizën e klimës. Disa të dhëna janë të mjaftueshme për të krijuar një ide: në dy vjet, Kina prodhon më shumë çelik sesa ai i prodhuar në 150 vjet nga Mbretëria e Bashkuar, dhe më shumë çimento sesa ajo e prodhuar nga Shtetet e Bashkuara, përgjatë gjithë shekullit XX. Kjo strategji ka dështuar sepse ka përfunduar duke dëmtuar vendet në zhvillim që furnizojnë Kinën, të tilla si Brazili, Argjentina, Ekuadori dhe Venezuela. Qeveritë e këtyre vendeve nuk mund të mbështeteshin më në eksportin e lëndëve të para, dhe u desh të përshtatnin politikat e tyre.

Faktori tjetër që ka shpëtuar neoliberalizmin, ka qenë një politikë monetare e cila ka bllokuar çdo formë të stimulit fiskal në vendet perëndimore, dhe që në realitet ka ndihmuar vetëm sektorin financiar dhe kompanitë e mëdha shumëkombëshe. Ky plan shpëtimi për neoliberalizmin ka dështuar. Ekonomia botërore nuk është rikthyer tek rritja dhe produktiviteti është në nivele të ulëta historike, pavarësisht revolucionit teknologjik. Sektori privat investon shumë pak, dhe shpesh e bën si mos më keq. Prej disa muajsh, ekonomia globale ka hyrë në një fazë të re të ngadalësimit.

Pabarazitë e brendshme

Përsëri, qeveritë po përpiqen të shmangin recesionin duke ndihmuar të pasurit dhe bizneset, dhe kjo rrit më tej pabarazitë. Sipas kësaj logjike, në fakt, sa herë që nevojitet një rregullim, kërkohet gjithnjë e më shumë përpjekje e përshtatje nga ata që tashmë jetojnë në kushte të vështira: vendoset një taksë për përdorimin e ËhatsApp për telefonatat përmes Internetit në Liban; subvencionet e karburantit shfuqizohen në Ekuador ose Haiti; çmimi i transportit publik rritet, siç ndodhi në Kili. Të gjitha këto masa e bëjnë më të vështirë për qytetarët, që të punojnë dhe të fitojnë një pagë.

Në të gjitha vendet, pabarazitë bëhen më të thella. Ky është përfundimi i arritur nga ekonomisti Branko Milanović, i cili në librin “Padrejtësia Globale” (Luiss University Press 2017) parashikoi një rikthim në luftën e klasave. Tani e dimë se kishte të drejtë.

Për një kohë të gjatë menduam se kritika ndaj neoliberalizmit ishte një “privilegj i të pasurve”, e rezervuar për vendet më të industrializuara, të cilat nuk i kuptuan avantazhet që solli ky sistem në pjesën tjetër të botës. Nga një këndvështrim, rritja e pabarazive ishte çmimi që duhej paguar për rritjen ekonomike dhe zhvillimin, dhe duhej pranuar, me qëllim që popullsitë e vendeve në zhvillim të mund të shpëtonin nga varfëria.

Por sot kjo tezë nuk funksionon më, sepse protesta fillon pikërisht nga vendet në zhvillim. Shenjat e para erdhën në vitin 2013 në Brazil, menjëherë pas përmbysjes së tendencës në tregun e lëndëve të para, me një mobilizim të paparë kundër përpjekjes së Dilma Rousseff për të rritur koston e transportit publik. Ajo valë është përhapur dhe sot prek vendet që, ashtu si në rastin e Kilit, janë prezantuar prej kohësh nga institucionet ndërkombëtare, si shembuj të suksesit dhe stabilitetit.

Në këto vende, shtytja përpara prej neoliberalizmit është ezauruar; me nevojën e vet për rritje të vazhdueshme ekonomike dhe konkurrencë, ky model përfundoi në një rrugë qorre: nëse rritja ekonomike ngadalësohet, dalin në dritë pabarazitë, ndërsa përmirësimet në standardet e jetesës, që janë arritur në të kaluarën ulin konkurrencën, e gjitha në kontekstin e krizës së tregtisë botërore. Masat që kërkoheshin më parë, tashmë na kanë bërë të kuptojmë se afrimi i standardeve të jetesës midis vendeve të pasura dhe atyre në zhvillim, premtimi i madh i neoliberalizmit, është një mirazh. Një zgjidhje e vetme u propozohet popujve të atyre vendeve: një varfërim i ri.

Por e gjithë kjo nuk ka rëndësi për neoliberalizmin. E bllokuar në logjikën e vet të rritjes, kapet pas teorive – siç është teorema e Coases dhe kurba Laffer – sipas të cilave, problemi i shpërndarjes së pasurisë duhet të ndahet nga realiteti ekonomik. Dhe mund ta bëjë, falë edhe një tjetër prej tipareve të tij themelore: “kufizimit” të demokracisë, domethënë ideja që çështjet ekonomike nuk mund të varen nga zgjedhjet demokratike dhe duhet të mbrohen nga humori i qytetarëve apo, nëse citojmë presidentin francez Emmanuel Macron, nga “pasionet e trishtueshme”. Por sot, përballë rritjes së pabarazive dhe problemeve të paraqitura nga ngrohja globale, kjo ndarje nuk ka më kuptim. Pas pesëdhjetë viteve demokraci të mbikëqyrur, njerëzit kërkojnë që të merren parasysh nevojat e tyre, dhe jo ato të tregjeve apo investitorëve.

E vetmja zgjidhje e mbetur

Kriza e tanishme e neoliberalizmit ka tre fytyra: ekologjike, sociale dhe demokratike. Sistemi aktual ekonomik nuk është në gjendje t’i adresojë ato. Propozon t’i përgjigjet urgjencës së klimës përmes tregjeve dhe duke zvogëluar konsumin e më të dobëtve. Për krizën sociale dhe demokratike reagon me indiferentizëm, duke e ditur që për t’iu përkushtuar këtyre problemeve, do të ishte e nevojshme të ndryshohej në themel paradigma ekonomike.

Investimi në klimë do të kërkonte që investimet të orientohen ndryshe. Ekonomia nuk duhet të mbështetet më në rritjen e nxitur nga pasuritë e paluajtshme dhe flluskat financiare, dhe i gjithë sistemi monetar duhet të vihet në dyshim. Eshtë pikërisht ajo që bie në sy në marrëveshjen e re të klimës, të propozuar nga e majta në Shtetet e Bashkuara dhe që tremb aq shumë ekonomistët neoliberalë. Nëse burimet do të mund të rishpërndaheshin në dëm të më të pasurve, klasave më të varfra do t’u jepeshin mjetet për të jetuar më mirë, pa shkatërruar planetin. Për më tepër, duke iu afruar proceseve vendimmarrëse, qytetarët mund të kontrollojnë që politikanët të mos u sjellin avantazhe vetëm më të pasurve dhe kapitalit, por të veprojnë në interesin kolektiv. Eshtë ajo që neoliberalizmi e ka hedhur poshtë gjithmonë: aftësia e demokracisë për të “ndryshuar situatën ekonomike”. Dhe kjo është ajo që na duhet sot.

Me fjalë të tjera, vendosja e çështjes sociale në qendër të debatit sot, do të thotë që të parashtrohet domosdoshmërisht një çështje demokratike dhe ekologjike. Por duke qenë se ky ndryshim është refuzuar fuqimisht nga neoliberalizmi dhe nga shtetet që i janë përulur logjikës së tij, e vetmja mundësi që mbetet është mobilizimi në rrugë. Prioritetet mund të ndryshojnë sipas vendeve, por kudo sistemi neoliberal vihet në pikëpyetje.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale më 19 tetor, policët spanjollë shihen duke ndjekur indipendentistët katalanas në rrugët e Barcelonës. Në një mur lexohet mbishkrimi “Això és llutta de classe”, “kjo është një luftë klasash”. Pas çështjes kombëtare të katalanasve, gjithmonë ka pasur kërkesë për një shoqëri më të drejtë dhe më pak të pabarabartë. Kur godet represioni, këto raste vihen në plan të parë. Dëshira për të rimarrë kontrollin demokratik në Katalonjë reflektohet edhe në përparësitë sociale dhe ekologjike (Raül Romeva, një nga politikanët e dënuar nga gjykata supreme spanjolle, ishte një deputet ekologjist, para se të hynte në lëvizjen e pavarësisë).

Në Francë lëvizja e jelekëve të verdhë nuk ishte thjesht një “revoltë fiskale”. Vendimi i qeverisë për heqjen e taksës së karburantit nuk e ka zbutur lëvizjen, e cila tashmë ka vënë në dyshim funksionimin e demokracisë dhe politikat kundër rishpërndarjes së të ardhurave, të promovuara nga qeveria. Jelekëverdhët madje u janë bashkuar lëvizjeve ekologjike.

Diçka e ngjashme ka ndodhur në Ekuador: lufta kundër dhënies fund të subvencioneve të karburantit ka nxjerrë në pah madhësinë e pabarazive që prekin popullsinë vendase, e cila për vite me radhë ka qenë në revoltë kundër shfrytëzimit të burimeve. Në Liban, ku shtatë persona kanë një pasuri sa çereku i PBB-së, refuzimi i një plani reformash që përfshinte taksa për më të varfërit dhe privatizimet, shkoi paralelisht me protestën kundër qeverisë, një shprehje e partive kryesore në vend. Kjo lidhje midis lëvizjes shoqërore dhe demokratizimit është e dukshme edhe në Kili. Në Hong Kong, protesta demokratike kundër regjimit kinez, i cili përpiqet në çdo mënyrë të fshehë krizën e modelit të vet ekonomik, ka marrë një dimension të qartë social.

Dhe jemi vetëm në fillim. Nuk ka asnjë arsye për të imagjinuar se kriza e neoliberalizmit do të zgjidhet shpejt. Presionet sociale do të shoqërohen me katastrofa klimatike, siç janë ato që kanë goditur Karaibet për disa vite, të cilat nga ana tjetër do të përkeqësojnë më tej kushtet sociale. Shtetet duken plotësisht të paafta për të gjetur zgjidhje të ndryshme nga ato të ofruara nga manuali neoliberal. Eshtë e vërtetë që në Ekuador ose në Liban, protestuesit arritën që të tërhiqeshin propozimet ligjore që ata kundërshtuan. Por këto fitore janë të brishta dhe, siç kemi parë, ato nuk i zgjidhin problemet themelore, si dhe nuk i përgjigjen nevojës për më shumë demokraci.

Ekologjike dhe demokratike

Përballë këtij konflikti të përhershëm, neoliberalizmi mund të bëhet më i vështirë dhe të fshihet prapa “dhunës së ligjshme” të shtetit. Ashtu si Macron në Francë, i cili justifikon të gjitha llojet e dhunës nga ana e policisë, apo Pedro Sánchez në Spanjë, i cili vizitoi policët e plagosur në Barcelonë në 21 tetor, por jo protestuesit. Ose ashtu si presidenti kilian Sebastián Piñera, i cili i foli kombit nën vështrimet e ushtarakëve, tamam siç bëri dikur diktatori Augusto Pinochet. Për protestuesit ai tha: “Jemi në luftë”. Lufta sociale bëhet kështu një luftë botërore dhe përfshin neoliberalizmin dhe mbështetësit e tij, kundër kundërshtarëve të vet.

Përballë agresivitetit të kësaj lufte dhe paaftësisë së politikanëve për të kaluar përtej mendimit ekonomik dominues, do të shohim një konvergjencë midis neoliberalizmit, që është mbrojtja e interesave shtetërore të kapitalit, dhe lëvizjeve neo-fashiste dhe nacionaliste, siç po ndodh tashmë në vendet e Evropës Lindore, në vendet anglishtfolëse dhe në Indi ose Kinë. Nevoja për stabilitet mund të plotësohet vetëm me një militarizim të shoqërisë, që do të shoqërojë tregtarizimin e saj. Neoliberalizmi ka dëshmuar se nuk është i pajtueshëm me një evolucion të tillë: laboratori i tij ishte pikërisht Kili i Pinochetit, një vend i mbyllur ndaj lirive, por i hapur për kapitalin e huaj. Ky kthim i historisë mund të jetë një ogur i keq që kërkon një reflektim urgjent në ndërtimin e një alternative sociale, ekologjike dhe demokratike.

Romaric Godin është gazetar francez, autor i librit “Lufta sociale në Francë” / Mediapart – Bota.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button