Përse duhet t’u mësojmë fëmijëve filozofinë sa më herët?
Ne dëgjojmë shumë ide rreth gjërave që fëmijët duhet të mësojnë. Në periudhën aktuale jemi të përqendruar tek afrimi i fëmijëve me shkencat kompjuterike. Por ekspertët argumentojnë se ka një problem edhe më imediat që shkollat duhet të zgjidhin.
Steve Neumann, një shkrimtar dhe filozof, argumenton idenë e tij për mësimet që duhet t’u japim fëmijëve. Artikulli i tij është shfaqur në disa prej gazetave më prestigjioze shkencore.
Opinioni
Ideja që nxënësit në shkolla duhet të bëhen filozofë do të përqeshet njëlloj nga bordet e shkollave, mësuesit, prindërit dhe filozofët. Të fundit do të vënë në pikëpyetje faktin nëse fëmijët mund të bëjnë filozofi, ndërsa fëmijët do të njihen thjesht përciptazi me të e më pas me siguri do të arrijnë në konkluzionin se është shumë e panevojshme.
E vërteta është se asgjë nuk mund të jetë më e rëndësishme për mirëqenien në të ardhmen e fëmijëve tanë dhe shoqërisë sesa t’u mësojmë atyre si të bëhen filozofë.
Nuk e kam fjalën që t’u mësojmë fëmijëve filozofinë ashtu siç ata e hasin në kolegj. Adoleshentët nuk kanë përse të zhyten në teorinë e Platonit për format apo imperativin kategorik të Kantit. (Ky lloj studimi është gjithashtu i vlefshëm dhe duhet të përfshihet diku në arsimin sekondar, por ky mund të argumentohet një ditë tjetër). Lloji i filozofisë që unë kam në mendje ndihmon fëmijët të bëhen qytetarë më të mirë, duke e kthyer klasën në atë që filozofi Xhon Diuej e quajti “shoqëria embrionike”.
Për të parë përse kjo është e rëndësishme mjafton të shohim gjendjen aktuale të shoqërive të mëdha, për shembull shoqërinë amerikane të përfshirë nga cikli zgjedhor presidencial ku po diskutohen ashpër çështje si racizmi, pabarazia ekonomike, armët, terrorizmi i brendshëm dhe i jashtëm dhe ndryshimi ekonomik. Studimet kanë zbuluar se antipatia e zgjedhësve të dy partive kryesore, republikanëve dhe demokratëve, ka arritur kulmin në këto dy dekadat e fundit. Kjo shihet si në politikë, edhe në jetën e përditshme.
Unë mendoj se shumë prej nesh e kuptojnë që shoqëria është një kompromis i nevojshëm dhe mendimi kritik dhe komunikimi efektiv është tepër i nevojshëm për suksesin e shoqërisë.
“Është më e lehtë të krijosh fëmijë të fortë sesa të riparosh një njeri të thyer”, siç tha dikur Frederick Douglass në një kontekst tjetër. Në këtë kuptim, është thelbësore që fëmijët tanë të bëhen filozofë.
Kur njerëzit dëgjojnë fjalën “filozofi” për herë të parë ata mund të mendojnë për një grup parimesh udhëzuese ose për pikëpamjen e përgjithshme të botës. Këtë lloj filozofie që ata mendojnë, mund ta kenë njerëz që priren drejt një synimi, si për shembull futbollistë, apo këngëtarët që krijojnë një mënyrë jetese. Por një filozofi akademike është disiplina e shkencave humane që lidhet me qartësimin dhe analizimin e koncepteve dhe argumenteve në marrëdhënie me pyetjet e mëdha të jetës.
Fokusi është të ngrihen pyetjet, sepse siç ka thënë dhe Sokrati, filozofia fillon me hamendësimin. Ne jo vetëm që ngremë pyetje për veten, por edhe të tjerët, ata që përbëjnë shoqërinë tonë. Është e vërtetë që filozofia përfshin shumë qëndrimin statik dhe mendimin, por siç ka thënë dhe filozofi modern amerikan Matthew Lipman: “Filozofia fillon në hamendësim dhe kalon në kuptim ose në disa raste edhe në dituri, por përgjatë kësaj rruge përfshin edhe shumë aktivitet të zellshëm. Ky aktivitet zakonisht merr formën e dialogut”.
Dialogu është kyç sepse vetëm atëherë supozimet, arsyetimi dhe konkluzionet tona sfidohen. Vetëm atëherë mund të bëhemi mendimtarë më të mirë. Dhe në këtë proces të bërjes mendimtarë më të mirë përmes dialogut intelektual rigoroz, fëmijët tanë do të bëhen qytetarë më të mirë.
Ndërsa u mësonte filozofi studentëve në Universitetin Kolumbia në vitet 1960, Lipman pa se studentët e tij kishin pasionin për të ndryshuar botën, por nuk kishin aftësinë për të arsyetuar me mençuri dhe për të ushtuar logjikimin e thellë. Ai kuptoi gjithashtu se kolegji ishte paksa si vonë për të mësuar si duhet të mendosh siç duhet, ndaj krijoi lëvizjen Filozofia për fëmijët, njohur si P4C.
Në fillim të viteve 1980, rezultatet e programit të ri të Lipman ishin premtuese dhe tregonin se fëmijët e morën filozofinë me zell. Për herë të parë, pati një provë se fëmijët mund të bëhen filozofë, në një mënyrë të caktuar. Fëmijët, në fakt, kanë lindur filozofë, siç arsyetoi Stephen Law. Lipman vëzhgoi në esenë e tij: “Ata që përfshihen në dialog filozofik rreth çështjeve të filozofisë, edhe pse nuk performojnë me saktësinë e specialistëve, po bëjnë filozofi. Edhe pse janë shumë, shumë të rinj, për sa kohë performanca e tyre shkon konform rregullave ose praktikave standarde të disiplinës, ata po filozofojnë.
Edhe filozofë të tjerë pas Lipmanit e kanë trajtuar nevojën e pedagogjisë së filozofisë te fëmijët, por prioriteti ka mbetur gjithnjë te dialogu. Sipas këtij modeli, fëmijët kalojnë sipas një modeli filozofik ku mësojnë në praktikë. Është puna e mësuesit t’i udhëzojë dhe t’i informojë nxënësit, duke i ndihmuar të jenë të vëmendshëm dhe të arrijnë cilësi në arsyetimin e tyre, duke u siguruar se do të arrijnë barazi dhe respekt të përbashkët.
Përmes edukimit të filozofisë te fëmijët, është e mundur të arrihet një qasje më premtuese dhe më e qëndrueshme ndaj mënyrës së jetesës në një shoqëri pluraliste. Nëse nuk arrijmë t’i kthejmë fëmijët e shkollës fillore në Sokratë, fëmijët tanë mund të vazhdojnë të jenë ekspertë në fitimin e mjeteve të jetesës, por ata do të jenë të paaftë të krijojnë një shoqëri civile.
*Burimi: Washington Post