Përse është rregulli i fikjes së celularëve në avion?
Të gjithë ata që kanë udhëtuar me avion e dinë rregullin e famshëm të fikjes apo çaktivizimit të valëve të celularit. Por pilotët rrëfejnë se çfarë pasojash ka një celular i ndezur në kabinën e pilotit
Pasagjerëve të linjave ajrore u kërkohet në mënyrë të përsëritur që t’i kalojnë celularët në gjendjen e fluturimit kur janë në avion, por çfarë ndodh nëse ata nuk i binden këtij rregulli?
Besohet se sinjali i një celulari mund të interferojë me sisteme të rëndësishme elektrike dhe telekomunikacioni në kabinën e pilotit, por është e mundur që të shkaktojë një përplasje të avionit?
Zbuloni se çfarë ndodh kur pasagjerët apo vetë ekuipazhi nuk i fik celularët gjatë një fluturimi.
Disa pasagjerë besojnë se pajisja teknologjike e dikujt, si për shembull celulari apo tableti, duhet të fiket, përndryshe avioni rrëzohet. Megjithatë, nuk ka prova që sinjalet nga pajisjet teknologjike të pasagjerëve të kenë shkaktuar ndonjë rast të njohur të keqfunksionimit apo përplasjes së një avioni. Ekspertët thonë se teknologjia moderne është e sigurt dhe e besueshme.
Nëse në ndonjë rast, një celular nuk kalohet në gjendjen e fluturimit që bllokon të gjitha sinjalet, kjo mund të irritojë pilotët dhe kontrolluesit e trafikut ajror, pasi lëshohet një tingull i pakëndshëm.
Kjo lloj zhurme mund të dëgjohet në rast se një celular është afër dhe ndodh për shkak të valëve të forta të pajisjes. Në një postim, një pilot shkruan se celularët që transmetojnë valë mund dhe në fakt shkaktojnë një interferencë valësh me radiot e avionit, por kjo ndodh rrallë.
Piloti shtoi “i keni dëgjuar edhe vetë këto interferenca kur një celular është pranë një altoparlanti”. Ka një zhurmë të tipit “dit-dit-dit” dhe është mjaft acaruese, thotë piloti.
Ai shkroi se kjo nuk ndodh gjithnjë kur qëndron ndezur një celular dhe shpjegoi se ai kryente deri në 50 udhëtime në muaj dhe e dëgjonte këtë gjë një ose dy herë.
Rreziku i interferimit është pakësuar në mënyrë drastike për shkak të teknologjisë moderne. Piloti pranoi se interferenca është zakonisht nga celularët e ekuipazhit që mund të kenë harruar ta fikin, ngaqë pilotët dhe stjuardesat janë më afër me radiot.
Nëse ka ndonjë interferencë të vazhdueshme nga celularët, kjo mund të shkaktojë që ekuipazhi i fluturimit të mos marrë një telefonatë të rëndësishme në radio nga kulla e kontrollit ajror. Piloti shkroi se kjo kishte ndodhur së fundmi kur një pasagjer kishte tentuar të dërgonte mesazhe nga celulari. Interferenca ndaloi kur pasagjerit iu kërkua ta kthente celularin në gjendje fluturimi.
Ndërsa shumica e fluturimeve i kanë të ndaluara telefonatat dhe mesazhet gjatë kohës që avioni është në lëvizje, disa linja ajrore ndërkombëtare i kanë pajisur avionët me stacione bazë të telekomunikimit që operojnë me fuqi shumë të ulët.
Këto sisteme të projektuara posaçërisht nuk interferojnë me komunikimin e ekuipazhit.
Përse nuk mund të bëni telefonata në avion?
Shumica e linjave të fluturimit ajror nuk i lejojnë pasagjerët të bëjnë telefonata apo të dërgojnë mesazhe, ndërsa fluturimi vazhdon për arsye sigurie, por edhe të rehatisë së të gjithë atyre që janë në bord.
Ndalimi u bë kryesisht prej frikës së frekuencave të radios që celularët e pasagjerëve mund të shkaktonin keqfunksionim të sistemeve elektronike të avionit.
Ky nuk është një problem me celularët e rinj dhe sistemet e brendshme në bord si pikoqelizat, që nuk janë shumë të përdorura. Por në shumicën e avionëve, ndalimi vazhdon të ekzistojë.
Pasagjerët lejohen të përdorin pajisjet e tyre elektronike, përfshirë celularët dhe tabletat, gjatë të gjithë fluturimit përfshirë edhe demonstrimin e sigurisë përpara se të ngrihet avioni, për sa kohë që janë kaluar në gjendjen e fluturimit.
Megjithatë, rregullat variojnë nga një linjë ajrore në tjetrën.
Disa linja ajrore ndërkombëtare janë pajisur me sisteme që i lejojnë telefonatat dhe mesazhet, lajmëron Autoriteti i Aviacionit Civil të Mbretërisë së Bashkuar.
Në SHBA, Komisioni Federal i Komunikacionit i ka ndaluar telefonatat në avion që prej vitit 1991 nga shqetësimet e ndërprerjes së komunikimit me kullat e kontrollit. Komisioni e ka marrë në rishqyrtim këtë ndalim, por ligjvënësit kanë argumentuar se duhet të qëndrojë për shkak se nuk lejon shqetësimin e pasagjerëve të tjerë.
Ata që fluturojnë në avionë privatë, megjithatë lejohen të përdorin pajisjet për të komunikuar me botën e jashtme.
Si mundet sistemi i pikoqelizës të lejojë telefonatat?
Sistemi funksionon duke përdorur stacionet e vogla të bazës së telekomunikimit të quajtur pikoqeliza. Kjo është e një kostoje të ulët dhe zakonisht ka përmasën e një letre A4.
Vepron si një kullë në miniaturë e komunikimit në celular dhe lejon përdorimin e teknologjisë brenda avionit pasi mbështetet në sinjalet e satelitëve ose sistemeve në tokë.
Komunikimi i pikoqelizës dhe pjesa tjetër e rrjetit celular ndodh në frekuenca të ndara. Për këtë arsye ajo nuk interferon me pajisjet e avionit siç ndodh me sistemet në bord në shumë avionë të tjerë.
Interferenca pakësohet sepse fuqia që buron nga pikoqeliza dhe celularët është e niveleve shumë të vogla.