Përse norvegjezët i çojnë fëmijët në kampe false refugjatësh
Çdo vit janë me mijëra prindërit në vendin skandinav që u kërkojnë fëmijëve të tyre që të shkojnë në kampe refugjatësh false dhe të jetojnë aty për të paktën një ditë. Qëllimi i gjithë kësaj, është që fëmijët të kuptojnë dhe ndiejnë vuajtjet e miliona njerëzve anembanë botës.
Norvegjia është përballur me një kritikë të ashpër në mes të krizës së madhe të refugjatëve që ka kapur Europën. Suedia dhe Gjermania janë ankuar për faktin se vendi skandinav ka pranuar një numër shumë të vogël kuotash për njerëzit në nevojë. Norvegjia ka qenë në qendër të lajmeve të mediave botërore, pas vendimit që mori, në bazë të së cilit të gjithë ata refugjatë që përshkuan rrugën arktike për të mbërritur në këtë territor, do të rikthehen prapë në Rusi.
Të tilla masa kaq të ashpra befasuan jo pak njerëz, veçanërisht duke u nisur nga fakti që historikisht Norvegjia ka qenë një model për t’u ndjekur dhe destinacion kryesor për azilkërkuesit nga vende të tjera, të cilat janë shkatërruar nga luftërat dhe varfëria.
Por ka një grup norvegjezësh, të cilët në mënyrë të veçantë janë habitur nga ky vendim. Këtu bëhet fjalë për ata dhjetëra mijëra persona, të cilët kanë përjetuar vuajtjet e një emigranti duke qenë vetë të tillë në vitet e fundit, ose kanë provuar sfidat e të jetuarit në këtë status të paktën për një ditë.
Çdo vit janë me mijëra prindërit në vendin skandinav që u kërkojnë fëmijëve të tyre që të shkojnë në kampe false refugjatësh dhe të jetojnë aty për të paktën një ditë. Qëllimi i gjithë kësaj, është që fëmijët të kuptojnë dhe ndiejnë vuajtjet e miliona njerëzve anembanë botës.
“Kampi supozohet që t’u japë adoleshentëve një pamje të vogël dhe po ashtu një ndjesi se si është që të jesh një refugjat”, tha Kenneth Johansen, drejtore e organizatës “Refugjatët norvegjezë”, që e menaxhon këtë projekt.
Organizata ka për qëllim që të krijojë një atmosferë autotentike. Sirenat mund të dëgjohen brenda dhe jashtë kampit.
Adoleshentëve u jepet një sasi e vogël ushqimi dhe ata duhet që të flenë në vendstrehime të tejmbushura përgjatë udhëtimit të tyre imagjinar nga Sudani në Norvegji.
Në mes të natës, një sulm në kamp i detyron banorët e tij që të ndryshojnë vendndodhjen, ndërsa temperaturat e ulëta nën zero gradë ua bëjnë jetën edhe më të vështirë.
“Ai rezultat që ne shpresojmë të dalë është që t’u japim adoleshentëve më shumë perspektivë në botë dhe t’u tregojmë se sa me fat janë ata që jetojnë në një vend kaq paqësor si Norvegjia”, tha Johansen.
Kjo eksperiencë supozohet që të tregojë se armiqtë e refugjatëve nuk janë vetëm temperaturat e ulëta dhe lodhja, por edhe burokracitë dhe pengesat ligjore, edhe kur ata ia dalin që të mbërrijnë në Europë.
Në janar, norvegjezët vajtuan vdekjen e një emigranti, i cili kishte 25 vjet që luftonte për të marrë të drejtën e azilit në vend, por procesi kishte ngelur në vendnumëro.
Edhe kjo çështje tregon se sa e komplikuar është bota e një azilanti, që përfshin gjithashtu jetën në një kamp.
“Këta adoleshentë përjetojnë si funksionojnë burokracitë kundër tyre”, tha drejtori i organizatës. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij shpresojnë që duke vazhduar këtë ide në kamp, ata mund t’i bëjnë më të ndjeshëm norvegjezët e rinj.
“Shumica e atyre reagimeve që ne kemi marrë fokusohen rreth faktit sesa me fat ata janë, pjesëmarrësit e kuptojnë se ata janë të privilegjuar që jetojnë në Norvegji”.
Ky projekt origjinën e ka në Danimarkë, ku u vu në funksion për herë të parë në vitin 1987. Por filozofia e tij u shpërnda me shpejtësi edhe në vendet e tjera skandinave.
Në Norvegji për shembull, po aplikohen edhe dy projekte të tjera të ngjashme. Organizata “Refugjatët në Norvegji” e ka ndërtuar kampin e saj të parë përpara 12 vitesh.
Deri tani, rreth 80 mijë adoleshentë norvegjezë kanë provuar ndjesinë e të qenët refugjat, me një mesatare prej 5 mijë njerëzish në vit.
Fakti se përse kaq shumë prindër janë entuziastë për t’i çuar fëmijët e tyre në të tilla eksperienca, ka të bëjë me kulturën e vendit. Shumë europianë ateistë gjatë periudhës kur janë adoleshentë duhet që të kalojnë një proces që quhet “konfirmim civil”. Kjo nënkupton marrjen pjesë në seminare që i përgatitin ata për jetën si i rritur.
Në Norvegji, marrja pjesë në kampet false të refugjatëve është e detyrueshme, në mënyrë që të merret një konfirmim civil. Ky i fundit konsiderohet si një hap për të hedhur drejt pjekurisë.
Gjithsesi, nuk janë vetëm ateistët që marrin pjesë. “Ne gjithashtu kemi edhe të rinj nga ‘Konfirmimi Kristian’ dhe shkolla kristiane norvegjeze që vijnë në kamp”, vazhdoi Johansen.
Organizata thekson se ajo nuk e përdor këtë projekt për të mbajtur anën e refugjatëve apo për të bërë deklarata politike. “Ne nuk diskutojmë në lidhje me tema politike me adoleshentët”, shtoi drejtori.
Gjithsesi, në disa raste ky kamp mund t’i ketë bërë pjesëmarrësit disi më mendjehapur. “Ne marrim mesazhe nga fëmijët dhe disa prej tyre thonë që pjesëmarrja në këtë kamp e ka ndryshuar opinionin që kishin në lidhje me disa aspekte rreth refugjatëve”, përfundoi Johansen.
Me raste, aventura mund të jetë plotësisht reale. Eksperienca 24-orëshe nis afër një qendre të vërtetë të mbajtjes së emigrantëve, për të cilët shteti ka vendosur që t’i dëbojë nga territori.