Përse Suedia po i shkurton orët e punës me 6 në ditë?
Duke u bazuar në rezultatet e një studimi të fundit, Suedia po përparon drejt një standardi të ri të ditës së punës 6-orëshe, të cilin, pas pak kohësh, të gjithë punëdhënësit e bizneset në vend do të duhet ta vënë në zbatim
Pavarësisht se shumë studime tregojnë se njerëzit nuk duhet të punojnë me orë të gjata, shumica prej nesh përfundojnë duke punuar 50 orë në javë ose më shumë, sepse mendojmë se do të punojmë më tepër dhe t’i shijojmë përfitimet më pas.
Sipas një studimi të ri, të publikuar muajin e shkuar ku u përfshinë 600 mijë njerëz që punonin deri në 55 orë në javë, 33 për qind e tyre do të kenë gjasa më të mëdha për të pësuar një infarkt, sesa ata që punojnë nga 35 deri në 40 orë në javë.
Duke pasur parasysh këtë gjë, Suedia po përparon drejt një standardi dite pune prej 6 orësh, ku bizneset kudo në vend, do të duhet ta vënë në zbatim ndryshimin. Një azil, aktualisht po eksperimenton prej një viti këtë teknikë për të krahasuar kostot dhe përfitimet e një dite pune më të shkurtër.
“Mendoj se dita e punës 8-orëshe nuk është aq efektive sa mund ta mendojnë të gjithë. Qëndrimi i fokusuar në një detyrë të caktuar për tetë orë, është një sfidë e madhe. Në mënyrë që të përballemi me këtë sfidë, ne i përziejmë gjërat dhe bëjmë pauza për ta bërë ditën e punës më të durueshme. Njëkohësisht, ne e kemi të vështirë të menaxhojmë jetën tonë private jashtë punës”, tha Linus Feldt, drejtor i përgjithshëm i një kompanie aplikacionesh me seli në Stokholm.
Kompania e tij Filimundus, kaloi vitin e shkuar në një standard dite pune 6-orëshe dhe Feldt thotë se stafi është shumë i kënaqur. “Ne duam të kalojmë më shumë kohë me familjen, duam të mësojmë më shumë gjëra të reja apo të stërvitemi më shumë. Unë dua të shoh nëse ka një mënyrë për t’i miksuar këto gjëra”, tha ai.
Për të përballuar uljen e ndjeshme të orëve të punës, Feldt thotë se stafit iu kërkua të mos hynte në median sociale dhe të shmangte shpërqendrime të tjera në punë dhe në takime.
“Përshtypja ime tani është se është më e lehtë të përqendrohesh më tepër në punën që duhet bërë dhe kemi të gjithë energjinë për ta bërë këtë gjë. Po ashtu, mbetet energji edhe për punë të tjera jashtë zyrës”, tha ai.
Arsyeja që fshihet pas kësaj lëvizje është fakti se tani që dita e punës është shkurtuar, stafi do të jetë më i motivuar dhe do të ketë më tepër energji për të bërë më shumë gjëra në një periudhë më të shkurtër. Feldt raporton se jo vetëm që produktiviteti ka qëndruar i njëjtë, por stafi ka më pak konflikte, sepse njerëzit janë më të lumtur dhe pushojnë më gjatë.
Pa dyshim që Filimundus po shihte nga disa qendra shërbimi të Toyota-s, të cilat prej 13 vjetësh aplikojnë orarin e punës 6 orë në ditë dhe raportojnë se stafi është më i lumtur. “Ata kanë një periudhë më të shkurtër udhëtimi për në punë, i përdorin më mirë makineritë dhe ulin kostot e kapitalit – të gjithë janë të lumtur”, tha drejtori menaxherial, Martin Banck, duke shtuar se fitimet janë rritur me 25 për qind.
Në shkurt, një azil për të moshuarit në Goteborg aplikoi ditën e punës me 6 orë për infermieret, pa ndryshuar rrogat e tyre. Ata do ta vazhdojnë eksperimentin deri në fund të vitit 2016, në mënyrë që të kuptojnë nëse kosto e lartë e punësimit të 14 anëtarëve të rinj në staf, për të mbuluar orët e punës, ia vlen ndaj përmirësimit të kujdesit ndaj pacientit dhe moralit të punëmarrësit.
Eksperimenti i Svartedalens po frymëzon të tjerët në Suedi: në spitalin universitarSahlgrenska, kirurgët ortopedë po kalojnë në një ditë pune 6-orëshe, ashtu si dhe doktorët dhe infermierët në dy departamentet e spitaleve në Umea, në veri.
Ndërsa përshtypjet e një stafi më të lumtur dhe plot me energji, nuk janë saktësisht të mbështetura në shkencë për të deklaruar se ditët e punës 6-orëshe janë më të mira se ditët e punës me 8.7 orë që aplikohet kryesisht në Amerikë.
Një studim i publikuar muajin e fundit analizoi të dhëna nga 25 studime që monitoruan shëndetin e 600 mijë njerëzve në SHBA, Europë dhe Australi për 8.5 vite dhe zbuluan se njerëzit që punonin 55 orë në javë, kishin 33 për qind më tepër rrezik nga një infarkt, 13 për qind më tepër të sëmundjeve të zemrës, ndërsa një studim tjetër zbuloi se të punosh 49 orë në javë, sjell shëndet të keq mendor, veçanërisht te gratë.
*Burimi: Science Alert