Përsëritjet për provime bëjini në mëngjes herët
Mos ndoshta provimi juaj i fundit ishte një dështim i vërtetë? Nëse e keni dhënë atë pasdite, e keni një justifikim. Në fakt, rezultatet më të mira merren atëherë kur provimet jepen në orët e para të ditës. Ekspertët thonë se, pas një përsëritjeje të njohurive në mëngjes, truri do të jetë më i freskët dhe i gatshëm për t’i kujtuar ato
Studentët “përtacë” preferojnë që provimet t’i japin pasdite, në mënyrë që në mëngjes të kenë mundësi të flenë më shumë. Por kjo duket se është një zgjedhje me fund jo të lumtur! Një studim i ri gjithëpërfshirës mbi performancat përthithëse akademike, tregon se, sa më vonë në kohë të jepet një provim, aq më shumë rezultate të këqija mund të marrin nxënësit dhe studentët.
Sa më vonë aq më keq
Hans Henrik Sievertsen dhe kolegët e Qendrës së Kërkimeve Sociale të Kopenhagës (Danimarkë) kanë analizuar rezultatet e dy milionë testeve të standardizuara të kryera nga nxënësit danezë nga mosha tetë deri në 15 vjeç. Për çdo orë “vonesë” në fillimin e provës, rezultati ka rënë me 0,9%, një rënie e barabartë me efektin e dhjetë ditëve të humbura shkollë.
Një pushim rigjenerues
Sipas shkencëtarëve, rënia në provime vjen edhe nga lodhja konjiktive (njohëse). Në fakt, analizat kanë treguar se pas një pushimi prej 20-30 minutash, nxënësit kanë marrë më tepër pikë në provim sesa kur e kanë vazhduar atë pa asnjë ndërprerje. Se çfarë është ajo gjë që i karikon kaq shumë ata, ende nuk është bërë e njohur shkencërisht. Gjithsesi, nga ekspertët ekziston mendimi se mbase ndikon ndryshimi i ajrit (më i freskët) ose një vakt i lehtë.
Mësimi më mirë paradite vonë
Sievertsen nuk sugjeron që orët shkollore të fillojnë që në mëngjes. Studime të ndryshme kanë treguar se, sidomos për adoleshentët, vajtja në shkollë dy ose tri orë me vonesë do të garantonte më shumë orë gjumë dhe efekte pozitive për shëndetin. Pra, Sievertsen nuk e këshillon fillimin herët të mësimit. Mbetet për t’u parë nëse kjo këshillë e tij do të merret parasysh.
Një zgjidhje e mundshme
Studentët nuk janë të vetmit që ndikohen nga orari: studime të mëparshme kanë demonstruar se gjykatësit janë më të prirur për të dhënë vendime më të afta dhe më humane në mëngjes dhe se mjekët, po paradite, i përshkruajnë më mirë antibiotikët për infeksionet respiratore.
Strategji të dobishme
Sezoni i provimeve për studentët ka kohë që ka filluar dhe bashkë me të edhe stresi, i cili padyshim është i dëmshëm dhe prishës i planeve për të dalë me nota të mira. Ai ndikon drejtpërdrejt në kujtesën tonë, kështu që ju duhet ta luftoni atë. Por si? Në radhë të parë, duhet të mendoni pozitivisht, të jeni të qetë dhe të mësoni çdo ditë me karar. Sigurisht që pjesën më të madhe duhet t’ua kushtoni studimeve për provimet, por mos harroni mbi të gjitha të flini dhe të ushqeheni mirë. Një shëtitje nuk do të ishte keq, por mos pini kafe. Ajo nuk këshillohet. Gjithashtu gjatë sezonit të provimeve është e rëndësishme të konsumohen fruta dhe perime, pasi ndikojnë në uljen e ankthit dhe stresit. Dietës kundër stresit nuk duhet t’i mungojë buka, makaronat apo orizi, sallata jeshile, qepa, djathi i freskët, kosi, vezët e ziera, qumështi i ngrohtë, frutat e ëmbla dhe të zhytura në mjaltë. Këto janë këshillat më të rëndësishme, të cilat duhet t’i ndiqni nëse doni që të largoni stresin e provimeve, e të dilni me rezultate të shkëlqyera! Suksese!