Përurohet Zyra e re e Punësimit në Gjakovë, investim prej rreth 200 mijë eurosh
Objekti i ri prej më shumë se 500 metrash katrorë synon shërbime më moderne për punëkërkuesit dhe punëdhënësit; në përurim morën pjesë kryeministri Kurti dhe ministri Hoti
Është përuruar objekti i ri i Zyrës së Punësimit në Gjakovë, investim i Qeverisë së Kosovës në vlerë prej rreth 200 mijë eurosh, që synon modernizimin dhe përmirësimin e shërbimeve për punëkërkuesit dhe punëdhënësit, siç njofton Telegrafi.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, si dhe zëvendësministri Agon Dobruna.
Objekti i ri ka një sipërfaqe prej më shumë se 500 metrash katrorë dhe përfshin hapësira për këshillim profesional, ofrim të shërbimeve dhe organizim të trajnimeve. Po ashtu, objekti është përshtatur për qasje nga personat me aftësi të kufizuara.
Në funksionalizimin e tij ka kontribuar edhe organizata zvicerane Helvetas, e cila ka financuar blerjen e inventarit dhe pajisjeve teknologjike të nevojshme për punën e zyrës.
Sipas njoftimit, Ministria synon që Zyrat e Punësimit të shndërrohen në pika kryesore të kontaktit për qytetarët dhe bizneset, duke ofruar këshillim profesional, ndërmjetësim në punësim dhe orientim drejt aftësimit profesional. Ndërkaq, Qendra e Aftësimit Profesional në Gjakovë ofron trajnime falas në 11 programe profesionale, përmes të cilave kandidatët mund të zhvillojnë aftësi praktike në përputhje me kërkesat e tregut të punës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.