Një shënim për Erion Veliajn
Nga Mira Kazhani
Erion Veliajn e kam takuar për herë të parë në vitin 2005, kur ishte protestues. Më vonë, mes nesh ka pasur një lloj miqësie, ndoshta jo fort kronologjike, por e kemi pasur. Edhe si bashkëmoshatarë që jemi, secili me rrugën e vet në jetë.
Kam pasur plot raste kur kam qenë në anën tjetër, kur nuk kam ndarë të njëjtin mendim apo qëndrim me të. Ndoshta edhe kjo e ka ruajtur miqësinë tonë, në njëfarë kuptimi.
Nuk e kam mohuar asnjëherë këtë njohje. Por sot, për herë të parë, e shoh me vend të reagoj publikisht. Jo për t’u bërë avokatja e tij apo e askujt, por sepse disa gjëra shkojnë përtej miqësive dhe bindjeve tona.
Akuzat ndaj Erion Veliajt janë çështje e drejtësisë dhe drejtësia duhet të bëjë punën e vet.
Por përtej protestuesit, djalit të MJAFT-it, politikanit dhe drejtuesit të Bashkisë së Tiranës, sot po shkruaj për një njeri. Dhe mënyra si po trajtohet ai më bën të mendoj për diçka më të madhe se vetë Erion Veliaj.
Për mënyrën si ne e trajtojmë atë që e konsiderojmë armik.
Unë besoj se mënyra si e trajtojmë kundërshtarin, madje edhe atë që e konsiderojmë armik, është një provë edhe për veten tonë.
Unë frymëzohem nga drejtësia kur ajo nuk është instrument në duart e padrejtësisë.
Por në këtë zhurmnajë të çmendurive tona, më bën përshtypje edhe heshtja e atyre me të cilët dikur ndaje një projekt të përbashkët. Kur nuk dëgjohet qoftë edhe një zë në mbrojtje të njerëzores, që nuk duhet të humbasë as pas hekurave të burgut.
Paraburgimi nuk mund të kthehet në instrument abuzimi apo hakmarrjeje. Çdo dyshim për këtë duhet të marrë përgjigje nga institucionet.
Sepse të drejtat e njeriut nuk janë çështje simpatie apo armiqësie.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.