Bota

Pesë anije të marinës kineze pranë brigjeve të Alaskës

Tre anije luftarake, një anije amfibe dhe një furnizuese, pjesë e marinës kineze, janë pozicionuar pranë brigjeve të Alaskës, kanë konfirmuar zyrtarë të Pentagonit.

Besohet se kjo është hera e parë që anijet e marinës kineze janë parë në këtë zonë. Anijet janë monitoruar nga autoritetet amerikane, që dolën në përfundimin se ato ndodheshin në ujërat ndërkombëtare.

Zyrtarë të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara konfirmuan se anijet ndodheshin ende pranë brigjeve të Alaskës, por nuk dhanë detaje se sa kohë po bëjnë ato në atë perimetër. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se anijet nuk ndodhen shumë larg nga zona ku Presidenti amerikan, Barack Obama, po kryen një vizitë treditore në Alaska për të rritur ndërgjegjësimin për ndryshimet klimatike.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të mbrojtjes, Bill Urban, konfirmoi praninë e anijeve kineze në Detin e Beringut.

“Ne e respektojmë lirinë e të gjitha kombeve për të vepruar në ujërat ndërkombëtare në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, shtoi Urban.

Një tjetër zyrtar tha për “Wall Street Journal” se ky veprim i Kinës nuk është parë si kërcënim.

Pas tensioneve që Kina ka pasur me shtetet fqinje në lidhje me ishujt në Detin e Kinës Jugore, Pekini ka kërkuar ndryshim të ligjeve ndërkombëtare detare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button