Libri

Pesë autorë shqiptarë do përkthehen në gjuhë të huaj

Fatos Kongoli, Luljeta Lleshanaku, Stefan Çapliku, Ridvan Dibra dhe Bashkim Shehu janë fitues të fondit të përkthimit

Pesë autorë shqiptarë janë përzgjedhur nga Ministria e Kulturës për t’u mbështetur financiarisht për t’u përkthyer në gjuhë të huaj. Bashkim Shehu, Mira Meksi, Ridvan Dibra, Luljeta Lleshanaku dhe Stefan Çapaliku janë autorët fitues të fondit të përkthimit letrar nga gjuha shqipe në gjuhë të huaj që u hap vetëm pak kohë më parë. Qëllimi i këtij fondi është promovimi i letërsisë shqipe jashtë vendit, përmes disa veprave të rëndësishme të saj”. Nga 10 aplikime të shtëpive botuese të huaja, u përzgjodhën 6 prej tyre të cilët kaluan fazën e seleksionimit nga kolegjiumi dhe më pas nga ekspertët e fushës së përkthimit.Krahas emrave të përkthyesve fitues, si dhe të shtëpive botuese të huaja, kemi kënaqësinë të shohim gjithashtu të përzgjedhur emra shkrimtarësh dhe poetësh nga më të rëndësishmit e letërsisë shqipe”, thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë. Për të përkthyer këto vepra është vënë në dispozicion një fond prej

2.000.000 lekësh. Romani “Angelus Novus” i Bashkim Shehut do të përkthehet në gjuhën spanjolle nga Esperanza Roces, dhe do të botohet nga shtëpia botuese “Ediciones Siruela”. Personazhi i gjithëpranishëm i këtij romani është Historia, e cila me fuqinë e saj të përbindshme e të verbër, sjell shkatërrimin e jetëve të panumërta. Përballë Historisë, pohohet tragjikisht vlera e papërsëritshme e çdo historie të veçantë njerëzore. Është një nga temat e parapëlqyera të këtij autori, dhe në romanin “Angelus Novus” gjejmë një trajtim më të thelluar të saj. Romani “Legjenda e vetmisë” me autor Ridvan Dibrën do të përkthehet nga Evelyne Noygues në gjuhën frënge dhe do të botohet nga  botimet “La Ver a Soie”. Në këtë libër autori shpërfill qëllimshëm nihilizmin e dyshimin e tejkaluar modern, por edhe ironinë e lojnat e shumë – përsëritura postmoderne. Një libër, në dallim prej të tjerëve para tij, sa më “jashtë meje”, sa më impersonal e objektiv. Një libër që, qëllimshëm, t’i lërë mënjanë “artificet kompozicionale”, duke respektuar deri në adhurim burimin e parë, domethënë legjendën. Një libër që t’i kundërvihet postulatit të Xh. Kallerit se “epika rrëfen ngjarje, kurse lirika tenton të jetë vetë ngjarje”, duke synuar një “epikë” që të rrëfejë ngjarje e, njëkohësisht, të jetë vetë ngjarje. “Një libër që të mbështesë bindjen time estetike se “Arti nuk është i thjeshtë, sepse dëshiron të jetë i thjeshtë, por sepse dëshiron të jetë art”, duke perifrazuar kësisoj e, njëkohësisht, duke kundërshtuar Donald Barthelmin (njërin prej etërve të tregimit post–modern amerikan). Sepse unë vazhdoj t’i besoj Platonit kur thoshte: “Bukuria e stilit, harmonisë, madhështisë dhe e ritmit të mirë varet nga thjeshtësia. “Një synim i tillë (ndoshta fort ambicioz) rreket të mbërrijë edhe ky teks”, shkruan Dibra për këtë vepër. Libri “Iluzione në sirtar” i Fatos Kongolit do të përkthehet në gjuhën italiane nga Caterina Zuccaro dhe do të botohet nga Rubbetino Editore.  I ndërtuar mbi dy motive të ndërthurura, jeta e shkrimtarit dhe rruga e tij e vështirë drejt letërsisë, ky “pothuajse roman”, me personazh qendror vetë autorin, na sjell pamje të papërsëritshme epokash, të djeshme dhe të sotme. Dhe një varg protagonistësh të letrave shqipe, të kulturës, arteve dhe politikës etj. Ashtu siç i ka njohur autori, që nga fëmijëria e hershme e deri më vonë, në kohë të qeta dhe të trazuara, gjatë periudhës së diktaturës e pas saj.

Është një autoportret origjinal dhe i sinqertë. Për herë të parë, Kongoli u kthehet këtu disa episodeve nga më të rëndësishmet dhe traumatiket në jetën e tij. Një libër i veçantë, i pari në letrat e sotme shqipe, ku autori kërkon të shohë thellë në vetvete, për t’i bërë më të kuptueshëm librat e tij përmes zbërthimit të vetvetes. Përmbledhja poetike e Luljeta Lleshanakut do të përkthehet në gjuhën sllovake nga Lucia Paprckova, dhe do të botohet nga Občianske Združenie VLNA. “Triologjia Albanica” e Stefan Çapalikut do të përkthehet në frëngjisht nga Anna Couthures dhe do të botohet nga Maison D’Europe et D’Orient.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button