Pesë librat më të lexuar të 2014-s
Nga Alda Bardhyli
“Kam njohur gjatë gjithë jetës mjaft bibliofilë dhe jam i bindur se dashuria për librat ca njerëzve ua bën më të përballueshme jetën.” Anatol France shkruante kështu vite më parë në esenë e tij të gjatë për bibliofilinë i bindur se nuk ka dashuri të vërtetë pa një dozë ndjeshmërie. Me librat, shprehej ai, mundet me qenë i lumtur vetëm nëse i do dhe i përkëdhel. Vetëm me një vështrim ai mund të dallonte një bibliofil të vërtetë apo nga mënyra sesi e prek një libër. “Gjithçka vjen nga një prekje”, shprehej dikur Buzzati, teksa përpiqej të shpjegonte lidhjen e tij me Almerinën, një italiane 28-vjeçare, kur ai ishte 63, si fillimin e një libri të ri. Vera, gruaja që prej vitesh ndan jetën me Milan Kunderën, e ka quajtur lidhjen e saj të dashurisë një libër. “Vetëm se ne nuk e kemi shkruar deri në fund”, do të shprehej ajo. Ka shumë shprehje për të përshkruar atë ndjesi të bukur që lë brenda teje një libër i mirë. Shpesh ajo është aq personale, si një sekret. Nga veshja me lëkurën e hirtë apo kadifenjtë e kuqe, libri ashtu si njerëzimi, ka ndryshuar formë. Teknologjia e prodhimit të librit, nga viti në vit ofron cilësitë më të mira të këtij produkti, në sfidën që i ka hapur sot leximi dhe botimi elektronik. Kopertinat, ose “Hard cover” siç quhen në Perëndim, letra vazhdojnë të përçojnë atë ndjesinë turbulluese, siç e quante France. Numri i botimeve vazhdon të rritet nga viti në vit, po kështu numri i shkrimtarëve, historianëve, publicistëve që duan të hedhin idetë e tyre në një libër. Në sfidën për të përsosur qenien e një libri janë futur dhe botuesit shqiptarë prej vitesh, një sfidë e ëmbël dhe shumë pak fitimprurëse. Por, në një shoqëri si e jona, e cila kërkon të lërë pas një të shkuar plot plagë dhe t’i bashkohet Perëndimit, pa librin kjo rrugë do të jetë e gjatë. Është për t’u admiruar numri i titujve të rinj që çdo vit vijnë në gjuhën shqipe nga botuesit shqiptarë, pavarësisht cilësisë shpesh në përkthime, ashtu siç është e trishtë që nga viti në vit ulet numri i autorëve shqiptarë që shkruajnë letërsi. Viti 2014 ka qenë një vit i mbushur me botime të reja, të cilat kanë rritur debatet publike shpesh mbi historinë dhe kanë zgjuar kërshërinë për shkrimtarë e libra që kanë ardhur për herë të parë në shqip. Për një vend dhe një gjuhë të vogël si Shqipëria, botimi i një libri nga shkrimtari Ismail Kadare, i cili e ka zgjeruar hartën e shqipes në botë, është një ngjarje. Kadareja ka sjellë për lexuesin dy libra këtë vit, një prej të cilit dhuratë siç e ka quajtur vetë ai. Është “Mjegullat e Tiranës”, një roman i shkruar në kohën studentore 1957-1958, të cilin botuesi i tij ia mori nga sirtarët për ta sjellë në një libër. Një roman po aq tronditës sa Xhon Gollsuorthi me “Lulet e mollës”, vetëm se Kadareja e ka shkruar pa mbushur të 20-at, ndërsa Gollsuorthi pas të 40-ave. Një roman që më shumë se një dhuratë, u ngjason romancave të bukura të dashurisë, që lexohen me shumë dëshirë në çdo stinë të vitit dhe që tregon gjenialitetin e një shkrimtari që në fillesat e tij. “Mëngjese në kafe Rostand”, libri që Kadareja prezantoi në Panairin e Librit një muaj më parë, ka brenda një publicistikë veshur me elegancën e stilit kadarejan, dhe nën një pëlhurë të lehtë ironie, shpesh të errët ashtu si mjegullnajat që ngrihen në shtyp kundër tij. Ky libër është një tablo e trishtë ballkanike, e një Shqipërie ku miqtë kthehen në armiq dhe ku rruga për të takuar fatin europian shpesh ndalet për shkak të qenieve të vogla. Një përgjigje për të gjithë ata që janë ngritur ashpër kundër disidencës së tij, duke hedhur poshtë gjithë shpirtin e lëvizjes kulturore shqiptare nën komunizëm. “Dimri i vetmisë së madhe”, një libër që këtë vit erdhi në vëmendjen e lexuesve falë një studimi të Met Dervishit, tregoi se shpesh debatet për shkrimtarin nuk kanë të bëjnë me veprën e tij. Në asnjë nga vendet ish-komuniste, një shkrimtar nuk është përballur aq hapur me diktatorin e tij, siç ka bërë Kadareja te ky libër, duke e kthyer Enver Hoxhën në një personazh. Por, përtej këtyre debateve, që duket se do të vazhdojnë gjatë në shtypin shqiptar, dhe në këto ditë të fundit të 2014-s janë rishfaqur sërish (vetëm pak ditë më parë, studiuesi Nasho Jorgaqi shkruante një tjetër letër për shkrimtarin) te “Mëngjese në kafe Rostand”,
Kadareja ka dhe një nga prozat më të bukura të këtyre viteve të fundit, novelën kushtuar të ëmës, “Kukulla”. Simone De Bovuar gruaja e revoltave femërore, i kushtoi një libër nënës, përmes kujtimeve të përballjes së saj me vdekjen, Maksim Gorki i kushtoi një roman nënës, Jane Austin e ka bërë herët një rrëfim të tillë, e të tjerë nga kopshti i madh i letërsisë. Por nëse përmes rrëfimeve për nënën, De Bovuar tregonte rrugën e një gruaje drejt kapërcimit të limiteve të vendosura nga shoqëria, duke ardhur nga një apartament i vogël në një lagje të Parisit e për të shkundur me idetë e saj mijëra gra kudo në botë, dhe Gorki bënte një analizë të Rusisë përmes brishtësisë së qenies që e solli në jetë, “Kukulla” e Kadaresë është më shumë se një “kukull”, ajo është historia jonë.
“Kukulla” e tij, e cila ia vlen të botohet si një novelë më vete, hyn tek ato krijime që mund t’i lexosh në çdo kohë dhe gjithmonë do të lënë te ty shijen e letërsisë së mirë. Ben Blushi e la letërsinë këtë vit, për të sjellë një vepër publicistike. “Hëna e Shqipërisë”, një parashikim fatal për të ardhmen, tregoi që Blushi si një personazh që vjen nga politika, nuk mund t’i largohet modelit të një shkrimtari të angazhuar. Vendet si ne kanë nevojë për shkrimtarë të angazhuar e Blushi me instinktin e një shkrimtari shkon natyrshëm te kjo udhë. Besnik Mustafaj erdhi këtë vit me një libër publicistik. “Bishti i kometës” i ngjasonte një udhëtimi në kohë, për të mbërritur tek e tashmja. Mustafa Nano bëri këtë vit atë që Konica do ta admironte në Uashingtonin e viteve 1940. “Pax Albanica” solli për herë të parë një kronologji historike të raportit historik të shqiptarëve me fenë. 2014-a mund të quhet dhe viti i publicistikës për morinë e botimeve që u bënë këtë vit nga emra që vijnë prej botës së medias apo historisë. Blendi Fevziu me “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”, “Betonizimi i demokracisë” Maks Velo, “Fillimet”, Preç Zogaj, “Tri kohët e Shqipërisë në Time”, Belina Budini, “Ia dolëm” Ulpiana Lama, “Një ditë si Sofia” Monika Stafa etj., ishin botime që treguan një rritje të mendimit shqip, pavarësisht tematikave. Emra të njohur të letrave botërore erdhën dhe këtë vit në shqip. “Mosdija” e Milan Kunderës nën përkthimin e Mirela Kumbaros është një libër që përtej historisë së dashurisë që dy personazhet kërkojnë të gjejnë, të njeh me frikën, kujtesën dhe mallin. Nobelisti V.S Naipaul, i cili erdhi këtë vit për herë të parë në shqip nga botimet “Saras” nën përkthimin e Lavdimir Markut është një tjetër ngjarje. Një ardhje e vonuar e një shkrimtari kalibri që shumë shpejt do të vijë me botime të tjera. Xhejn Eir i Sharlotë Bronte, “Në kafenenë e rinisë së humbur” nga Patrick Modiano, “Vargjet satanike” Selman Ruzhdie, “Gruaja e thyer”, Simone De Bebouar etj., i takojnë asaj letërsie të mirë që ka zënë vend në raftet e librarive të kryeqytetit. Një vit është pak për të gjykuar cilësinë e këtyre librave, që në këtë rast po bëhen nga leximet apo emrat e shkrimtarëve dhe përkthyesve që i kanë sjellë në shqip. “Ali Pasha” i Aleksandër Dumas një ribotim i “Saras” nga mënyra sesi u prit me entuziazëm nga lexuesi tregoi nevojën që ne kemi ende për të njohur të shkuarën. Një dhuratë që Dumas ua ka bërë herët shqiptarëve, para se t’u kushtohej romancave si “Zonja me kamelie”. Moria e librave botuar në 2014 është e madhe, por cilët prej tyre kemi kaluar në duar, cilët prej tyre kanë zgjuar diçka te ne. “Shqip” ka kërkuar 5 librat më të lexuar të këtij viti te personazhe të njohura të jetës kulturore, për të gjetur librat që kanë lënë gjurmë. Ministrja e Kulturës, Kumbaro, është ndryshe nga ministrja e Kulturës franceze me gjuhën e së cilës ndan një dashuri përmes letrash, siç është përkthimi. Nëse Flor Pelerin deklaroi që ka dy vjet që nuk lexon asnjë libër, Kumbaro çdo vit sjell një përkthim nga autorë të njohur francezë. Vjet ajo solli shijen e Margarite Duras me Moderato cantabile”, këtë vit pas “Shakasë” ka sjellë në shqip “Mosdijen” e Milan Kunderës, që hyn në një nga librat më të lexuar gjatë 2014. Të shpresojmë që pasionin për librin ministrja Kumbaro në 2015 ta kthejë në më shumë politika që e ndihmojnë rritjen e librit në të gjitha nivelet, jo vetëm në atë të leximit. Elvira Diamanti hyn tek ato lexuese që e njeh librin nga një prekje. Besoj se njeh më mirë libraritë e Tiranës se baret e saj.
Përzgjedhja që ajo ofron më poshtë tregon një koherencë të leximeve të botimeve të reja. Si një grua e përfshirë në vendimmarrje dhe në jetën e vendit, ajo veçon “Në kopshtin e egërsirave” nga Erik Larson. “Është jeta e vërtetë e një diplomati amerikan në vitet e para të fitores së nacional-socialistëve në Berlin. Është beteja e madhe e një profesori historie që krejt papritur u bë ambasador në Berlin. I një njeriu që dashuronte Gjermaninë e Gëtes, dhe që e gjeti atë në një kopsht egërsirash”, thotë Diamanti. Si dikush qe beson në ide, duke i parë ato si gjeneruese për të ardhmen e shoqërisë Alban Dudushi bën një përzgjedhje librash që enden në shtratin historik, por dhe që tregojnë një lexues që e kalon hartën e botimeve që ofron vendi i tij. Esetë e zgjedhura nga 90 vjet botime të Foering affairs te “Përplasja e ideve” tregojnë grishjen prej një gazetari që do të hyjë në zemër të debateve të forta ideologjike të shekullit të kaluar, dhe tek ato që sollën ngritjen e një rendi modern. Mustafa Nano këtë vit duket se është joshur nga proza e artë e letërsisë italiane, te autorë të rëndësishëm të kësaj letërsie siç është mjeshtri i tregimit Buzzati, Alberto Moravia apo nobelisti Pirandello. Agron Gjekmarkaj si vëzhgues i hollë i situatës së botimeve në vend, bën një përzgjedhje me autorë shqiptarë, për të treguar rëndësinë që duhet t’u tregojmë autorëve vendas. Këta të fundit janë sfida jonë, ata që duhet të mbështesim që të rriten në vitin 2015.
Mirela Kumbaro
- “I besojmë mosbesimit” e Ivan Krastev, përkthyer nga Ardian Vehbiu
- “Udhëtimet me Herodotin” e Kapuscinsk-t përkthyer nga Astrit Beqiri
- “La recreation” e Frederic Miterrand
- “Tre raconti”, libër për fëmijë, Umberto Eco
- Princi i vogël, i Antoine de Saint Exupery
Mustafa Nano
- “Il fu Mattia Pascal”, Luigi Pirandello
- “Tregime”, Milan Kundera
- “Tregime”, Dino Buzati
- “I huaji”, Albert Kamy
- “La Vita Interiore”, Alberto Moravia
- “Mëngjese në kafe Rostand”, Ismail Kadare
Bashkim Shehu
- “2666” Roberto Bolaño
- “Anatomia e një çasti”, Javier Cercas,
- “Kriza e kulturës”, Hannah Arendt
- “Ligjërimi dhe e vërteta në Greqinë e lashtë”, Michel Foucault
- “Tregime dhe ese” të J. L. Borges-it (pjesërisht rilexim), shpërndarë në libra të ndryshëm, por që mund të përbënin një libër në kufirin midis zhanreve.
Ema Andrea
- “Mosdija”, Milan Kundera, përktheu Mirela Kumbaro
- “La trilogia degli occhiali”, Emma Dante
- “Kukullat nuk kanë atdhe”, Flutura Açka
- “Ferdydurke”, Witold Gombrowicz
- “E shtuna”, Ian McEwans, përktheu Etleva Pushi
Pirro Milkani
- “Mjegullat e Tiranës”, Ismail Kadare
- “Gra të përgjithshme”, Fatos Baxhaku, Klodiana Kapo
- “Otello, Arapi i Vlorës”, Ben Blushi
- “Një oficer francez në Ballkan”, Dominique Dangyu des Deserts
- “Shqiptarët në Luftën e Dytë botërore”, Paskal Milo
Fatos Baxhaku
- “Një oficer francez në Ballkan”, Dominique Dangyu des Deserts
- “Bretkosat”, Mo Yan, përktheu Iljaz Spahiu
- “Qyteti bri lumit”, V. S Naipaul, përktheu Lavdimir Marku
- “Pax Albanica”, Mustafa Nano
- “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, Thanas Medi
Elvira Diamanti
- “Suitë franceze”, Irène Nèmirovsky, përktheu Nasi Lera
- “Gardalina”, Donna Tartt, përktheu Oriana Tamburi
- “Në kopshtin e egërsirave”, Erik Larson, përktheu Përparim Mulosmani
- “Ballkani imagjinar”, Maria N.Torodova, përktheu Bashkim Shehu
- “Pallati i dimrit”, Eva Stachniak, përktheu Edlira Mulla
Alban Dudushi
- “Përplasja e ideve”, G. Rose, J. Tepperman
- “Dimri i njerëzve”, Lionel Duro, përktheu Krenar Hadëri
- “Ali Pasha”, Aleksandër Duma, përktheu Blendi Lami
- “Kapitali në shekullin XXI”, Thomas Piketty
- “Manuali i një diktatori”, Bruce de Mesquita, Alastair Smith
Agron Gjekmarkaj
- “Mëngjese në kafe Rostand”, Ismail Kadare
- “Pax Albanica”, Mustafa Nano
- “Ahmet Zogu, presidenti që u bë mbret”, Blendi Fevziu
- “Kthinat e kujtesës”, Arta Marku
- “Bishti i kometës”, Besnik Mustafaj
Maks Velo
- “Udhëtim pa mbarim” – Claudio Magris, përktheu Mimoza Hysa
- “Nga Caslavi në Hollivud”, Milos Forman
- “Guri i gjarprit” Jason Goodwin, përktheu Fari Laçka
- Van Gogh i vetëvrari i shoqërisë, Antonin Artaud, përktheu Idlir Azizi
- Loja, shembja e qiellit, Bashkim Shehu
Luan Rama
- “Jo të qara”, Lydie Salvayre
- “Festë e gjërave të parëndësishme”, Milan Kundera
- “Vera” (për kohën e luftës civile të Spanjës, 2014), Jean-Pierre Orban
- “Udhëtim i pavdekshëm”, Jean-Christophe Rufin
- “Premtimi i agut”, Roman Gary