Pesë rregulla për të përdorur rrjetet sociale në mënyrë korrekte
Një artikull për ata që qëndrojnë thuajse gjithë ditën në rrjetet sociale dhe nuk kanë ndërmend të ndalojnë. Mbi të gjitha për këdo që në “Facebook” do të donte të bënte më shumë dhe për “Twitter” do të donte të dinte më shumë. Pra duhet të dini të krijoni një reputacion tuajin online
- “Facebook”
“Facebook” tashmë nuk është vetëm një rrjet social, por një kanal informacioni. Por cili është limiti i tij, nga se duhet të bëjmë kujdes? Sigurisht, tani lajmet arrijnë te ne përmes “Facebook” dhe rrjeteve sociale. Por efektivisht ka një rrezik: quhet “efekti flluskë”, sepse ne rrezikojmë të lexojmë vetëm lajmet që zakonisht lexojmë ose shpërndajmë me miqtë tanë. Sa më shumë klikojmë “më pëlqen” mbi diçka, aq më shumë “Facebook” na tregon atë dhe jo një gjë tjetër. Ndaj është e rastit të kultivoni shumëllojshmërinë. Po si? Duke kërkuar lajme edhe përmes kanaleve të tjera të këtij rrjeti social.
- “Twitter”
Para pak ditësh u festua ditëlindja e “Twitter”, e rrjetit social që sipas opinionit të zakonshëm është më i vështiri për t’u përdorur. Cila është dobishmëria e pasjes së një profili “Twitter”? Si duhet të përdoret ai? “Twitter” është i “vështirë”, sepse të shkruarit është e vështirë për shumë persona. Ndaj këtë rrjet social përdoreni vetëm nëse keni vërtet diçka për të thënë dhe vetëm me 140 karaktere, gjë që e bën edhe më të komplikuar.
- “Instagram”
“Instagram” së shpejti do të ndryshojë rregullat. Do të jetë një algoritëm ose më saktë një bashkësi rregullash që do të bëjë më të dukshme vetëm fotot më interesante për këdo, kjo në bazë të atyre që kanë pasur më shumë interes nga të tjerët. Ky tani për tani është kriteri më i drejtë që është demonstruar efikas. Pra, zgjidhini mirë miqtë dhe kështu do t’u zgjidhen mirë edhe fotot në “Instagram”.
- Rrjetet sociale dhe privatësia
Fatkeqësisht na intereson shumë pak se ku përfundojnë informacionet tona dhe jemi shumë pak të informuar për negativitetin që shkakton kjo gjë. Rrjetet sociale i përdorin madje edhe fëmijët, gjë që është tërësisht e gabuar. Privatësia juaj nuk është më juaja, por pasojat e saj po. Ato i mbartni vetëm ju dhe familjarët tuaj. Në botë raportohen mjaft raste të krimit kibernetik, vitet e fundit ai është shfaqur edhe në Shqipëri. Po përtej krimeve të pastra që realizohen në internet, në shumë raste të tjera ai është bërë burim konfliktesh ndërpersonale, duke gjeneruar edhe krime të tjera. Gjithnjë e më shumë rrjetet sociale po vjedhin kohën, jetën tonë, ashtu si asnjë formë tjetër e revolucionit teknologjik të realizuar ndër vite. Ky revolucion pranohet se ka ndikuar në mënyrën e të jetuarit të përdoruesve të këtyre rrjeteve. Ndikimet janë kryesisht në aspektin social e psikologjik. “Bulizmi” kibernetik po përhapet gjithnjë e më shumë.
- Reputacioni i uebit
Një reputacion online nuk ndërtohet duke u mbështetur vetëm te një “rrjet social”, por duke punuar vazhdimisht me interes e inovacion dhe duke i kultivuar mirë marrëdhëniet. Lexoni shumë, dëgjojini personat që keni të bëni në sektorin tuaj, ndiqini dhe ndërveproni vetëm kur keni vërtet diçka për të thënë. Rrjetet sociale përdorini të gjitha, por përdorini mirë, me inteligjencë dhe mendje të hapur.