Peticioni me mbi 200 mijë firma për ish-krerët e UÇK-së arrin në Hagë, flet Hysni Gucati
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati ka dorëzuar në Gjykatën Speciale peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime që kërkojnë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Pas dorëzimit, nga Haga ai ka folur për KosovaPress, ku thekson se ky peticion është zëri i mijëra shqiptarëve nga të gjitha trevat.
Ai foli edhe për vendimin e Speciales për shtyrjen e afatit për shpalljen e vendimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
“Kështu unë shpresoj dhe dua të besoj fuqishëm në gjykatën që ta ndajë një drejtësi të mirëfilltë dhe t’i merr parasysh nënshkrimet tona, të cilët shqiptarët anë e kënd trojeve ka janë, jo vetëm në Kosovë por në Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi dhe shqiptarët në mërgatë, që i kanë nënshkruar këto peticione, të shkojë në zërin e duhur, në vendin e duhur dhe të merren parasysh se 200,000 shqiptarë kanë nënshkruar për luftën e shenjtë dhe direkt për presidentin dhe të tjerët që të lirohen nga kjo padrejtësi e madhe që po na ndodh neve tash këto momente”, deklaroi ai nga Haga.
Gucati tha se firmat e 200 mijë shqiptarëve tregojnë kërkesën e shqiptarëve për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.
200 mijë nënshkrimet tregojnë pafajësinë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tregojnë se në këtë vend ka pasur një luftë të shenjtë dhe ka qenë një ushtri e cila është përballur me forcat çetnike paramilitare serbe dhe me një ushtri të Serbisë dhe me policinë e Serbisë, ku ne e kemi çliruar vendin”, tregoi ai.
Ai foli edhe për vendimin e Speciales që të shtyhet afati për shpalljen e vendimit për katërshen e UÇK-së.
“Shumë e padrejtë sepse unë thashë është stërzgjatur, qe pesë vite e gjysmë, për gjashtë vite kemi hyrë ne tash. Do të thotë qe gjashtë vite në burg me mbajtur njerëzit, është turp për vetë drejtësinë ndërkombëtare, se kjo nuk është drejtësi ndërkombëtare, po kjo gjykatë e Kosovës se parlamenti ynë e ka votuar. Po është shumë e stërzgjatur, afër gjashtë vite, kështu që ne edhe njëherë si organizatat e dala nga lufta, si organizata e veteranëve të luftës, është e papranueshme për ne dhe ne kërkojmë sa më shpejt të merret një verdikt dhe një verdikt pozitiv në anën tonë”, përfundoi ai.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë thënë fjalët e tyre përfundimtare më 18 shkurt të këtij viti.
Ata edhe një herë janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.