Pikëpyetjet e detit me Greqinë
Diskutimi i këtij precedenti merr një rëndësi të veçantë, në mënyrë që ajo çka ndodhi në vitin 2009 të mos përsëritet më, që integriteti territorial i vendit të mos rrezikohet, që Kushtetuta, akti themeltar i shtetit dhe garanti i rendit juridik, të mos cenohet dhe të mos shkelet nga askush.Duke filluar nga pranvera e vitit 2009, në mediat shqiptare u shkrua dhe u fol shumë rreth Marrëveshjes shqiptaro-greke për ndarjen e kufijve detarë në Kanalin e Korfuzit dhe në detin Jon, firmosur në Tiranë, në prill 2009. Ajo u konsiderua si një akt që sanksiononte kalimin në favor të Greqisë të një hapësire territoriale shqiptare. Në vijim ndodhi diçka e pa precedent: u vunë përballë qeveria shqiptare, e cila mbronte interesat e Greqisë(?!) dhe një grup specialistësh, gazetarësh, analistësh dhe qytetarë të zakonshëm shqiptarë, të cilët mbronin interesat e Shqipërisë. Ky ballafaqim u mbyll pas gati një viti, me një vendim historik të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e cila, pas shqyrtimit të Marrëveshjes, u dha të drejtë atyre që mbronin Shqipërinë. Çështja vazhdon të jetë e hapur. Kufijtë detarë shqiptaro-grekë nuk janë fiksuar ende dhe të dy vendet, Shqipëria dhe Greqia, presin një stinë tjetër politike për t’iu rikthyer asaj në rrethana më të përshtatshme…
Ngjarja e mësipërme ngacmon memorien historike të shqiptarëve dhe sjell ndër mend ndodhi të njëjta ose të afërta që kanë ngjarë në kohë të ndryshme… Një shekull e ca më parë, patriotët shqiptarë, në krye të popullit të vet, bënë përpjekje për të mbrojtur trojet shqiptare nga lakmitë e fqinjëve. Por Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, e viteve 1912-1913, pavarësisht përpjekjeve të Qeverisë së Vlorës për të siguruar integritetin territorial të vendit, shkëputi gati gjysmën e tyre. Pothuajse të gjitha qeveritë shqiptare që erdhën më pas, megjithëse u ndodhën para trysnive të shumta, nuk pranuan asnjë kompromis për të ceduar territore shqiptare në plotësim të pretendimeve të tjera të fqinjëve. Përkundrazi, bënë vazhdimisht përpjekje të sinqerta në Konferencën e Paqes në Versajë, 1919-1920, në Lidhjen e Kombeve, në Konferencën e Paqes në Paris, 1946, në OKB etj., për të siguruar rikthimin e territoreve të shkëputura padrejtësisht nga trungu amtar. Përjashtim bëhet vetëm në disa raste, kur trojet shqiptare iu dhanë vendeve fqinje me pëlqimin e vetë “shqiptarëve”… Më i fundit ishte ai që përbën objektin e këtij shkrimi, Marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare, nënshkruar në Tiranë, më 27 prill 2009. Ajo u prezantua si akt, përmes të cilit do të përcaktoheshin kufijtë shqiptaro-grekë në Kanalin e Korfuzit dhe në detin Jon; në fakt, ishte një marrëveshje cedimi territorial. Territori i lëshuar Greqisë përfshinte jo vetëm sipërfaqen, por edhe kolonën ujore, shtratin e detit, nëntokën e tij, si edhe hapësirën ajrore mbi sipërfaqen detare. Rëndësi të veçantë strategjike ka sidomos territori, në nëntokën e të cilit fshihen pasuri të çmuara hidrokarburesh dhe ku është projektuar të kalojnë tubacionet e gazsjellësve të rëndësishëm që do të transportojnë gazin Kaspik drejt kontinentit europian.
Reagimet për Marrëveshjen në Greqi dhe në Shqipëri
Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje politika greke e konsideroi një arritje strategjike të saj, duke e cilësuar si “ngjarjen më të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Greqi, qysh nga nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit”. Në Tiranë, autoritet zyrtare e njoftuan nënshkrimin e Marrëveshjes si diçka të rëndomtë, si një lajm standard, me pak radhë, ndërkohë që opinioni i gjerë publik shqiptar dhe mediat e përcollën me një shqetësim dhe jehonë të pazakontë. Ekspertë të fushës, të së drejtës ndërkombëtare dhe njohës të çështjes zbuluan një varg shkeljesh kushtetuese. Ndër të tjera, u vu në dukje se Konventa e Montego Bay Për të Drejtën e Detit, 1982, ratifikuar nga Republika e Shqipërisë me Ligjin Nr. 9055, dt. 24.04.2003, është zbatuar në dëm të interesave kombëtare të saj. Marrëveshja në fjalë e konsideronte tërësinë ishullore të Arkipelagut të Korfuzit dhe secilin prej ishujve si pika skajore për ndarjen dhe përcaktimin e kufijve detarë dhe të shelfit kontinental. Shqipëria ndodhet përballë Arkipelagut të Korfuzit, i cili ka 13 ishuj, shkëmbinj dhe cekina, të cilat, sipas Konventës së Montego Bay, nuk plotësojnë kushtin e raportit të ujit përfshirë brenda vijave bashkuese me tokën. Për rrjedhojë, përjashtohet përdorimi i vijave të drejta bazë që bashkojnë këta ishuj, duke marrë për bazë ishullin mëmë të Korfuzit (Myslim Pashaj, Deti që nuk falet. Tiranë: 2010). Qeveria u akuzua për mungesë kujdesi deri në tradhëti kombëtare në përcaktimin e koordinatave të delimitimit të hapësirës detare, duke mos shfrytëzuar siç duhet kriteret dhe parimet e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit. U denoncua ngutja e papërligjur nga ana e qeverisë për përfundimin e Marrëveshjes, për mosmarrjen në konsideratë të fakteve historike lidhur me kufirin shqiptaro-grek, refuzimin prej saj për të shfrytëzuar ekspertizën më të mirë të specialistëve shqiptarë dhe të huaj në negocimin dhe përgatitjen e Marrëveshjes, si edhe shpërfilljen e opinionit publik. Qeveria italiane i kishte shprehur gatishmërinë maksimale Ministrisë sonë të Jashtme për ta ndihmuar gratis Shqipërinë, jo vetëm me mjete, por edhe me ekspertë të saj gjatë këtij procesi. Përgjigjja ka qenë negative. Refuzimi i ekspertizës italiane mësohet se ka qenë plotësim i kushtit të vënë nga pala greke, që Shqipëria të mos ndihmohej në këtë proces nga një palë e tretë. ‘Preteksti’ i qeverisë shqiptare për refuzimin e ekspertizës falas italiane, sipas të njëjtave burime, ka qenë se ‘Shqipëria disponon mjetet dhe ekspertizën e duhur” (Tedi Blushi, “Kufiri, qeveria refuzoi ekspertizën italiane”, Gazeta Shqiptare, 2 maj 2009)…
Mendimet e ekspertëve shqiptarë konvergonin në idenë e cenimit të interesave kombëtare. Me këtë Marrëveshje, Shqipëria humbiste territor dhe, kësaj radhe, ndryshe nga herët e tjera, me pëlqimin e vetë qeverisë shqiptare.
Faktet që dolën në dritë përligjën shqetësimin e madh që u krijua në publikun shqiptar. Territori shqiptar po trajtohej sërish sikur të ishte pronë e disa politikanëve në pushtet, të cilët mund ta cedonin atë pa asnjë brerje ndërgjegjeje, për interesat e veta politike. Ndjeshmëria publike u rrit edhe për faktin se Greqia historikisht ka shprehur pretendime ndaj trevave shqiptare, pretendime të cilat vazhdojnë t’i ushqejnë ende segmente atavike të përfaqësuesve më tipikë të filozofisë politike ekspansioniste dhe të ideologjisë ekstremiste klerikale të Megali Idesë. Parë në këtë optikë, për palën greke Marrëveshja ishte pjesë e një strategjie, e cila përshkohet nga synime politike që bien ndesh me frymën e përgjithshme që karakterizon marrëdhëniet normale ndërmjet shteteve në kohën tonë.
Por, çuditërisht deklaratat euforike të palës greke, që e konsideroi atë një “sukses gjeostrategjik”, state of art apo “marrëveshje historike” si dhe sinjalet e fuqishme të alarmit që vinin nga ekspertët shqiptarë nuk ngjallën asnjë shqetësim tek autoritetet shqiptare. Përkundrazi, ndodhi ajo që nuk mund të besohej dhe që, në njëfarë kuptimi, përbën një rast unikal, pa precedent. Kreu i qeverisë shqiptare, anëtarë të kabinetit dhe funksionarë të tjerë të administratës shtetërore u vunë në mbrojtje të interesave greke. Ata nuk linin rast pa deklaruar se “asnjë metër nuk i është falur Greqisë”. Kushdo që e kundërshtonte Marrëveshjen e nënshkruar dhe, që me përgjegjësi atdhetare, me urtësi dhe etikë qytetare kërkonte rishikimin e saj, për të mbrojtur interesat dhe integritetin territorial të shtetit shqiptar, anatemohej si sharlatan apo injorant. Për një nga denoncuesit e kësaj marrëveshjeje, në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, më 29 dhjetor 2009, ish-kryeministri Sali Berisha thoshte: “Unë… shoh një sharlatan që kalon nga ekrani në ekran dhe çfarë thotë? Thotë se gjiri i Sarandës nuk është ai që ai vetë ka përcaktuar me dorën e vet dhe institutin që ka drejtuar, ka vizatuar dhe ua ka dhënë shqiptarëve në të gjitha tekstet dhe e ka përcaktuar në enciklopedinë e Shqipërisë, por gjiri i Sarandës është ai që ka përcaktuar legjenda… Pra absolutisht kemi të bëjmë, koncepti im më falni, me një sharlatan të mirëfilltë”. (Gazeta Shekulli, 31 dhjetor 2009).
Në këtë fushatë bënte përshtypje dhe nuk merrte përgjigje pyetja se, për ç’arsye ish-kryeministri dhe politikanë të tjerë shqiptarë, të cilët bartin përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese përpara popullit të vet, nuk i kuptonin ose hiqeshin sikur nuk i kuptonin qëllimet politike të Athinës zyrtare ndaj Shqipërisë, e cila, me këtë Marrëveshje, synonte të aneksonte 354.4 km2nga territori shqiptar? Përse këta politikanë, në deklarimet e tyre publike e konsideronin marrëveshjen e arritur me palën greke të bazuar në procedura normale? Përse ata donin t’ua mbushnin mendjen shqiptarëve se në veprimet e palës greke nuk kishte asgjë të dëmshme dhe asnjë synim të keq? Përse merrnin rolin e avokatit të palës tjetër dhe nuk i kushtonin rëndësi shqetësimit të ligjshëm të popullit të tyre, për të vlerësuar me realizëm dhe me përgjegjësi gjendjen politike aktuale në marrëdhëniet me Greqinë? Kryeministri dhe anëtarët e kabinetit të tij qeveritar lipsej ta dinin se ata nuk kanë asnjë tagër për të nxjerrë në treg dhe për të ceduar trojet e vendit për interesat politike të tyre. Shqipëria nuk është pronë e asnjë qeverie dhe e asnjë politikani; ajo është atdheu i të gjithë shqiptarëve që jetojnë brenda apo jashtë kufijve të saj shtetërorë, jo vetëm shqiptarëve të djeshëm e të sotëm, por edhe i të gjithë brezave të shekujve të ardhshëm…
Negociata formale dhe konspirative
Pas bërjes publike të procedurave të ndjekura, rezultoi se për përgatitjen e marrëveshjes gjithçka duket se ishte vendosur në disa takime informale në zyrat e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) nga funksionarë të saj apo në përfaqësinë diplomatike të Greqisë në Tiranë, nga diplomatë të ambasadës. Këtë e pohoi vetë ish-kryetari i delegacionit shqiptar. Një fakt i tillë u konfirmua edhe nga drejtoresha e Drejtorisë Juridike të MPJ-së në procesin e zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese, e cila saktësoi se Sekretari i Përgjithshëm i MPJ-së ishte takuar me ambasadorin grek në Tiranë për këtë çështje në datat 3 shtator 2008, 19 dhjetor 2008, 28 janar 2009, 28 shkurt 2009 dhe 6 mars 2009. Më 11 dhjetor 2008, Ministria e Jashtme e Greqisë kërkoi mbledhjen e komisionit të përbashkët. Më 6 janar 2009 u zhvillua mbledhja e radhës e atij komisioni në mjediset e MPJ-së në Tiranë. Më 20 janar 2009 u kërkua informacion nga ministritë e linjës që të shpreheshin mbi draftin e Marrëveshjes, ndërsa më 18 dhe 19 mars 2009 filluan dhe përfunduan (!!!) negociatat midis palëve. Takimet e “delegacioneve” duket se kanë qenë thjesht për të plotësuar një rit formal, të kërkuar nga legjislacioni në fuqi, ose për të zyrtarizuar një porosi “nga lart”.
Negociatat midis shteteve për çështje të tilla, për shkak të karakterit kompleks dhe të ndërlikuar, zgjasin me vite. Kështu ka ndodhur, fjala vjen, me bisedimet e zhvilluara për përfundimin e marrëveshjes për ndarjen e shelfit kontinental midis Shqipërisë dhe Italisë, të cilat u zhvilluan në shumë raunde dhe zgjatën shumë vjet (2003-1992). E njëjta gjë mund të thuhet p.sh. edhe për negociatat midis Rumanisë dhe Ukrainës për ndarjen e kufijve të tyre detarë, të cilat u zhvilluan në 34 takime dhe zgjatën gjashtë vjet. (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Çështja Rumania vs. Ukrainës & 18, 2, citohet sipas Agron Alibali, “Marrëveshja detare dhe Gjykata Kushtetuese, në vend të një letre amicus curiae”, revista MAPO, 18 dhjetor 2009).
I pashpjegueshëm në çdo pikëpamje mbetet fakti i mësipërm, i mbylljes së negociatave vetëm me disa takime brenda një harku kohor rreth njëvjeçar. Po ashtu nuk shpjegohet dot se përse pala shqiptare nuk bëri pjesë të grupit të vet disa nga specialistët më të kualifikuar të vendit. Në delegacionin shqiptar nuk pati asnjë nga anëtarët e grupit që rreth 15 vjet më parë negocioi dhe përgatiti marrëveshjen me Italinë, me pothuajse të njëjtin objekt. Nuk u përfshi as edhe ndonjë prej anëtarëve të delegacionit shqiptar që përfaqësoi Shqipërinë në punimet e Konferencës së Tretë të OKB-së Për të drejtën e detit, në Nju Jork e Gjenevë (1973-1982), të cilat duke zgjatur kaq shumë, shërbyen si një mundësi e jashtëzakonshme për kualifikim në çështjet që ishin objekt i negociatave ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe grekë në vitet 2008-2009.
Negociatat shqiptaro-greke u zhvilluan në një atmosferë fshehtësie të papërligjur dhe në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Të dyja palët u munduan që procedura e përgatitjes së Marrëveshjes të mbetej jashtë vëmendjes së opinionit publik dhe medias. Athina, me sa duket, i trembej reagimit të disa prej politikanëve të vet ekstremistë, të cilët nuk e kanë pranuar vijën e kufirit midis Shqipërisë dhe Greqisë dhe që marrëveshjen në fjalë mund ta shihnin si një njohje zyrtare të kufijve midis dy vendeve. Por ajo i trembej veçanërisht kundërshtimit që do të vinte nga opinioni publik shqiptar, i cili nuk mund të pajtohej kurrë me një cedim territorial të kësaj natyre. Sipas saj, publikimi i marrëveshjes para nënshkrimit të saj mund të çonte, sikurse edhe ndodhi në të vërtetë, në reagime të fuqishme në Shqipëri. Pala greke donte që hollësitë e Marrëveshjes të mos i mësonin as shqiptarët, as edhe partnerët e tyre amerikanë dhe europianë. Në kabllogramin e ambasadës amerikane në Tiranë (të koduar 08 TIRANA 745), të datës 9 tetor 2008, thuhet ndër të tjera se “zyrtari grek që drejton delegacionin grek…. paralajmëroi delegacionin shqiptar që të bien dakord me kërkesat e tjera të tyre dhe t’i mbajnë jashtë negociatave “Fuqitë e largëta”- që do të thotë ShBA-në. Një frazë identike është përdorur edhe në takimin e ambasadorit grek me ministrin e Jashtëm, Basha në Tiranë” (gazeta Panorama, 4 shtator 2011). Mirëpo, nëse kjo mund të justifikohet për palën greke, asgjë nuk mund ta motivonte dhe ta justifikonte qëndrimin konspirativ të qeverisë shqiptare.
Marrëveshja në Gjykatën Kushtetuese
Për një periudhë kohe, reagimet kundërshtuese të ekspertëve shqiptarë ndaj Marrëveshjes mbetën një zë në shkretëtirë jo vetëm për qeverinë, por edhe për opozitën shqiptare; kjo e fundit vetëm më vonë arriti ta kuptojë atë çka kishte ndodhur. Pas disa muajsh reflektimi, opozita mori nismën për ta kundërshtuar institucionalisht Marrëveshjen. Si rrugëzgjidhje legale e përshtatshme, u gjykua shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Kushtetuese, si organi kompetent më i lartë. Më 14 tetor 2009, Partia Socialiste dhe pesë parti të tjera opozitare vendosën bashkërisht t’i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë të shqyrtonte pajtueshmërinë kushtetuese të Marrëveshjes shqiptaro-greke për kufijtë detarë midis dy vendeve.
Synimi ishte korrigjimi i një padrejtësie kombëtare.
Më 8 dhjetor 2009, Gjykata Kushtetuese çeli seancën publike… Ajo dëgjoi palët dhe ekspertët e tyre, si edhe mblodhi e administroi provat përkatëse. Pas katër muajsh, më 15 prill 2010, shpalli vendimin. Në disa dhjetëra faqe arsyetoi qëndrimin e vet unanim për të hedhur poshtë Marrëveshjen. Gjykata e konsideroi të papajtueshme me Kushtetutën, lidhur me:
“a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes; b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes; c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve, me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm; ç) mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.”
Për arsyet e mësipërme… Gjykata Kushtetuese unanimisht vendosi: Deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 dhe 92 të Kushtetutës të marrëveshjes së lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë…
Konsiderimi i Marrëveshjes nul dhe e paqenë, për shkak të shkeljes së Kushtetutës, çoi në ndërprerjen e procedurave të ratifikimit të saj nga Parlamenti i Shqipërisë. Për rrjedhojë, caktimi i kufirit ndarës midis Shqipërisë dhe Greqisë në shelfin kontinental dhe në zonën ekonomike ekskluzive në Kanalin e Korfuzit dhe në detin Jon duhet të bëhet objekt i negociatave të tjera, të cilat do të duhet ta rishqyrtojnë çështjen nga e para, duke e trajtuar atë sipas përcaktimeve të Kushtetutës dhe legjislacionit shqiptar, Konventës Për të Drejtën e Detit, si edhe në përputhje me praktikën gjyqësore ndërkombëtare.
Vendimi i GjK-së ishte një fitore e madhe. Ai i tregoi qeverisë shqiptare se nuk mund dhe nuk duhet të shkelte kushtetutën dhe të dhuronte territor shqiptar, i tregoi qeverisë greke se zot i Shqipërisë nuk ishte ekskluzivisht qeveria, por, në radhë të parë e mbi të gjitha populli i saj. Vendimi i GjK-së, sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertët kompetentë, i shpëtoi vendit 354.4 km² territor shtetëror.