Ekonomia

Lotaria e kuponave tatimorë; në zarf mbi 50 kupona, me vlerë totale mbi 5 mijë lekë

Të gjithë qytetarët, që kanë kryer blerje të ndryshme duke tërhequr kuponin tatimor, nga data 15 nëntor e deri në ditën e fundit të këtij viti, mund të bëhen pjesë e lotarisë së parë fiskale në vend.

“Të gjithë kuponat tatimorë të kësaj periudhe, personat që duan të jenë pjesë e lojës duhet t’i mbledhin dhe t’i dërgojnë me zarf përmes Postës nga data 1 janar deri më 11 janar. Mbi zarf duhet shënuar nga vet individi që do të marrë pjesë në këtë lojë, numri total i kuponave brenda zarfit dhe vlera nominale totale e tyre”, tha Geraldina Prodani, sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Financave.

Mbi zarfet, që do të dërgohen përmes Postës, qytetarët do të shkruajnë adresën për lojën promocionale te shtëpia e letrave me vlerë. Por, pjesëmarrja ka një kufizim.

“Në zarf nuk mund të ketë më pak se 50 kupona dhe vlera nominale e tyre nuk mund të jetë më e vogël se 5000 lekë. Nuk ka kufizime në vlerën e kuponit, sepse jemi të interesuar të kapim çdo lloj kuponi, duke filluar nga ai 50 lekësh i kafes e deri te të mëdhatë”, tha Geraldina Prodani.

Lotaria do të ketë mbi 500 çmime fituese, të ndara në dy grupe, si çmime të mëdha dhe ato më të vogla. Për grupin e parë, fituesit do të përcaktohen sipas një formule, që bazohet te vlera e kuponave në zarf dhe numri i tyre.

“70 për qind e pikëve merren nga vlera e kuponave në zarf dhe 30 për qind nga numri i tyre. Në bazë të këtij vlerësimi pikësor do të bëhet edhe kategorizimi për çmimet. Çmimi i madh është mbi një milion lekë, që ndiqet nga 10 çmime pasuese me nga 100 mijë lekë”, tha më tej Geraldina Prodani.

Grupi i dytë, ai i çmimeve të vogla, do të shpallet nga sistemi kompjuterik i Tatimeve, i cili përzgjedh automatikisht dhe në mënyrë rastësore “bar kodin” e zarfeve. Në këtë grup ka 200 çmime me vlerë 15 mijë lekë dhe 300 të tilla me vlerë 10 mijë lekë.

“Ka shumë pyetje, njerëzit pyesin nëse është më mirë të konkurrosh me një zarf apo me disa të tillë. E para të jep më shumë mundësi për çmimin e madh, e dyta për çmimet e vogla. Ndaj është zgjedhje personale e gjithkujt”, deklaroi Geraldina Prodani.

Shorti për lotarinë do të hidhet në datën 15 janar. Shorti i parë do të shërbejë si test, ndërkohë që ministria thotë se, lotaria do të vazhdojë edhe më pas, por me një formulë që mbetet ende për t’u përcaktuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button