Arte

Piktorët e luftës

partiapartizaneHistoritë e tablove të luftës/ Nga “Partizani” në studion e Andon Lakuriqit, te “Me top asamblenë kombëtare” e Petro Kokushkës, e cila ndodhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve apo “Vojo Kushi” i Sali Shijakut… Ku ndodhen tablotë që i dhanë jetë një prej periudhave më interesante të historisë sonë…

Alda Bardhyli 

Lufta duket se ka qenë frymëzim për Lakuriqin, i cili një tjetër tablo dedikuar kësaj pjese të historisë e quan “Për ata që i kënduan luftës”. “Tabloja shtjellon një moment interesant, modest, por domethënës. Partizanët dhe fshatarët të ngjitur aty mbi fshat, janë ulur e po dëgjojnë një këngë për luftën, për dëshmorët e saj. E këndon këtë një djalosh i vogël, një nga ata që mbushën radhët e partizanëve (e jo më kot duke e parë këtë sjellim ndërmend Met Hasën e Çelo Sinanin, Lica Pinën e Kujtim Rulin etj., gjithë ata vogëlushë që lanë kopetë dhe shkuan maleve pas baballarëve, vëllezërve, e motrave të tyre) dhe e shoqëron me violinë një trim nga ata të malit. Në këtë peizazh të ashpër, si vetë jeta e shqiptarëve, shpërndahen tingujt melodiozë të këngës. Tablonë e përshkruan një dinamikë e brendshme, një patos epiko-lirik. Duke pasqyruar këtë episod piktori ka fiksuar edhe qëndrimin e tij estetik, ka futur ndjenjat dhe emocionet e veta, mendimet që i ka ngjallur ky realitet”, shkruan në gazetën “Drita” më 1 qershor 1975, Agim Faja. Veç djaloshit që i këndon, i armatosur me fishekë e me granata, një djalë tjetër simpatik e tipik fshatar, figurë interesante është dhe violinisti. “Me mjeshtëri violinisti është futur këtu si personazh. Është një prej atyre violinave që kanë mbetur të heshtura nëpër muzetë tanë, e si ciceronë flasin me heshtjen e tyre për bëmat e partizanëve, për udhët e luftës, bashkudhëtarë të të cilëve kanë mbetur dhe ata”, shkruan kritika për këtë tablo. Më 31 korrik, Lakuriqi ka 80-vjetorin e lindjes dhe këto tablo që sot ruhen si pjesë e kulturës sonë historike janë një homazh dhe për punën e tij. Por nuk është vetëm Lakuriqi që ka trajtuar luftën në veprat e tij. Artistë që erdhën në Shqipëri pas diplomimit në akademitë perëndimore, e reflektojnë këtë pjesë të historisë në tablotë e tyre, si Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Abdullah Cangonji etj., po kështu edhe artistë që janë formuar në Akademinë e Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera të Lindjes, si Sali Shijaku, Fatmir Haxhiu, Vilson Kilica etj. “Me top asamblenë kombëtare” quhet një pikturë e Petro Kokushkës, e cila ndodhet në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve. Një grup partizanësh, mes të cilëve dallohet dhe silueta e një femre, e cila mban shallin e kuq në qafë, janë gati të hidhen në fushën e betejës. Në fytyrat e tyre dallohet gatishmëria për të ecur drejt betejës, e për të dalë prej andej fitimtarë. Një tjetër pikturë që tregon shpirtin e luftës është dhe ajo dedikuar një personazhi të njohur të saj, Vojo Kushit, realizuar nga piktori Sali Shijaku realizuar më 1969-n. Komandanti i njësiteve guerile shqiptare, vjen në këtë pikturë me të gjithë forcën e karakterit të tij energjik. Kjo tablo ka brenda luftën dhe këtë e ndien me një vështrim, edhe pse brenda saj është vetëm një personazh. Shijaku i ka kushtuar luftës një seri tablosh, ku spikat e kuqja karakteristike e stilit të tij. Një pikturë e piktorit Pandi Mele, e quajtur “Ushtarët e revolucionit” (1968), duket sikur është realizuar pikërisht në një fushë lufte. Partizani ka vendosur tytën e armës në sy dhe është gati të qëllojë mbi kundërshtarin. Kjo pikturë duket sikur ka depërtuar në zemrën e luftës, duke e sjellë atë të zhveshur nga kodet, me gjithë agresivitetin që mbart. Ky artist i ka kushtuar një sërë tablosh kësaj periudhe. Në një tjetër, me të njëjtin titull, ai i jep partizanët duke lexuar një libër, në një moment pushimi. “Prita partizane” quhet një tablo e Nexhmedin Zajmit e realizuar më 1956-n, që ndodhet në fondin e Galerisë.

Tablotë e luftës zënë një vend të veçantë në historinë e artit tonë pamor. Ato gjenden jo vetëm në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, por edhe në studiot e piktorëve (një pjesë e tyre nuk jeton më), nën kujdesin e familjarëve. Është interesante të hedhim vështrimin në këtë moment të historisë sonë, e cila ende nuk është trajtuar ashtu siç duhet nga historia, por që ka marrë formë pjesë-pjesë përmes tablove të artistëve të asaj periudhe. Lufta, dhe pse është ndërtuar në tablo mbi imagjinatë, vjen si një shpërthim artistik i një plejade artistësh, që talentin e tyre e çuan për të ndërtuar këtë periudhë, e cila ishte pjesë e krenarisë sonë kombëtare, pavarësisht se sot ajo është një kohë që do ritrajtuar nga historianët. Këto tablo tepër të realizuara artistikisht, janë pjesë e historisë sonë të artit, të trajtuara me kujdes, me karaktere e personazhe që lindën prej imagjinatës dhe i dhanë jetë e zhvilluan pikturën shqiptare. Ne sot ende nuk kemi një studim mbi këtë periudhë dhe nuk e dimë vendndodhjen e një pjese të madhe të këtyre tablove, që duhet të jenë vendosur njëra pas tjetrës në ndonjë dhomë të mbyllur të errët, pas ikjes nga jeta të autorëve. Kjo pjesë e historisë sonë të artit këto vite është paragjykuar, çfarë ka bërë që këto vepra të mënjanohen, dhe të jenë shumë rrallë të ekspozuara. Një pjesë e tyre nuk dihet që ekzistojnë, e shihen vetëm si kujtime familjare, nga të afërmit e artistëve që u dhanë jetë, pa e ditur se ato janë historia e vërtetë e artit tonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button