Politika

Piloti i drogës, PD: Interpelancë me ministren për hetimin e ngjarjes

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Rama, pasi sipas saj, e ka shndërruar Shqipërinë në një Kolumbi të Evropës, duke vënë në shërbim të trafikantëve të drogës infrastrukturën shtetërore.

Albina_Dede13janarNë një deklaratë për shtyp, deputetja e PD-së, Albina Deda ka pohuar se grupi parlamentar i PD-së, i kërkon Ministres së Mbrojtjes të bëjë një transparencë mbi këtë rast, duke hedhur dyshime se piloti që humbi jetën në Spanjë, mund të jetë rekrutuar nga strukturat shtetërore.

Deda ka kërkuar një hetim mbi përfshirjen e Forcave të Armatosura në trafikun ndërkombëtar të drogës, duke thënë se do të kërkojë në Kuvend një interpelancë me zonjën Kodheli për hetimin e kësaj ngjarjeje

Deklarata e plotë

“Partia Demokratike i kërkon Ministres së Mbrojtjes të bëjë transparencë mbi rastin e majorit të Forcave të Armatosura të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.

Kjo është një çështje e rëndësisë publike, ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe nuk mund të trajtohet nga Edi Rama apo zonja Kodheli si punë e tyre personale.

Kur një major, nga më të besuarit, siç pranohet zyrtarisht, përfshihet në trafik ndërkombëtar droge, një ministre nuk mund të fshihet e të bëjë arroganten.

Ne do të kërkojmë në parlament interpelancë me zonjën Kodheli, por ftojmë prokurorinë të nisë një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes.

Si ka mundësi, që shërbimi informativ i ushtrisë, apo strukturat e tjera monitoruese nuk kanë informacion për oficerët me detyra kaq delikate sa majori në fjalë, i cili ishte një nga pilotët e besuar të flotës tonë ajrore?

Si mund të rekrutohet majori i besuar nga trafikantët ndërkombëtarë të drogës?

Të dhënat tregojnë se majori ka hyrë dhe ka dalë 6 herë nga vendi gjatë vitit të fundit deri para pak ditësh kur ndodhi ngjarja në Spanjë.

A ka të dhëna Ministria e Mbrojtjes, se ku shkojnë oficerët, dhe me çfarë aktiviteti merren kur janë jashtë shtetit për specializim?

A është ai i vetmi oficer që ka kryer këtë aktivitet, dhe a kanë dijeni eprorët për këto raste?

Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe janë bërë shumë reforma e përpjekje për arritjen e standarteve në këtë sektor në shumë vite.

Por me Edi Ramën ka vetëm kthim mbrapa. Fabrika kokaine e shndërrimi i vendit në Kolumbi të Evropës. Pak kohë më parë, u zbulua se insfrastruktura e mbrojtjes ishte përdorur për trafik droge. Në fillim Edi Rama dhe Ilir Meta u tallën dhe i quajtën avionët e narkotrafikut mushkonja, por më pas të dhënat treguan përdorimin kriminal të Gjadrit dhe pikave të tjera dhe qeveria u detyrua nga presioni publik e qytetar të mbyllë aerodromet.

Rasti i majorit të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge është një tjetër dëshmi që tregon se ku ka përfunduar integriteti i forcave tona të armatosura.

Duhet transparencë e plotë dhe e menjëhershme për rastin. Duhet llogaridhënie deri në pikën e fundit.

Partia Demokratike do të vërë në lëvizje çdo mjet derisa kjo ngjarje të zbardhet e të dalin të gjithë përgjegjësit e përgjegjësitë për implikimin skandaloz të forcave të armatosura në trafik ndërkombëtar droge”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button