Plakja e popullsisë, Shqipëria arrin rekord pensionistësh
Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve në vend e për pasojë, nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për vitin 2016, numri i personave në pension arriti në 611,544 persona, me një shtesë prej mbi 12 mijë e 600 pensionistësh nga 2015-a.
Për pasojë, shpenzimet ndaj përfituesve u rritën me 4,5 miliardë lekë vitin e kaluar, ose rreth 32 milionë euro.
Në harkun kohor të gjashtë viteve, numri i pensionistëve u rrit me 12,6% ose 68,491 persona.
Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2016, u raportuan 611,544 të tillë.
Sipas të dhënave që i përkasin harkut kohor 2010-2016, ritmet e rritjes së numrit të pensionistëve u zgjeruan pas 2012-s. Në dy vitet e mëparshme, numri i tyre është rritur me pak më shumë se 5 mijë persona, por në vitin 2013, në skemë janë shtuar mbi 16 mijë pensionistë, më 2015 mbi 15 mijë pensionistë. Ritmet janë ulur dy vitet e fundit, për shkak të reformës së re në pensione, që zgjati moshën e daljes në pension me 6 muaj në vit për gratë.
Për pasojë, shpenzimet për arkën e pensioneve janë rritur dukshëm. Në vitin 2010, sipas të dhënave të ISSH-së, shpenzimet për pagesat e pensioneve ishin 63.7 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, këto pagesa arritën në 90.5 miliardë lekë, me një rritje 42%.
Shpenzimet për pensione për vitin 2016 shënuan rritje vjetore me 5,6%.
Në fillim të vitit 2017, popullsia e vendit sipas INSTAT ishte 2,876,591 persona, ndërsa numri i pensionistëve në këtë vit, sipas ISSH, ishte 611,544. Për rrjedhojë, të moshuarit në moshë pensioni, përbënin 24% të popullsisë së vendit.
Plakja e popullsisë sot është një fenomen botëror dhe një nga arsyet kryesore të reformimeve të skemave të pensionit. Vende të ndryshme e kanë adresuar në mënyra të ndryshme problemin, që nga krijimi i incentivave për rritjen e lindshmërisë, duke rritur shpërblimet, subvencionet e familjeve me shumë fëmijë, njohje ose dhurim të periudhave të sigurimit për çdo fëmijë ose kohës së kujdesit ndaj fëmijës, rritjes së moshës së daljes në pension ku disa vende po e rrisin deri në 70 vjet.
Një projeksion i popullsisë u realizua edhe në vitin 2014, në momentin e hartimit të reformës së pensionit, si një pjesë integrale dhe shumë e rëndësishme e projeksionit të ecurisë së sistemit të pensionit deri në vitin 2080.
Ky projeksion i të gjithë të dhënave demografike të mbledhura tregon një tendencë të tkurrjes së popullsisë rezidente në Shqipëri, rënie të lindshmërisë, plakje të popullsisë dhe rritje të peshës specifike të popullsisë mbi 65 vjeç në raport me totalin e popullsisë. Nëse në vitin 2012, popullsia rezidente në Shqipëri ka qenë rreth 2.9 milionë banorë, në vitin 2080 parashikimet janë për një tkurrje të ndjeshme dhe popullsia në këtë vit do të jetë rreth 2–2.1 milionë banorë.