Plani 20-mld $ i FIFA-s për Kupën e Botës përballet me kundërshtimin e UEFA-s: Asnjëri nga ne nuk është pronar i futbollit
Plani i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të krijuar një kompani prej 20 miliardë dollarësh që do të drejtojë Kupën e Botës me investitorë privatë, përfshirë familjen Kushner u njoftua të martën e djeshme dhe hasi reagim të menjëhershëm nga organi evropian i futbollit UEFA.
Planet e Infantinos për të formuar një degë tregtare, e cila do të quhej FIFA Forward Enterprise, e cila do të zhvillonte gara si Kupa e Botës dhe Kupa e Botës për Klube, u raportuan për herë të parë nga The Times of London.
FIFA tha në një deklaratë se FFE do të mbledhë deri në 4.2 miliardë dollarë më vonë këtë vit për të ndihmuar në financimin e programeve të zhvillimit “bazuar në një vlerësim fillestar të kapitalit prej 20 miliardë dollarësh duke zgjedhur me kujdes investitorë afatgjatë që do të blejnë interesa minoritare, jo-kontrolluese”.
Investitorët e synuar përfshijnë Thrive Eternal të lançuar nga Joshua Kushner, vëllai i të cilit Jared Kushner është dhëndër i Presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Lidhur me çështjen ka reaguar organi evropian i futbollit, UEFA, i cili ka shprehur një mori kundërshtimesh ndaj institucionit të FIFA-s dhe deklaratave të presidentit të saj.
“Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë asete për t’u tregtuar, veçanërisht me zero transparencë se kush fiton financiarisht”, tha UEFA të martën, duke iu përgjigjur raporteve për shitjen e aksioneve në garat e FIFA-s.
Sipas UEFA-s, është kaluar një vijë institucionale dhe ata po e trajtojnë çështjen me shumë seriozitet.
“Kjo kalon një vijë që institucionet qeverisëse të futbollit nuk duhet ta kalojnë kurrë. UEFA e merr jashtëzakonisht seriozisht. Kështu duhet të bëjë çdo Shoqatë Kombëtare e Futbollit”, tha UEFA në një deklaratë të lëshuar menjëherë pas publikimit të artikullit të Times.
Ndërkaq, Infantino e konsideron çështjen një proçes demokratizimi të futbollit duke përforcuar qëndrimin e tij.
“Kjo ka të bëjë me demokratizimin e futbollit në mbarë botën”, tha Infantino në një deklaratë të FIFA-s, e cila shtoi se “ka filluar një proces konsultimi”.
Skica e njoftimit surprizë të së martës u detajua nga Infantino anëtarëve që u takuan në Manhattan më 18 korrik, një ditë para finales së Kupës së Botës midis Spanjës dhe Argjentinës. Atje, presidenti i FIFA-s premtoi të “zhvillojë potencialin dhe mundësinë komerciale që ka FIFA”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.