Plani britanik, Merkel: Një fillim i mirë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel e përshkroi si një fillim të mirë planin britanik për të drejtat e qytetarëve europianë në Britani pas Brexit.
Megjithatë, ajo shtoi se ka ende shumë pyetje për Brexit dhe ende shumë punë për të bërë. Propozimi britanik u paraqit nga Kryeministrja Theresa May gjatë samitit euriopian në Bruksel të enjten. Plani i jep leje qëndrimi të përhershme qytetarëve europianë që kanë jetuar 5 vjet në Britani si dhe akses në shërbimin shëndetësor, arsim dhe përfitime të tjera.
Plani prek rreth 3,2 milionë qytetarë te BE që jetojnë në Britani dhe të drejtat e tyre, bashke me ato të britanikëve që jetojnë në vendet e tjera të unionit, janë mes çështjeve kryesore që duhen zgjidhur që në fillim të bisedimeve për Brexit, krahas kufirit me Irlandën e Veriut dhe faturën e divorcit.
Theresa May e bëri të qartë se qytetarët evropianë që kanë jetuar për 5 vjet në Britaninë e Madhe do të ruajnë të drejtat e tyre të plota.
“Ky është një fillim i mirë. Por sigurisht që ka shumë pyetje të tjera rreth Brexit dhe kjo do të thotë se kemi ende shumë punë për të bërë deri në tetor”, deklaroi Merkel.
Vendet e BE kanë shumë çështje për të diskutuar në samitin dy ditor dhe liderët pretendojnë se Brexit nuk është tema kryesore, megjithëse duket qartë se është e zorshme të shmanget. Sipas Merkel, e ardhmja e BE me 27 anëtarë është prioritet dhe vjen para çështjes së negociatave për largimin e Britanisë.