Plani i ri i Tiranës, Boeri: Të rrëzojmë ndërtesat e vjetra për t’i rindërtuar
“Në disa pjesë të Tiranës ka ndërtesa aq shumë të degraduara e që konsumojnë energji, saqë është më e kushtueshme t’i riparosh e t’i rikthesh siç ishin, sesa t’i rrëzosh e t’i rindërtosh me një arkitekturë të re dhe me cilësi”. Kjo është përgjigjja e dhënë prej arkitektit dhe urbanistit italian, Stefano Boeri, i pyetur nga gazetari Sokol Balla në një intervistë për “Top Story”, nëse njëra prej rregullave për të ardhmen e kryeqytetit ishte pikërisht shkatërrimi i pallateve ekzistuese dhe ndërtimi i të rinjve.
Sokol Balla: Zoti Boeri, jemi në Tiranë.
Stefano Boeri: Po jemi në Tiranë dhe jam shumë i gëzuar. Është një qytet që e dua shumë dhe besoj se, në vitet e ardhshme mund të bëjë gjëra të mëdha.
Sokol Balla: Nuk është hera e parë që ju vini në Tiranë, apo jo?
Stefano Boeri: Jo, unë kam ardhur në Tiranë, në Shqipëri, shumë herë. Kam provuar disa herë të marr pjesë në konkurse si arkitekt, por dua të them se nuk kemi fituar kurrë, derisa arritëm të fitonim tani, me një konkurs edhe më të rëndësishëm, sepse duhet të mendojmë për Tiranën dhe të ardhmen e saj. Është një konkurs shumë i bukur.
Sokol Balla: Një nga projektet e tua më të bukura është ai i “Kopshtit vertikal”.
Stefano Boeri: Po.
Sokol Balla: Mund të themi që jemi në një “Kopsht vertikal” shqiptar, apo jo?
Stefano Boeri: Ju po bëni shaka, por…
Sokol Balla: Po, sigurisht që bëj shaka. Ta krahasosh këtë, me atë të Milanos…
Stefano Boeri: Isha në Paris dy javë më parë…
Sokol Balla: Po.
Stefano Boeri: I ftuar nga kryetarja e bashkisë, sepse në Paris po përgatisin një projekt të madh për të rritur me 20% hapësirat e gjelbërta të qytetit. Dhe e fillojnë nga tarracat, nga tarraca e bashkisë, atyre të shkollava, të ndërtesave publike. Kjo është një çështje, sepse gjelbërimi nëpër sipërfaqe është i rëndësishëm, sepse thith ujin, e mban atë, ul nxehtësinë gjatë periudhave të nxehta. Ka edhe një funksion tjetër në biodiversitetin, sidomos për shpendët. Është pjesë e një beteje të madhe për të rritur sipërfaqet e gjelbërta nëpër metropolet e mëdha.
Sokol Balla: Por Tirana dhe kryetarët e saj të bashkisë i kanë zhdukur hapësirat e gjelbërta. Nëse shohim përreth, përveç kësaj tarrace nuk është se sheh të tjera.
Stefano Boeri: Kjo është një nga sfidat më të mëdha që ne duam të ndërmarrim. Duam të mendojmë për një qytet, që nëse do ta thoja në zhargonin teknik, do ta quaja një qytet të demineralizuar. Pra, aty ku ulen sipërfaqet me minerale dhe rriten ato biologjike, të gjelbërta. Që do të thotë mbi të gjitha parqe dhe kopshte.
Sokol Balla: Është e mundur?
Stefano Boeri: Pse jo?
Sokol Balla: Pyes, sepse Tirana është si një park betoni?
Stefano Boeri: Unë mendoj se është e mundur, por me disa zgjedhje shumë të forta. Unë mendoj që i gjithë sistemi i parqeve qëndrore, për të cilat kemi folur këto ditë; mendoj për projektin e parkut “Fate”, mendoj për një ridizenjim të qendrës, mendoj për bulevardin e ri për të krijuar një mushkëri të madhe të gjelbër; janë projekte që mund ta ruajnë strukturën e një qyteti kryeqytet, ashtu si Tirana duhet të jetë dhe ka qenë, por duke rritur numrin e pemëve, të bimëve, gjelbërimin, sepse mendoj që kjo është një shenjë e mirë, që do t’i jepnim të ardhmes së qytetit.
Sokol Balla: Kur do të jetë gati ky plan i ri i Tiranës?
Stefano Boeri: Ne po punojmë. Takimi i së premtes ishte takimi, ku ne mbyllëm fazën e dëgjimit. Le të themi që këto dy muaj kemi dëgjuar, kemi lexuar, kemi mbledhur dokumente. Kemi krijuar me administratën një grup pune të përbashkët. E shtuna ishte shumë e rëndësishme, sepse rreth disa temave të rëndësishme për të ardhmen e Tiranës kemi mbledhur kritika, projekte dhe propozime. Kjo është edhe mënyra, me të cilën kemi vendosur të punojmë, pra të mos mbyllemi në një zyrë për 6 muaj dhe të elaborojmë idetë tona, por edhe t’i krahasojmë ato që në fillim. Edhe stimujt e parë që patëm i kemi krahasuar. Kemi ftuar universitetet, kemi ftuar specialistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe më duhet të them që na shërbeu shumë, sepse tani kemi në dorë rreth 30 propozime shumë të rëndësishme, serioze dhe konkrete. Jo abstrakte, por konkrete.
Sokol Balla: Ky nuk është plani i parë urbanistik i Tiranës, por me siguri do jetë plani i parë urbanistik i Tiranës së re.
Stefano Boeri: Po.
Sokol Balla: Por, t’i marrim një nga një. Në fillim ka pasur shumë plane.
Stefano Boeri: Po.
Sokol Balla: Plane të cilat kanë qenë “të Ramës”, “të Bashës”, por kurrë plane “të Tiranës”. Cili do të ishte dallimi i këtij të riut nga të tjerët? Pra, cila do të jetë firma e një eksperti, e një arkitekti, sepse Tirana gjithmonë ka pasur firmën e arkitektëve politikë, kjo që nga kohërat e Enver Hoxhës.
Stefano Boeri: Dua të them dy gjëra. Unë vij nga një vend si Italia, aty ku janë planifikuar numri më i madh i planeve urbanistike, të mbivendosur, të përzierë, rajonalë, lokalë, provincialë, metropolitanë… Dhe përsëri, Italia është një vend që është zhvilluar pa pasur parasysh planet. Unë jam një urbanist dhe fati më i keq i një projekti është të mbetet në letër. Projekti mund të jetë i pastër, perfekt, por duke mos pasur potencial. Prandaj ne e nisëm në një mënyrë krejt tjetër, nuk u nisëm me ide abstrakte dhe pastaj me një pastërti t’i transformonim idetë në norma. Por u nisëm nga problemet e qytetit, nga propozimet, nga energjia dhe burimet që janë sot të gjalla në Tiranë, e nga aty të krijojmë projekte që janë të realizueshme. Pastaj duhen disa rregulla. Pak rregulla, jo 50 të tilla. Unë bësoj, jo më shumë se 10 rregulla të mëdha për të ardhmen e këtij qyteti.
Sokol Balla: Cilat janë këto?
Stefano Boeri: Këtë nuk e them tani. Po punojmë, por mund t’iu them ndonjërën. Për shembull, mendoj dhe e kemi biseduar tani, të ndërtojmë duke mbajtur në konsideratë gjelbërimin. Kjo është thelbësore, pra të vendosim një standard për gjelbërimin, që të jetë fikse për të gjitha pjesët e qytetit. Një rregull tjetër mund të jetë ai, që ta mendojmë qytetin të zhvillohet jo duke zaptuar fshatra, por duke u zhvilluar së brendshmi. Duke ristrukturuar ndonjë pjesë të asaj që është ekzistente. Një rregull i tretë…
Sokol Balla: Duke shkatërruar pallatet ekzistuese dhe duke ndërtuar të reja?
Stefano Boeri: Të shkatërrosh nuk është gjithmonë gjëja e duhur. Kur mund të përmirësosh duhet të përmirësosh, por duhet të dish që ka pjesë të qytetit, që kanë ndërtesa aq të degraduara e që konsumojnë energji, sa është më e kushtueshme t’i rikthesh siç ishin, sesa t’i rrëzosh dhe t’i rindërtosh me një arkitekturë të re dhe me cilësi. Ky është një avantazh edhe për atë që është pronar. Prandaj unë besoj se duhet ta mendojmë këtë, ashtu siç duhet të mendojmë faktin, që një nga rregullat e mëdha – me të cilat po punojmë edhe në Berlin, Londër, Milano – është ajo e barazimit, që do të thotë të lejosh në bazë të disa vendimeve të bëra në plan, të zhvendosësh të drejtat vëllimore. Pra, nëse unë jam pronar dhe mund të ndërtoj 20, por të drejtat e mia janë të ndërtoj 100, atëherë këtë 80 unë e spostoj diku tjetër, ku mund të ndërtoj edhe më shumë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, që do ndërtuar me shumë kujdes, por shumë e rëndësishme.
Sokol Balla: Me kujdes, sepse duke ju dëgjuar dikush, mund t’i interpretonte fjalët tuaja në lidhje me zhvillimin e brendshëm të qytetit, se ndoshta mund të shohim edhe më shumë si këto monstra çimentoje.
Stefano Boeri: Jo, jo. Kjo është shenjë e një projekti të ndërprerë, të një projekti që u nis, por pastaj ngeli në mes. Dhe është shenja më e shëmtuar për një qytet që mendon për të ardhmen, dhe e bën këtë me një ndërtesë të lartë, e që shikohet nga të gjithë duke treguar një pa sukses. Ne duhet ta evitojmë këtë. Unë, kur them të shpërndaj sasinë, flas për një Tiranë me disa qendra, sepse ne këtë duam: një Tiranë që nuk ka vetëm…
Sokol Balla: Që nuk ka vetëm këtë…
Stefano Boeri: Ndryshe nuk ka kuptim. Duhet të krijojmë disa pika me intensitet më të lartë funksionesh, shërbimesh, aktivitetesh. Këto bëhen, disa herë, duke rindërtuar pjesë të qytetit. Kjo është një rrugë themelore, është një rrugë, ku duhet të kalojnë të gjitha qytetet që duan ta rinisin nga fillimi.
Sokol Balla: Një nga problemet e një Tirane me disa qendra është fakti, që transporti publik është tejet modest. Apo jo? Kemi autobusa, por nuk ka tram, nuk ka metro, nuk ka hekurudha të brëndshme, siç ka në metropololet e mëdha si Londra, Milano, e të tjera.
Stefano Boeri: Po, kjo është një e temë e rëndësishme. Mendoj që duhet të bëjmë gjithçka për të rikuperuar infrastrukturat, që sot mund të rikuperohen ende. Mendoj për linjën hekurudhore që të çon në aeroport, gjë që mund të bëhet…
Sokol Balla: Linja Tiranë-Vorë?
Stefano Boeri: Ajo mund të bëhet sipas meje, një vend shumë interesant për një sistem të ri mbi hekurudhat, i mbrojtur. Por kemi një problem më të përgjithshëm në qytet. Unë besoj se, këtu është e pamundur të ngrejmë disa ëndrra. Nëse unë do të thoja që pas 10 vitesh Tirana do të kishte një transport publik, që do të arrinte ngado, do të thoja një ëndërr. Unë mendoj që ne duhet të punojmë shumë me transportin publik, mbi tokë, aty ku është e mundur. Por edhe të bëjmë një investim të madh me “makina elektrike” dhe mbi ekonominë e “sharing” (shpërndarjes) mbi lëvizjen. Sepse në situata si kjo e Tiranës, pjesa e makinave është ende me një stok shumë të vjetër, benzinë plumb. Është gati më e lehtë të investosh për të ardhmen, duke përdorur faktin që sot ka disa kompani automobilistike, që kanë kuptuar se makina elektrike është një perspektivë e mirë. Edhe nga këndvështrimi i “sharing”, pra të kesh mjete lëvizëse të përbashkëta, si taksia. Por edhe nga këndvështrimi i makinave private, mendoj që kjo është një sfidë e rëndësishme.
Sokol Balla: Ju keni vizituar Bashkinë e Tiranës, por do të jeni i pavarur në krijimin e planit?
Stefano Boeri: Totalisht! Ne kemi një zyrë ku zhvillojmë projektin, kemi edhe një grup pune me administratën, me të cilët përballim planin. Shkojmë e dëgjojmë propozimet sepse, në mënyrë që të evitojmë që një projekt të mbetet në letër, duhet të mos mendosh se do i ndryshosh të gjitha. Kur ne erdhëm këtu, në fillim thamë të njihnim të gjitha ato që do të ndodhnin, që kishin ndodhur apo që po ndodhnin, domethënë projektet, planet, pritshmëritë. Të premten edhe i dëgjuam. Jemi këtu dhe nuk mendojmë se do të kthejmë çdo gjë përmbys…
Sokol Balla: Zërat duhet të dëgjohen. Por duart politike, duart që komandojnë dhe që kanë akses në këtë ndërtesë, do të ndërhyjnë në planin tuaj?
Stefano Boeri: Kam punuar në Brazil, në Sao Paulo. Kam punuar shumë në Itali. Kam punuar në Moskë. Po punoj në Kinë, ndërkohë që kam punuar edhe në Paris. I njoh shumë mirë raportet me politikën, sepse kam qenë edhe administrator për pak kohë në një qytet të madh, në Milano, si vlerësues. Besoj se i njoh shumë mirë marzhet, që një teknik mund t’i lërë politikës, dhe limitet përtej të cilave politika nuk duhet kurrë të ndërhyjë. Kjo për mua është një pjesë thelbësore e punës.
Sokol Balla: Si pyetje të fundit, dua një mendim tuajin për projektin e ri. Në fakt nuk është i ri, por projekt i vjetër që është bërë i ri përsëri, ai për sheshin “Skënderbej”. Ju e keni parë, ju ka pëlqyer?
Stefano Boeri: E pamë pardje, një projekt që fillon të japë një sërë sinjalesh të rëndësishme. Mua më duket një projekt pozitiv, sigurisht që do parë në brendësi të të gjithë sistemit. Unë do të thoja që, me planin e ri, ajo që do të bëjmë është të mendojmë se, projekti për qendrën nuk duhet parë i ndarë nga projekti për parkun “Fate”, sa për shembull. Janë një sërë sistemesh që duhet të punojnë bashkë, të kenë të njëjtën filozofi, sikurse edhe zbatimi i bulevardit duhet të jetë i një filozofie. Prandaj, ajo që ne do të bëjmë është t’i marrim këto projekte dhe të kuptojmë sesi mund të jenë në koherencë, edhe duke i ndryshuar nëse do të jetë nevoja. Përfshi këtu hapësirat kulturore dhe ato fetare, që edhe ato janë një çështje e rëndësishme për Tiranën sot.
Sokol Balla: Faleminderit shumë.
Stefano Boeri: Faleminderit edhe ju.