P/ligji, si do veprohet nëse një bankë shkon në faliment
Banka e Shqipërisë ka çuar në parlament një projektligj që parashikon se si mund të bëhet ndërhyrja e shtetit në një situatë të jashtëzakonshme në banka të nivelit të dytë.
Një nga qëllimet e këtij projektligji është shmangia sa më shumë e nevojës për ndërhyrje me fonde nga shteti. Projektligji synon të vendosë në dispozicion të Bankës së Shqipërisë (Autoritetit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme) një tërësi instrumentesh ligjore për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshmërisht e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha ose në gjendje kolapsi në mënyrë që të sigurohet vijueshmëria e funksioneve financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës.
Këto instrumente sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë të jenë aksionarët dhe pas tyre kreditorët, me kusht që asnjë kreditor të mos mbartë humbje më të mëdha se humbjet që do të pësonte nëse banka do të ishte likuiduar sipas procedurës së zakonshme të likuidimit të detyruar.
Projektligji i propozuar i jep Bankës së Shqipërisë një tërësi instrumentesh ligjore në dispozicion për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshmërisht e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha ose në prag kolapsi.
Falimentimi i një banke mund të cenojë interesat e depozituesve. Në nje rast të tillë ka interes publik për vënien e bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe zbatimin e instrumenteve përkatëse.
Instrumentet e parashikuara në projektligj sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps të tillë të bankës të jenë aksionarët dhe pas tyre kreditorët. Për këtë, projektligji parashikon krijimin e një fondi me kontribute kryesisht të vetë bankave i cili synohet të konsolidohet në disa vjet dhe në rast të një rreziku në përputhje me kushtet e përcaktuara në projektligj të përdoret për të “shpëtuar” një apo disa banka. Ky fond do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave.
Nga ana tjetër, ndërhyrja në një bankë, duke ruajtur vijimësinë e veprimtarisë, mundet që, si masë të fundit, pasi të jenë ezauruar instrumentet e tjera të parashikuara në projektligj, do të kërkojë përdorimin e instrumenteve shtetërore të stabilizimit financiar, përfshirë edhe pronësinë shtetërore të përkohshme.
Banka e Shqipërisë mund të ketë edhe të drejtën për të shkarkuar dhe zëvendësuar administratorët e bankës dhe organet drejtuese të saj, të drejtën për të emëruar një administrator të posaçëm, të drejtën për të transferuar aksionet, aktivet dhe detyrimet e bankës te palët e treta pa marrë miratimin e aksionarëve ose kreditorëve, si dhe të drejtën për të anuluar aksionet ekzistuese dhe emetimin e aksioneve të reja me qëllim zëvendësimin e aksionarëve ekzistues.