Po me Besin ç’patën?!
ILIR YZEIRI
Videoja që parodizonte vrasjet me pagesë të politikanëve shqiptarë me dorës aktorin e talentuar të “Portokallisë”, Besart Kallaku, ishte vërtet e bukur dhe paraqiste perceptimin kolektiv të një afere që, ashtu siç është paraqitur, është një lëndë e bukur për humor. Humori është ana më e sinqertë e ndjeshmërisë njerëzore dhe pjesa më moderne e të vështruarit të botës. Shoqëritë postmoderne sidomos, dallohen nga heqja dorë prej epikës moderne që e përcaktonte njeriun si formulë të kombinimeve etnike, ideologjike, regjionale e kështu me radhë. Karikatura dhe humori janë gjendjet reale të parodizimit të së kaluarës historike, folklorike, politike e kështu pafund. E gjithë kjo, veç të tjerash, ndodh pse njeriu postmodern e sheh veten e tij si qendër të botës dhe jo njeriun social apo kafshën politike që ishte produkt i frymëzimeve etnike, nacionaliste, regjionale etj. Ky është një diskutim i gjatë që këtu nuk është vendi të shtyhet më tej. Ngjarja që dua të analizoj është sulmi politik ndaj aktorit të talentuar të “Portokallisë” të njohur si Bes Kallaku, humori i të cilit u vlerësua si një akt politik prej PD-së, e cila nxori në konferencë për shtyp dy figurat më të larta të saj, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar. Ata e dënuan videon e aktorit dhe shpallën se ajo ishte porositur nga Edi Rama për të diskredituar ngjarjen tragjike sipas tyre të atentatit të mbetur në tentativë ndaj deputetit Tom Doshi. Kjo deklaratë e PD-së është në vetvete një video që të shkul gazit. Deklarata të tilla i bën Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Koresë së Veriut, i cili arriti të bllokojë një film për Kim Jong Unin dhe shtetin e Kalifit. Një deklaratë e tillë u ngjet të gjitha sulmeve verbale që bëhen nga radikalët islamikë kundër karikaturistëve perëndimorë që kanë guxuar të pikturojnë profetin Muhamet. Në këtë rast, Bes Kallaku është njësoj si “Sharli Hebdo”, sepse akuza ndaj tij është politike. Mirëpo ta vlerësosh artin si një veprimtari politike kjo është as më shumë e as më pak, por frymëzim nga partishmëria komuniste. Arti perëndimor dallohet nga arti komunist i Koresë së Veriut dhe nga tradita e vendeve islamike, sepse ai nuk ka tabu ideologjike dhe politike. Mirëpo, PD-ja, në këtë rast, e ka identifikuar veten me Partinë e Kim Jong Unit të Koresë së Veriut dhe me shtetet radikale islamike që e përfillin artin si shprehje të politikës. Kjo është një nga shenjat më të zeza të kësaj force politike, sepse me këtë qëndrim ajo ka nxitur në rrjetet sociale pranë saj histerinë e linçmit të aktorit të talentuar të “Portokallisë”, duke treguar se është një parti e vjetër, e kalbur ideologjikisht dhe se ka reminishenca qoftë nga komunizmi, qoftë nga radikalizmi islamik. Është e kotë të përmendim shembuj nga Perëndimi se çfarë lirie ka atje arti dhe se deri ku mund të shkojë humori dhe sarkazma. Humori apo ironia dhe satira e Bes Kallakut nuk ka të bëjë me ngjarjen reale. Cilado ngjarje politike që ndodh prodhon edhe një efekt mbi publikun. Aktorët e talentuar të humorit apo karikaturistët kanë ndjeshmërinë e lartë, sepse tek ata nuk mbërrin efekti apo mesazhi i atij që e prodhon ngjarjen, por mbërrin efekti dhe mesazhi i ngjarjes vetë që në rast se zmadhohet apo në rast se del nga norma, shkakton humor, pra është një lëndë e mrekullueshme për punën e tyre. Në këtë kuptim edhe videoja që u shpërnda nga deputeti Doshi në të cilën paraqitej dorësi që tregonte se si kishte marrë porosinë për të vrarë deputetin, ishte një model i mrekullueshëm për të bërë humor, mjaft që të ndryshoheshin personazhet. Më e bukura e videos së realizuar nga Besi i “Portokallisë” ishte ironia dhe humori me qeverinë e sotme, pra me ministrat e Edi Ramës. Autorët e videos satirike e kishin shfrytëzuar modelin e denoncimit të Tom Doshit si një format brilant për të satirizuar qeverinë e Edi Ramës. Në atë video ishte parodizuar jo vetëm performanca e qeverisë, por edhe personazhet e saj. Mua më ka mbetur në mendje vetëm një personazh, Arben Ahmetaj, ministri i Ekonomisë së Edi Ramës i cili perceptohet aq pa vlerë sa Besi vetëm për atë nuk ka porosi, sepse ai nuk i hyn në punë askujt. Humori apo arti nuk janë realitet ato ndërtojnë një realitet tjetër që mbështetet mbi perceptimin e artistit të talentuar dhe të ndjeshmërisë së tij. Humori dhe satira jo vetëm që nuk kanë kufij politikë dhe ideologjikë, por nganjëherë e kapërcejnë edhe kufirin emocional dhe arrijnë në kufirin e cinizmit më të lartë. Po sjell një shembull. Para disa ditësh në Argjentinë, gjatë xhirimeve të një telerealiteti të TF 1-shit humbën jetën dhjetë persona. Ishte një tragjedi e rëndë për Francën, mirëpo një nga karikaturistët e talentuar belgë, Pierre Kroll, i njohur për provokimet e tij nganjëherë jashtë të gjitha kufijve, boton një karikaturë me titull “Të vdesësh për një telerealitet”. Një burrë në kolltuk që sheh TF 1 dhe përkatësisht telerealitetin që shkaktoi tragjedinë dhe nënshkrimi ishte: “E trishtueshme – tani e morëm vesh fundin e telerealitetit”. Pra edhe një ngjarje e tillë tragjike bëhet lëndë për satirën. Këtu mendimet ndahen dhe secili mund të jetë ose jo në një mendje me të. Por të sulmosh Besin e “Portokallisë” me konferencë shtypi dhe në faqen e parë të gazetës së partisë pse ai parodizon një ngjarje të rëndomtë politike kjo është e pakuptimtë dhe shumë e rëndë për një forcë politike që lindi si triumf mbi komunizmin dhe errësirën. Për fat të keq, PD-ja nuk e kupton dhe nuk e di se çfarë përfaqëson. Ajo është e lirë të ndotë ambientin me deklarata lufte, por nuk duhet ta identifikojë veten me fundamentalistët komunistë të Koresë së Veriut apo me fundamentalistët islamikë që mallkojnë në salla të errëta xhamish artistë dhe shkrimtarë. Kjo është një njollë e rëndë edhe për lirinë në këtë vend.