Opinion

Po populli ku është?

Nga Bedri Islami

 

Fillimisht me lejoni të tregoj një histori të një kohe të shkuar:

Duhet të ketë qenë fillimi i viteve ’70 të fundshekullit të shkuar, kur policia dhe sigurimi i shtetit, në orën 2 të natës, shkuan të arrestojnë njërin nga priftërinjtë e mbetur ende jashtë burgjeve.

Trokitën me forcë dhe, duke lebetitur motrën e fëmijët e saj, kërkuan priftin që do të arrestonin.

Kur po i vendosnin prangat, i thanë me zë të rreptë:

Në emër të popullit…, kjo ishte formula.

Prifti ngriti kokën, i shikoi dhe u tha qetësisht,

-Të cilit popull? Populli është në gjumë…

Kjo ngjarje e hershme, nuk di se sa është e saktë në hollësitë e saj, më është kujtuar në gjithë këto ditë. Për një shkak të thjeshtë.

Në mesin e bulevardit kryesor të Tiranës është ngritur një çadër, e cila nuk është problem që ka bllokuar bulevardin, por për më shumë se kaq.

Në këtë çadër të opozitës, që po e quajnë edhe çadër e lirisë, ( në të vërtetë brenda saj janë aq shumë njerëz që duhej të ishin në paliri), flitet aq shumë për popullin, sa që mund të mendosh se aty është mbledhur ajka e këtij populli dhe se, turma dhjetra mijëshe kanë mbushur sheshin 24 orë pa ndërprerje, aq sa edhe jeta normale është e bllokuar.

Në çadër flitet për popullin dhe populli nuk është aty. Në çadër përbetohen për popullin pikërisht ata që e kanë rrjepur sa nuk ka më, deri në thelbin e qenësisë së tyre.

Në çadër betohen se janë aty për t’i kthyer pushtetin popullit pikërisht ata që për më shumë se dy dekada kanë hipur mbi zverkun e popullit dhe kanë bërë pasuritë e pashoqe, si askush tjetër.

Në çadër hyjnë e dalin njerëz, me radhë e me sërë, një herë nga një qytet, një herë tjetër nga një qytet tjetër, herë herë pensionistë e herë minatorë, të cilët dëgjojnë fjalë nga njerëz, të cilët, po të mos ishin të njohur, do t’u ishte dashur të mendonin se vijnë nga një planet tjetër me misionin e shpëtimit të këtij vendi.

Në çadër janë edhe deputetët e opozitës. Njëri që nuk e di se çfarë flet, një tjetër që shpërndan qofte, pastaj dikush tjetër që është merakli i farëve të lulediellit; hyjnë opozitarë që para katër viteve donin të burgosnin dhe të linçonin pikërisht këtë opozitë, por edhe njerëz të mençur, njerëz të ndershëm, të devotshëm, të lodhur, të cilët, duke dëgjuar një retorikë kaq agresive janë bërë kuriozë se çfarë ka ndryshuar.

Por populli nuk është.

Populli vazhdon po atë jetë të qetë si më parë, ka po ata interesa e kundërshti; disa mbështetin qeverinë dhe këto janë të shumtët, megjithëse të lodhur nga mungesa e fjalës së mbajtur; të tjerë me opozitën, më të paktë, pasi kështu ka qenë gjithnjë e kështu do të jetë edhe më tej.

Populli nuk është në çadër. As nuk futet dot në çadër. Është jashtë saj, jo se përmasat e çadrës janë të vogla, por sepse idetë që ajo përcjell, më shumë se dobi e popullit, janë mbrojtja e një klase politike që përmes mburojës gjoksore të popullit fsheh krimin e saj.

Basha, por, oh zot!, edhe Nard Ndoka, thirren se këtë e bëjnë për popullin. Atyre nuk u intereson pushteti. Nuk u intereson asgjë, pasi kryefjala e tyre është populli. Për popullin flet edhe Spahiu, “kalorësi” më shvejkan që ka pasur ndonjëherë politika shqiptare; për popullin flet edhe Berisha, dhe nuk e di se për cilin popull, shqiptar, që e la gjithnjë më të varfër nga sa e gjeti, apo për popullin meksikan ku pushon i biri me të dashurën; për popullin flasin të gjithë dhe asnjëri prej tyre nuk është popull. Mund të jenë gjithçka, hajdutë, vrasës, urdhëruesvrasjesh, mashtrues, puthadorë, pa atdhe, në shërbim të agjencive antishqiptare, por jo popull.

Vetm një orë dore e Bashës vlen sa 800 rroga mujore të një minatori; vetëm vila e Bodes kërkon punën e 1 mijë viteve të një muratori; aq sa kushtojnë vilat e Topallit kërkojnë mundin e 500 viteve të një mekaniku; vlera e pronave të Rulit apo të Pollos kërkon qindra vite pune të një njeriu të zakonshëm. Sa shpenzon Shkelzen Berisha në një muaj një familje e zakonshme shqiptare nuk shpenzon në një vit… dhe i lejohet pasi për një transferim firme të babait të tij, që sot thirret në popull, ai merrte kesh 300 mijë euro. Këto të deklaruara, se sa mbante çanta e tij kjo është diçka krejt tjetër.

Në çadër, sado thirren në popull, populli nuk është.

Nuk është sepse nuk mund të besojë se ujqërit e vitit 2013 kanë ndërruar zakonin, kur as qimen nuk e kanë ndërruar.

Kohë e çuditshme.

Flasin e betohen për popullin pikërisht ata që e robëruan atë.

Ata që prej kohësh duhej të kishin dëgjuar, “ në emër të popullit”. Atëherë edhe do të fillonte ndërtimi i Republikës së Re. I Republikës së Drejtësisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button