Opinion

Po sikur të ishim Greqia ?

Nga Sokol Shameti

sokol shametiPër shumë prej nesh, ajo që po ndodh në Greqi është më tepër një mendim i mjegullt dhe i përciptë. Të përcipta dhe plot etiketime banale kanë qenë raportimet e medias.

Çfarë shqiptarët dinë është se “e majta ekstreme” – siç e quajnë SYRIZA-n me keqdashje tinëzare – ka marrë pushtetin atje. Kujdes mos bëni të njëjtin gabim, paralajmëron ky lloj raportimi pas inaugurimit të Gjethnajës plot mjete përgjimi me nëntekst veglash torture, apo ekspozimit të kundërgazeve që sot besohen gjerësisht se të mbrojnë nga rrezatimi nuklear.

Njëjtë sipas po kësaj teknike frikësuese, edhe në rastin e Greqisë dhe perspektivës së një ndryshimi radikal (rrënjësor) në politikën e atjeshme, opinioni publik i këtushëm mbahet nën një verbëri të qëllimshme. Një taktikë kjo ose e dizinformacionit, ose e heshtjes. Një formë e re censure, e cila parandalon vështrimin e qartë mbi atë se çka po ndodh dhe kështu deformon gjykimin realist.

Gjithçka që na është lejuar apo orientuar të krijojmë si opinion publik në Shqipëri rreth Greqisë së viteve të fundit duhet të përmblidhet në një ide të përgjithshme, të shpejtë dhe të përbërë mundësisht nga sa më pak fjalë klishe: Ky është një vend në krizë; Europa me Gjermaninë në krye po mundohet ta zgjidhë këtë krizë dhe; grekët të pabesë dhe mashtrues siç i njohim nga epika nacionaliste, po mundohen t’ua hedhin atyre që i mbajnë me bukë. Dhe kujt? Europës të cilën e duam pa kushte apo Gjermanisë të cilën e idealizojmë si kryeqendra e përpikërisë.

Ndërkohë që ne kemi vazhduar të llokoçitemi në këtë moçalishte të rehatshme, cila është situata reale? Mirë pra, kemi mbërritur sot në ditën kur e majta radikale e SYRIZA-s i dërrmoi shkaktarët e krizës në një palë zgjedhje sa të parakohshme aq edhe të jashtëzakonshme. Ky rezultat i ka futur në alarm të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare. Greqia do të dështojë, po i japin karar tani të gjithë ata që e kanë parë këtë ngjarje vetëm pasi u është filtruar dhe detoksikuar nga përmbajtja e rrezikshme që mund të ngjallte ndonjë ide krahasuese mes kastës së degjeneruar politiko-ekonomike të Greqisë dhe vëllamëve të tyre në Shqipëri.

Realisht, është qesharake dhe irrituese përciptësia mendjelehtë me të cilën po përjetohet në Shqipëri një nga momentet më të rëndësishme që ka ngritur pikëpyetje të forta mbi modelin e dështuar ekonomik aktual në atë vend. Një model ekonomik, tek i cili, edhe vetë Shqipëria vazhdon të këmbëngulë prej afro 25 vjetësh. Por ndoshta arsyeja e kësaj përciptësie të qëllimtë, qëndron pikërisht këtu.

Për ta sintetizuar sa më qartë atë që po ndodh, duhet të përdorim një kod kuptimi shqiptar. Për t’u ndezur njerëzve të ndjerit “si te vetja” të asaj që po kalon tjetri, u duhet përshkruar kjo histori si të ishte nën kontekstin e shtëpisë së tyre.

Paramendoni pra, një vend të vogël dhe të varfër si Shqipëria e cila vendos një ditë se shteti është i keq, se ai të internon dhe pushkaton, se ai të ushqen me tollona dhe ta racionalizon bukën. Imagjinoni sikur ky vend i vogël e i varfër, të vendosë në vijim se filozofia me të cilën do të organizojë ekonominë dhe jetën shoqërore këtej e tutje është se: gjithë burimi i të mirave vijnë nga sektori privat, bankat, ndërmarrjet privatizuese etj. Jo shtet, jo komunitet. Po privat, po individ. Kjo është ideja.

Përfytyroni sikur në Shqipëri, për shkak të kësaj “linje” të caktuar dhe udhëzuar nga “lart”, shthurja të rrezikojë të hyjë në një cikël të sistematizuar rrënimi: kompani shtetërore që degradohen qëllimisht dhe nuk japin shërbimin për të cilin paguhen; kompani energjetike përndjekëse; spitale publike të lëna në dorë të fatit, pa mjete, pa sistem efikas kontrolli, me paga që do e nxisnin edhe një engjëll të korruptohej; me shkolla-kapanone të mjerueshme; me sistem pensionesh në nivel lypjeje; me polici e ushtri të telendisur, rrjedhimisht me autoritet shtetëror të gjunjëzuar si në kontekstin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar.

Ndërkohë paramendoni sikur kjo logjikë rrënuese të jetë kredoja ekonomike e të dyja “krahëve” të politikës të cilat të besojnë se vetëm duke e degjeneruar në maksimum rolin e sektorit publik, por ndihmojnë begatimin e vendit. Imagjinoni sikur kjo të jetë vija e kuqe të cilën ato nuk duhet ta shkelin. Ato bien dakord që të luftojnë njëra-tjetrën me gjithçka, deri edhe me armë, por kurrsesi të mos ndërhyjnë në ndërprerjen e këtij cikli shkatërrues të publikes duke ruajtur vazhdimësinë nga pushteti i njërës te tjetra.

Imagjinoni gjithashtu, sikur kjo perspektivë e zymtë ta shndërrojë atë pak sektor publik të shpartalluar e të stigmatizuar, në një plaçkë shpërblyese lufte për militantët e të dyja partive. Imagjinoni sikur qeveritë që dalin nga këto parti, ta urrejnë aq fort sektorin publik, saqë me këmbëngulje të paepur nga mandati në mandat ta shndërrojnë atë në strofull strehuese për inkompetentë të korruptuar që përmes mjeljes së publikes, shkatërrimit të shërbimeve të saj etj., të grasatojnë makineritë elektorale që riciklojnë në pushtet këto parti.

Sigurisht që një sistem i tillë publik nuk mund të funksionojë. Ai ka një gojë të madhe. I nevojiten paga për armatën e nëpunësve të vet. Fatura rritet, sepse vetë sistemi i ndërtuar për të qenë humbës, prodhon humbje përherë në rritje.

Mendoni për një moment, sikur për të zgjidhur këtë problem “të vogël” e “normal” të një ekonomie të ndërtuar mbi padrejtësinë, qeveritë të bënin një tjetër hap të padrejtë. Të merrnin borxhe në emër të publikut te kompani private, kryesisht banka. Përmes këtyre borxheve që delegohen nga një brez pushtetarësh te tjetri, qeveritë të paguanin ineficiencën e sektorit publik të cilin ato vetë e duan ineficient, të korruptuar dhe në shërbim të axhendave të veta partiake.

Sigurisht në një moment të caktuar, privatët të cilëve u janë marrë borxh para për të krijuar idenë sikur ky lloj shteti antishtet funksionon, do t’i donin paratë mbrapsht. Provoni merrni një kredi dhe të mos e shlyeni këstin në kohë. Nëse një qeveri refuzon të paguajë borxhin që ka marrë për të mirëmbajtur sistemin e rremë të “tregut”, ajo zëvendësohet shumë kollaj. Pushteti në një vend si ky, nuk do të ishte kurrë politik. Pushteti në vende si këto është ekonomik dhe është në duart e atyre që sponsorizojnë ardhjen në qeveri të asaj apo kësaj pale me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit që mirëmban fitimet e tyre. Pavarësisht shtrëngimit të darëve mbi publikun. Pavarësisht shkurtimeve të pandalshme, pavarësisht uljes së pagave me lloj-lloj teknikash (ulje është edhe kur pagat nuk rriten ndërkohë që tolerohet rritja e çmimeve), përmes krijimit të idesë së rrëmujshme të riformatimit të sistemeve që krijojnë konfuzion për ca vjet derisa të merret vesh se prapë nuk funksionojnë. Ndërkohë, këstet e borxheve vazhdojnë të paguhen ndërsa laku në fytin e popullit vazhdon të shtrëngohet ngadalë.

E përmbledhur me pak fjalë, në të vërtetë kjo panoramë nuk është tamam ajo që ka ndodhur në Greqi. Kjo është vetëm ajo që populli grek pa se PO FILLONTE të ndodhte. Imagjinoni sikur gjithë ky skenar i tmerrshëm të realizohej në Shqipëri. A nuk do të ishte e papranueshme? A nuk do të ngriheshin njerëzit të kërkonin drejtësi? A nuk do t’i ndëshkonin me shporrje nga skena politike ato parti që do të kishin organizuar dhe zbatuar një lojë të tillë cinike me qytetarët? A nuk do të ndërtonin vetë qytetarët forma të reja organizimi politik, si SYRIZA në Greqi për t’u dhënë një përgjigje të drejtë dhe që anon nga populli, kësaj gracke të rëndë dhe mizore të ngritur me mjeshtëri për kaq e kaq vjet?

Ja pra pse grekët me të drejtë votuan masivisht SYRIZA-n, duke hapur një kapitull të ri emancipues jo vetëm për ekonominë, por edhe për shoqërinë e tyre, e cila po na tregon se ende ka vlera të forta mendimi kritik dhe transformimi. Si dhe ja pse, ndoshta shqiptarët e meritojnë plotësisht fatin e tyre si vend i shkretuar nga po ai model ekonomik e politik të cilin grekët sot po e flakin në mënyrë demonstrative, në koshin e plehrave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button