Pogradec- Basha: Të hapim derën e bashkisë për qytetarët
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi paraditen e së hënës takimin elektoral të radhës në qytetin e Pogradecit, ku kërkoi votën e pogradecarëve për kandidatin e PD-së për këtë bashki, Eduard Kaprin, duke shprehur bindjen se, me zgjedhjen e Kaprit, hapim derën e bashkisë për qytetarët.
Në fjalën e tij, Basha tha se më 21 qershor qytetarët do të ndëshkojnë me votë ata që i varfëruan, dhe i shtuan taksat e u rritën çmimet.
“Ata nuk kanë asnjë zgjidhje për këto probleme. Ata thonë vetëm fjalë boshe, sepse nuk kanë interes tjetër veçse pushtetit absolut. Prandaj gjërat kanë shkuar keq e më keq”, tha Basha. Ai akuzoi dyshen Rama-Meta se i ka bërë kohët edhe më të vështira për qytetarët, duke rritur taksat, çmimet dhe duke vonuar rrogat.
“Do të mbyllim kapitullin e një pushteti që bën sikur nuk ju sheh. Do të hapim dyert e një bashkie që dëgjon hallet e shqetësimet tuaja, e ofron zgjidhje për to. Shqiptarët fitojnë më pak, paguajnë më shumë. Taksat janë më të larta, edhe çmimet e faturat”, ka vijuar kryetari i PD-së.
“Pasiguria e madhe ka pllakosur kudo. Mijëra janë të pasigurt nëse do t’i mbajnë vendet e punës, ndërsa mijëra të tjerë i kanë humbur. Shqiptarët sot paguhen më pak dhe paguajnë më shumë”, ka thënë Basha.
“Ky është momenti për të dhënë llogari dhe për të bërë bilancin, por këta po i shmangen bilancit. Ata kanë synim vetëm kapjen e Pogradecit dhe kthimin e tij në një çiflig të Ilir Metës dhe LSI-së”, theksoi Basha.