Polici që vrau Nahel Merzouk do të gjykohet për vrasje, vendos Gjykata e Apelit e Versajës
Një polic francez do të gjykohet për vrasje për vrasjen e një adoleshenti në vitin 2023, e cila shkaktoi protesta të dhunshme në të gjithë vendin, njoftoi të martën Gjykata e Apelit e Versajës, siç njofton Reuters.
Polici Florian M. qëlloi Nahel Merzouk-un, 17 vjeç, në periferi të Parisit, Nanterre, më 27 qershor 2023, pasi adoleshenti nuk iu bind urdhrit për të ndaluar makinën. I riu vdiq më pas nga plagët e marra.
Akuza ndaj policit ishte ulur në fillim të këtij viti në dhunë të vullnetshme me pasojë vdekjen, por pas një apeli të suksesshëm në gjykatën më të lartë të Francës, Gjykata e Versajës e rishqyrtoi çështjen. Të martën ajo vendosi se ka prova të mjaftueshme që ai të gjykohet për vrasje.
Sipas ligjit francez, akuza e vrasjes dënohet deri në 30 vjet burg, kundrejt 15 vjetëve për dhunën e vullnetshme me pasojë vdekjen pa qëllim vrasjeje. Avokati i policit, Laurent-Franck Lienard, i tha televizionit BFM TV se klienti i tij do të apelojë sërish, ndërsa avokatja e familjes së Nahel Merzouk-ut, Yasmina Belmokhtar, i tha Reuters-it se nuk mund të komentonte, pasi ende nuk e kishte lexuar të plotë vendimin.
Një video e verifikuar nga Reuters tregonte policin teksa qëllonte me armë në momentin kur shoferi po largohej. Pamjet u përhapën gjerësisht në rrjetet sociale dhe çuan në disa net trazirash në të gjithë Francën. Grupet për të drejtat e njeriut e akuzojnë prej kohësh policinë franceze për racizëm sistemik, dhe këto akuza ishin në zemër të trazirave të vitit 2023.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.