Politika e Ramës/ Të jap ç’të duash, më lër të bëj ç’të dua
1. “Sulmi kibernetik iranian nuk e arriti qëllimin, praktikisht sistemet janë kthyer në punë”, deklaroi Rama të nesërmen e hakerimit të shtetit që drejton. Pavarësisht se në flea market (pazarin e pleshtave), togu i rrangullinave shqiptare, nga targa e makinës sime tek videot e delinkuentëve, nga dosjet penale tek datat e vaksinimit të Covid-it, shitej dhe shitet për 557 $. Padyshim që ndër 20 blerësit e parë ishin SDB-ja serbe, KYP-i grek, FSB-ja ruse dhe simotrat e FSB dhe SDB-ve. Përse Irani shiit kreu kundër Shqipërisë pjesërisht shiite/bektashije, sipas Ramës një “agresion të mirëfilltë luftarak”? Përse nuk ju vërsul Bosnies a Malit të Zi? Belgjikës a Zimbabves ?
Për Spiegel-in gjerman “shkak i sulmit ishte prania në Shqipëri e mijëra Muxhahedinëve që tentojnë të përmbysin regjimin e Iranit.” Pas këtij konstatimi Spiegel i drejton Ramës pyetjen ballore “a do dëshironit që të largohet ky grupim ?. Vetë Rama, pas përqafimit simbolik të globit, ju përgjigj Spiegel-it me një jo të prerë: “Jo. Shqipëria është krenare për strehimin e njerëzve në rrezik”.
Me 23 shtator 2022, Rama ja zbërtheu hollësishëm tezën humane Alastair Campbell-it, gazetarit të mikut Tony Blair: “Në Irak, Muxhahidinët po masakroheshin nga shërbimi iranian… I morëm në Shqipëri sepse ne gjithnjë i mirëpresim njerëzit në rrezik… Këtë e kemi në ADN tonë dhe nuk pendohemi kurrë për atë që kemi bërë dhe që do bëjmë.”
Po me 23 shtator 2022, Rama përcolli drejt e burgut gazetarin Ahmet Olur, i cili kishte kërkuar strehim politik në Shqipëri. Ashtu si dhe dy vjet më parë kishte përcjellë në burg mësuesin Harun Çelik dhe, po të mos e kishte ndalur Gjykata e Strasburgut, po përcillte edhe profesorin e shquar Selami Şimşek. Humanizmi dhe Rama eksplodojnë po ranë bashkë. Si e tillë arsyeja e futjes në Shqipëri e Mujahidin Khalq-ëve, Luftëtarëve të Besimit Islam, është krejt tjetër. Së pari cilët janë Mujahidin Khalq-ët ? Sa i përgjigjet të vërtetës supozimi se në vitet ’70 ata vranë 6 amerikanë dhe hodhën në erë kompanitë amerikane në Iran (Nilo Tabrizy, MEK.: The Group John Bolton Wants to Rule Iran, New York Times, May 7, 2018) ? Përse MEK-u u dëbua nga Franca në vitin 1986?
2. Shkrimi i Patrick Kingsley në New York Times (Highly Secretive Iranian Rebels in Albania,Feb 17, 2020 ), analizon bindshëm pikpyetjet e mësipërme. Sipas tij “njerëzit që e kanë jetuar revolucionin, kur dëgjojnë emrin Muxhahediin dridhen… Pas rrëzimit të Shahut, Mujahidin Khalq-ët (MEK) kaluan në Irak ku u morën në mbrojtje nga Saddam Hussein-it,… por pas pushtimit të Irakut ata i dorëzuan armët dhe u morën në mbrojtje nga amerikanët… Qeveria amerikane, e cila e kishte damkosur MEK-un që në listën e parë si organizatë terroriste (8 tetor 1997), e rehabilitoj në vitin 2021 dhe pas një viti ata u mirëpritën nga qeveria shqiptare… Ditmir Bushati, ministri i Jashtëm socialist i viteve 2013- 2019, na deklaroj se “qeveria shqiptare shpresonte se një mikpritje e tillë do t’i sillte simpatinë e Washington-it…” (“The Albanian government hoped its hospitality would curry favor with Washington.” Sipas Collins Dictionary, Would curry: përpjekja për të fituar mbështetje nëpërmjet servilizmit.)
Shumë persona e kanë braktisur kampin e MEK-ut në Manzë… Takova dhjetë syresh dhe secili më tregoi se flirti dhe seksi ishin rreptësisht të ndaluar, kontaktet me familjen krejtësisht të reduktuara dhe miqësitë të padëshiruara… Në seancat periodike të rrëfimit, duhet të rrëfeheshim dhe bënim autokritikë nëse na kishte lindur ndonjë dëshirë seksuale ose mendim i gabuar. “Pak nga pak dhe ti je i dërrmuar”, thotë Abdulrahman Mohammadian i vetëlarguar nga kampi. “Ti nis t’i bindesh vetëm rregullave. Ti nuk je më vetvetja. Ti je një makinë”.
Shoqëruesit nuk na i treguan Troll factory-t, sallat e internetit ku postohen fyerjet dhe provokimet… Në këto faktori shahet qeveria iraniane, lëvdohet udhëheqja muxhahedine dhe promovohen lobistët. Ndër ta zëri më i mbrehtë i përket John Bolton-it, Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare që ka marrë me dhjetëra mijë dollarë për cilësimin e MEK-ut opozitë legjitime e Iranit… Kapiteni Matthew Woodside, ish mbikëqyrës i kampit xhihadist në Irak, më tha se MEK “është një organizatë e neveritshme. Jam shumë i habitur si u ndodhën në Shqipëri”.
3. Shkrimi i New York Times të fut në realitetin e frikshëm të botës imagjinare të Nineteen Eighty-Four të Orwell-it. Ku personi që po ekzekutohej ishte i lumtur, pasi i biri që e spiunoi ishte nderuar për këtë me titullin “Spiuni i Vogël”. “Big Brother is watching you”. “Mos harroni asnjëherë! Patronazhistët ju njohin mirë… Edi Rama është vetëm patronazhisti më i gjatë”, një titull ky që në mjedisin orwellian do konvertohej në “Spiuni më i Gjatë”.
Rituali i autokritikës më solli ndërmend edhe mbledhjen urgjente të tetorit ’96 për çështjen e E.S., i cili kishte munguar në leximin në kolektiv të artikullit të Enver Hoxhës. Veçanërisht fjalinë e fundit të E.S: “E kuptoj gabimin e madh që kam bërë, pavarësisht se isha në Butrint dhe nuk më lajmëroj kush”.
Kuintesencë e shkrimit të New York Times është mesazhi se bashkëkombësit e tij po përpiqen të zëvendësojnë jahjatollenjt e vrazhdët, të çmendur dhe fanatikë, me jahjatollenj po të vrazhdët, të çmendur dhe fanatikë. Si në paradoksin e Anubhav Sinhas: “Amerikës iu deshën 4 presidentë, mijëra jetë, triliona dollarë dhe 20 vjet kohë për t’i zëvendësuar talebanët me talebanë.”
Personalisht zhapinjtë e gjelbër dhe zhapinjtë ngjyrë kafe, i grupoj në specien zhapinj dhe për mua antipod i regjimit mbytës iranian nuk është anëtarja e partisë që pozon me kostum të shëmtuar burrash dhe shami mavi në kokë, por Hadis Najafi e veshur sport dhe pa shami. Të cilën e vrau me 6 plumba “policia e moralit”, simotra iraniane e “policisë së mendimit” të Orwell-it.
4. Sigurisht punët dhe synimet e Amerikës janë punët dhe synimet e Amerikës, por pyetja është ç’punë kemi ne me punët e Amerikës ? Përse duhet që të ngatërroheshim me superpotencën hakeriste që na ngjiti zgjeben e kuqe a të qenve, falë së cilës do kruhemi gjatë ? Përse Amerika nuk i strehoj Mujahidin Khalq-ët në Amerikë por i plasi në Shqipëri? Përse përveç Saddam Hussein-it dhe Edi Ramës asnjë shtetar nuk i pranoi Mujahidin Khalq-ët? Ramën e urdhëruan që t’i strehonte në Shqipëri, Khalq-ët, apo si Dankos të Maksim Gorki-t “iu ndez zemra zjarr nga dëshira për të shpëtuar njerëzimin”?
Fraza “qeveria shqiptare shpresonte se kjo mikpritje do i sillte simpatinë e Washington-it”, e plotësuar me shprehjen e Luigjit 14-të “Shteti jam unë”, tregon se autor i zbarkimit Khalq është Edi Rama. I cili në vitin 2013 nuk iu nda sekretarit Kerry dhe ministrit Lavrov, deri sa ia doli që t’i merrte helmet kimike siriane në Shqipëri. Duke e kthyer Shqipërinë në koshin vullnetar të plehrave ndërkombëtare. Kaq sa për Iranin, për Afganistanin historia është disi më ndryshe.
Pas rakapjekthjes amerikane nga Afganistani, udhëzimet e menjëhershme nuk i dha Biden, por Rama: “Shtetet anëtare të NATO-s të kujdesen për njerëzit që punuan për ne (!), që besuan në atë që po sillnim ne (!), që u rreshtuan me atë që donim ne (!) për të ardhmen e Afganistanit”. (Si dëshmi se grotesku nuk është shpikje e imja por emfazë e Ramës, po e sjell tekstin në origjinal “The NATO member states need to take care of the people that were there for us and worked for us, believed in what we were bringing there and aligned with what we wanted for the future of Afghanistan”)
Këto udhëzime dhe strehimi imediat i 2500 afganëve, e shuguruan Ramën me medaljen dhe titullin “Global Innovator”, që sipas Vocabulary.com ka kuptimin “Ndreqësi Novator i Planetit”. Në ceremoninë e shugurimit, Rama vetëm sa shqiptoi me modesti “thjesht bëra gjënë e duhur”. Abigail Hauslohner shkroi në Washington Post (The wrong plane out of Afghanistan, Aug. 15, 2021), “Ndërkohë në Shëngjin kanë lindur dy duzina bebesh, së paku një njeri ka vdekur dhe fatura e qëndrimit në hotelet është milionëshe… “Qeveria amerikane nuk mban asnjë përgjegjësi për këta njerëz”, tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. “Taksapaguesi amerikan nuk do marrë asgjë përsipër”.
Pak a shumë mbajini me shëndet. Rama tashmë e ka medaljen e tij si ndreqës i planetit, taksapaguesi amerikan nuk do paguajë asnjë cent dhe taksapaguesi shqiptar do paguajë 8 euro/familje për medaljen e Ramës.
5. Për mos t’i tjerrur pafund bëmat ndërkombëtare të Ramës po ndalem tek Durrësi, për të cilin Rama po kujdeset papushim që edhe ai të ketë bazën e tij detare. Jo për flotën shqiptare, pasi mbi 100 anijet dhe nëndetëset e periudhës komuniste ka kohë që janë kthyer në skrap, por për ADN e mikpritjes detare shqiptare. Pas sekretarit Stoltenberg, Rama iu saldua komandantit Wolters: “Do t’i tregojmë nesër gjeneralit se në këto kohë të rrezikshme, besoj se ai sërish do rikonsiderojë për të pasur një bazë detare të fjalës së fundit të NATO-s në Shqipëri”, u shpreh Rama me marshin zik-zak.
Çka do të thotë se Wolters, ashtu si Stoltenberg “nuk e konsideroi” ofertën e parë të Ramës. Duke kapërcyer (në shikimi të parë pa lidhje) në Ottawa të Kanadasë, ndërtesat e saja kanë planimetri drejtkëndëshe, por ambasada amerikane u lut që selinë e saj ta ndërtonte paksa të harkuar. Referendumi “ottawasit zotër të Ottavës” nuk e pranoi këtë dhe ambasada u ndërtua po katërqoshelie.
Duke u rikthyer Durrësit, në këto kohë sipas Ramës “tepër të rrezikshme”, lufta atomike nuk është më nocion abstrakt por realitet konkret dhe bazave ushtarake, veçan atyre “të fjalës së fundit” u rezervohet nga një “nuk”, siç dhe quhen me përkëdheli armët nukleare. Nëse ottawasit referenduan harkimin e lehtë të ndërtesës, a duheshin pyetur edhe durrsakët duan apo jo një “nuk” mbi kokë. Kjo pasi “nuku” do avullonte tërë shtëpitë durrsake bashkë me ato që kanë brenda shtëpitë durrsake. Nga lavatriçja tek frigoriferi, nga macja tek e zonja e shtëpisë.
6. Këto bëma, nga 1 tek 5, shpjegojnë arsyen përse katranjos kompleti nuk ngeli në asnjë klasë të 9 vjeçares. Falë qylymizmit Zjush ! Me leje zjush ! A ta pastroj koshin e plehrave zjush ? Kjo, e lidhur edhe me thënien e Roosevelt-it për Anastasio Somozan “He may be a son of a bitch, but he’s our son of a bitch” (ai mund të jetë biri i një …, por ai është biri ynë i …) kuadron bukurmirë. Donan- donan thonë spanjollët, më jep që të të jap. Të jap ç’të duash nga Shqipëria, më lër të bëj ç’të dua në Shqipëri.